Policia e Kosovës i ka arrestuar shtatë persona të dyshuar për “planifikimin dhe kryerjen e vrasjes” së rreshterit Muhamed Lika, e cila besohet se u krye për motive që ndërlidhen me punën e tij zyrtare. Drejtori i përgjithshëm, Gazmend Hoxha, bëri të ditur se për vrasjen e Likës janë bastisur 9 lokacione. Njëri ngatë dyshuarit për vrasjen e rreshterit, sot i ka mbushur 18 vjet, që nënkupton se kur është kryer akti ai ishte i mitur.
7 persona janë arrestuar të hënën gjatë bastisjeve të kryera në 9 lokacione të ndryshme në Kaçanik e Klinë, nën dyshimet se janë të përfshirë në vrasjen e rreshterit të Policisë, Muhamed Lika.
Rreshteri Lika, i cili u vra më 1 prill të këtij viti në hyrje të banesës së tij në Kaçanik, sipas drejtorit të Policisë së përgjithshme, Gazmend Hoxha, dyshohet është vrarë për shkak të punës si pjesëtar i Policisë.
“Rreshteri ynë ka qenë në detyrë zyrtare kur kanë ndodhur këto raste dhe mandej ka punuar në mbështetje të hetimeve të policisë, e që janë dyshime të rasteve të mëhershme. Këta janë persona të dyshimtë, që disa prej tyre kanë qenë të arrestuar në rastet e mëhershme që lidhen me pamfletin dhe me djegien e Gjykatës në Kaçanik”, tha Hoxha.
Hoxha bëri të ditur se njëri prej të arrestuarve është ish-pjesëtar i FSK-së dhe një 18-vjeçar.
“Gjatë ditës së sotme është arrestuar edhe një person, i cili është biri i një polici tonë, në shtëpinë e të cilit ne kemi kryer bastisje. Me qëllim të verifikimit të çdo mundësie të mundshme është konfiskuar arma e tij zyrtare, pra është armë zyrtare e policisë së Kosovës, një polici që punon në drejtimin e policisë kufitare”.
Gjatë operacionit policor të zhvilluar në Kaçanik e Klinë pjesëmarrës ishin 170 pjesëtarë të policisë, ku janë konfiskuar dy vetura, armë, fishekë, dylbi e dëshmi të tjera që ndërlidhen me rastin.
E kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, tha se janë marrë të gjitha masat e nevojshme që drejtësia të vihet në vend.
“Ata do të shkojnë në mbajtje dhe do të vazhdohet me procedura të mëtejshme. Ne si Prokurori Themelore dhe si Polici e Kosovës ia kemi pasur borxh policisë dhe rreshterit Lika që të bëjmë këto veprime procedurale dhe të kemi këtë rezultat. Hetimet do të vazhdojnë edhe për personat e tjerë”, tha Çerkini.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata që t’i caktohet masa e paraburgimit edhe një të mituri, i cili tash ka mbushur 18 vjet, që nënkupton se kur është kryer akti ai ishte i mitur.
“Ekziston dyshimi i bazuar se më 1.4.2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, në rrugën "Idriz Seferi", përkatësisht në katin II të hyrjes së ndërtesës, i mituri në bashkëkryerje me madhorët me iniciale: H.B., R.M., V. ç., E.L., Sh.K., dhe D.G., me dashje dhe përgatitje paraprake ka privuar nga jeta tani të ndjerin, zyrtarin policor, M.L., në atë mënyrë që viktima pas përfundimit të orarit të punës, rrugës për në banesën e tij, i cili ishte përcjellë në vazhdimësi nga madhorët deri te hyrja e banesës së tij, pasi që hyn në objektin e banesës ku ka jetuar, duke u ngjitur shkallëve, i mituri i shkon nga mbrapa dhe me ta takuar të ndjerin, ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri”, u tha nga Prokuroria.
E Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore duke ia caktuar një muaj paraburgimi të miturit, siç thotë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale në bashëkryerje vrasja e rëndë.