Prokuroria Speciale ka njoftuar se dy persona janë arrestuar në ndërmarrjen publike “Pallati i Rinisë” për veprën penale që ndërlidhet me keqpërdorim të detyrës zyrtare. Gjatë këtij aksioni është kryer kontroll në ambientet e punës së të dyshuarve, ku janë sekuestruar: 2 telefona celularë, dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore dhe 1 armë zjarri me 10 fishekë
Dy persona janë arrestuar të hënën në aksionin e Prokurorisë Speciale në ndërmarrjen publike “Pallati i Rinisë”.
Të arrestuar janë zyrtarët F.R., që ka mbajtur pozitën e menaxherit të prokurimit e aktualisht është zëvendësshef i sigurimit, si dhe A.Z., ish-ushtrues detyre i kryeshefit të ndërmarrjes, e tash pjesë e zyrës për financa.
Ata dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Gjatë këtij aksioni hetuesit e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike nga Policia e Kosovës, kanë realizuar arrestimin e dy personave të dyshuar me dyshimet për përvetësim të kundërligjshëm të fondeve gjatë vitit 2022 në NP ‘Pallati i Rinisë’ në Prishtinë. Gjatë këtij aksioni është kryer kontroll i detajuar në ambientet e punës së të dyshuarve, ku janë sekuestruar: 2 telefona celularë, dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore, 1 armë zjarri me 10 fishek”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë pas përfundimit të aksionit 4-orësh.
E përmes një njoftimi, kjo ndërmarrje bëri të ditur se po bashkëpunon me autoritetet përkatëse për hetimin e nisur nga Njësia e Krimeve Ekonomike.
“Bordi i Drejtorëve të NPL ‘Pallati i Rinisë’ SH.A. në përgjigje të hetimit të nisur nga Njësia e Krimeve Ekonomike, informojmë opinionin publik se jemi duke bashkëpunuar plotësisht me autoritetet përkatëse. Ne kemi ofruar dhe do të vazhdojmë të ofrojmë qasje të plotë në Pallat, si dhe kemi hapur të gjitha të dhënat tona sipas kërkesave të tyre”, thuhet në njoftimin e bordit të kësaj ndërmarrjeje.
Në njoftimin e ndërmarrjes thuhet se do të vazhdojë të jetë e hapur për ndriçimin e çdo aspekti lidhur me këtë rast.