LAJMET E MBRËMJES

Arrestohet i dyshuari kryesor për plagosjen e trefishtë në Pejë

Policia e ka arrestuar të enjten të dyshuarin kryesor për plagosjen e trefishtë në Pejë një ditë më herët. E gjendja e njërit prej të plagosurve me armë zjarri mbetet e rëndë. Ai po trajtohet në QKUK. I dyshuari, sipas prokurorisë, ka histori penale

Policia e Kosovës ka arrestuar të enjten të dyshuarin kryesor për plagosjen e trefishtë me armë zjarri në Pejë. 

Një person i dyshuar u arrestua pak orë pas krimit, të mërkurën mbrëma, nën dyshimet për ndihmë personit pas kryerjes së veprës penale.

Por për arrestimin e të dyshuarit kryesor, 21-vjeçarit Agron Gashi, policia kërkoi edhe ndihmën e qytetarëve. Të enjten publikoi njoftimin e pak orë më pas u arrestua edhe ai.

Një prej të plagosurve, 51-vjeçar, është në gjendje të rëndë. Nga Peja është transferuar për trajtim intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pak kohë pas plagosjes. 

“Është duke u trajtuar në Klinikën e Mjekimit Intensiv Qendror. Është i kyçur në aparaturë mjekësore dhe përkundër ndërhyrjes kirurgjike, gjendja e tij vazhdon të jetë e rëndë”, ka thënë Shaqir Uka, shef i Trajtimit Intensiv në QKUK. 

Ndërkohë prokurori i rastit, Ersan Qavolli, është shprehur në emisionin “60 Minuta” në KTV, të enjten, se i dyshuari kryesor Agron Gashi i njohur me nofkën Gjon Ozdrimi, ka histori të tjera penale. 

“I njëjti është ndaluar për 48 orë. Sa i përket të dyshuarit kryesor, i njëjti është recidivist, ndërsa për të dyshuarin e dytë nuk kemi siguruar diçka – ndonjë aktgjykim të formës së prerë”, ka thënë Qavolli. 

Ai ka thënë se Prokuroria Themelore në Pejë për të dyshuarit do të parashtrojë kërkesë për paraburgim. 
Në rrjete sociale të mërkurën mbrëma është shpërndarë një video me pamje të rënda ku vërehet një person duke u rrahur me dy të tjerë, ndaj të cilëve shtien me armë zjarri, ndërkohë një tjetër shihet në anën tjetër të rrugës i shtrirë.