Në përvjetorin e sulmit në Banjskë, është vlerësuar lart shembulli i rreshterit të vrarë, Afrim Bunjaku. Homazhe bënë përfaqësues shtetërorë e liderë opozitarë, si dhe përfaqësues diplomatikë të shteteve të QUINT-it. Të gjithë kërkuan që përgjegjësit për sulmin të vihen sa më shpejt para drejtësisë.
Familja e Afrim Bunjakut hapi dyert të martën në njëvjetorin e vrasjes së tij, në përballje me grupin e serbëve që synoi aneksimin e veriut.
Krerë shtetërorë, zyrtarë të lartë institucionalë, kryetarë të partive politike, të komunave e kolegë të Bunjakut vizituan konakun e familjes.
Nga aty, kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca, ministri i Brendshëm, Xhelal Svela, drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha e zyrtarë të tjerë të shumtë, së bashku me familjarë të Bunjakut, bënë homazhe te varri.
Kryeministri tha se grupi paramilitar, i financuar e i dirigjuar nga Serbia, e di që e ka humbur betejën me popullin dhe shtetin liridashës.
“Duke rënë Afrim Bunjaku nuk kanë rënë edhe shumë policë të tjerë dhe ata policë që ishin në betejë bashkë me të nuk lejuan që kufoma e Afrim Bunjakut, trupi i pajetë i heroit tonë, të bie në duart e forcave armike”, tha Kurti.
E kryeparlamentari foli për shembullin që dha rreshteri Afrim Bunjaku.
“Ai e dha shembullin më të vyer se kur atdheu rrezikohet dhe kërcënohet sesi duhet të jepet jeta dhe se si duhet të vetë mohohet individi për të mirën e përgjithshme”, tha Konjufca.
Heroizmi i rreshterit të vrarë u vlerësua edhe në Akademinë përkujtimore që u mbajt në Prishtinë.
Vëllai i tij dha një mesazh.
“Duhet të bashkohemi të gjithë ta ruajmë çdo pëllëmbë të Republikë së Kosovës, ta çojmë amanetin e Afrimit deri në fund, sepse ai thoshte: kjo është tokë e jona – duhet ta mbrojmë”, tha Mujë Bunjaku.
Homazheve te varri i Afrim Bunjakut iu bashkuan edhe përfaqësues diplomatikë të shteteve të QUINT-it.
Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, kërkoi që autorët e sulmit në Banjskë të mbahen përgjegjës.
“Sot u bashkova me Qeverinë e Kosovës dhe kolegët diplomatikë për të nderuar kujtimin e policit të Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës gjatë sulmit në Banjskë, sot një vit më parë. Shtetet e Bashkuara përsërisin thirrjen e tyre, dhe është pritshmëria jonë, që autorët dhe të gjithë ata që u përfshinë në atë krim të tmerrshëm të mbahen plotësisht përgjegjës”, tha Hovenier.
Apel të ngjashëm bëri edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde.
“Një vit më parë, zyrtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, është vrarë në Banjskë. Sakrifica e tij nuk do të harrohet. Megjithatë, Radoiçiqi, autori i dyshuar, mbetet i lirë në Serbi pavarësisht se e pranon fajin. Kjo mungesë përgjegjësie dëmton paqen. Drejtësia duhet të vendoset – pa vonesë ose justifikim”, tha Rohde.
Arrestimin e Radoiçiqit dhe përgjegjësve të tjerë për sulmin e kërkoi edhe ambasadori i Britanisë, Jonathan Hargreaves.
“Sot bëhet një vit nga vrasja e policit Afrim Bunjaku dhe ngjarjet tronditëse që ndodhën në Banjskë. I bëj nder profesionalizmit dhe trimërisë së Policisë së Kosovës për veprimin e tyre për të rivendosur rendin më 24 shtator 2023 dhe prokurorëve të Kosovës për punën e tyre duke ngritur aktakuzë. Britania e Madhe vazhdon të kërkojë që autorët e këtij sulmi, përfshirë Milan Radoiçiq, të kapen dhe të sillen para drejtësisë. Ne përsërisim thirrjen tonë ndaj Serbisë që të marrë masat e nevojshme për të siguruar që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Hargreaves.
Vënien e përgjegjësve para drejtësisë e kanë kërkuar edhe kryetarë të partive opozitare.