LAJMET E MBRËMJES

Arrestohen e më pas lirohen dy politikanë serbë pasi penguan punimet pranë Urës së Ibrit

Pastrimin e hapësirave afër Urës së Ibrit e kanë penguar dy serbë, pjesë e një partie politike në veri. Policia ka reaguar me arrestimin e tyre e pas intervistimit për disa orë janë liruar, duke iu bashkuar një proteste të serbëve në Mitrovicë të Veriut, që u zhvillua në përkrahje të tyre

Dy përfaqësues të partisë “Demokracia Serbe” janë marrë në pyetje për disa orë nga Policia e Kosovës, të enjten.

Kryetari i këtij subjekti, Aleksandër Arsenijeviq dhe zyrtari Stefan Velkoviq, dyshohet se penguan punëtorët që pastronin hapësirat pranë Urës së Ibrit, si përgatitje për hapje të saj për qarkullim të veturave.

Një zyrtar tjetër i kësaj partie i kërkoi shpjegime zv.drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, për arrestimet.

“Iu drejtuam policisë dhe kërkuam ta dimë se përse nuk e mbrojnë ligjin në të cilin thirren dhe pse nuk e zbatojnë Kushtetutën – pse po mbulohet me ngjyrë flamuri kombëtar i serbëve. Meqë sipas ligjit e Kushtetutës mund të ekzistojnë dhe duhet të ekzistojë. Policia në vend se të na drejtohet dhe të na e shpjegojë situatën, nisi fizikisht të na sulmojë dhe të na arrestojë”, tha Ivan Orloviq, nga “Demokracia “Serbe”. 

“Ti ke mundur të shkosh e të ankohesh e të tregosh se kjo e kjo kanë ndodhur, e ne ishim marrë me këtë punë keni shkuar atje dhe u keni penguar njerëzve, nuk i keni lënë ta kryejnë punën e vet... e kur ju ka thënë policia mos u përzieni, ju prapë u keni mësyrë atyre, dhe policia ka nisë arrestimet”, tha zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani. 

Pas intervistimit, Arsenijeviq e Velkoviq u liruan. Sipas Policisë, ata nuk i kanë përfillur paralajmërimet e zyrtarëve policorë dhe kanë provokuar.

“Sot, më datën 08.08.2024 rreth orës 11:00, disa persona të nacionalitetit serb ishin tubuar në një lokacion afër urës në Mitrovicë veriore dhe të njëjtit kanë filluar të pengojnë punëtorët të cilët ishin të kontraktuar dhe të angazhuar nga autoriteti kompetent, për të pastruar disa grafite me mbishkrime nacionaliste, që krijojnë nxitje dhe urrejtje si ‘severna brigada’ etj., të cilat ishin në shesh afër urës. Personat në fjalë janë paralajmëruar disa herë që të mos pengojnë punën dhe të largohen, mirëpo të njëjtit kanë vazhduar duke penguar dhe duke mos lejuar realizimin e punimeve, si dhe kanë provokuar dhe kanë nxitur tensione. Njësitet policore relevante, me qëllim të qetësimit të situatës dhe krijimit të mundësive për punë, janë detyruar të veprojnë dhe kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim dy persona. Personat e shoqëruar në stacion policor, pas intervistimit janë liruar”, tha Policia e Kosovës. 

Kundër arrestimit të tyre protestuan dhjetëra serbë para stacionit të Policisë në veri. Në mesin e tyre pati edhe zyrtarë të Listës Serbe.

Pas lirimit, atyre iu bashkuan dy të arrestuarit, e kësisoj marshuan deri në qendër në Mitrovicë të Veriut.

“Të afërm, vëllezër e motra dhe të gjithë ju që na keni përkrahur, nuk na keni përkrahur neve, por mbi të gjitha e keni mbështetur veten. Sepse sot nuk ishte teke e jonë, ishte mbrojtje e ekzistencës sonë, e identitetit tonë, e përkatësisë sonë etnike, për të bërë të ditur se jemi serbë, dhe se këtu do të jetojmë, pasi këtu kanë jetuar gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë, kështu do të bëjmë edhe ne. Ky është një mesazh për të gjithë. Pavarësisht dallimeve që kemi, sot treguam se ‘Të gjithë jemi për një’”, tha Arsenijeviq.

Kjo nuk është hera e parë që kryetari i partisë “Demokracia Serbe” kundërshton veprimet e institucioneve të Kosovës në veri. Arsenijeviq të mërkurën mori pjesë edhe në protestën kundër hapjes së Urës së Ibrit e ditë më parë zhvilloi një aksion kundër mbylljes së pikave të Postës së Serbisë në veri.