Lista Serbe duhet të certifikohet për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit, pasi ka përmbushur kriteret ligjore, thuhet në vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa marrë të mërkurën. Në këtë institucion një ditë më parë është ankuar Lista Serbe, derisa vendimi i KQZ-së i datës 23 dhjetor është përcjellë me kritika të shumta
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka aprovuar ankesën e Listës Serbe për moscertifikim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kësisoj, PZAP-ja ka hedhur poshtë vendimin e KQZ-së, e cila kishte vendosur që këtë parti të mos e certifikonte.
Sipas arsyetimit të këtij mekanizmi, Lista Serbe me aplikimin e saj për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit ka plotësuar të gjitha kriteret ligjore të kërkuara.
“Në rastin konkret, Paneli vërtetoi se Lista Serbe ka dorëzuar aplikimin e kompletuar, në përputhshmëri, bazuar në nenet 16 dhe 17 të LZP-së, dhe KQZ-ja është e obliguar që të certifikojë çdo subjekt politik i cili i plotëson kushtet e parapara ligjore siç i ka plotësuar në rastin konkret subjekti politik Lista Serbe, për çka e njëjta është rekomanduar për certifikim edhe nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike në KQZ”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka thënë se nga procesi i votimit për moscertifikimin e Listës Serbe nuk ka pasur konsensus ashtu siç kërkohet, e rrjedhimisht nuk ka pasur vendim për këtë rast.
Tutje thuhet se edhe njoftimi është në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, andaj KQZ-ja urdhërohet që ta zbatojë vendimin e PZAP-së.
"Anulohet njoftimi i Komisionit Qendror Zgjedhor, i datës 23.12.2024, dhe urdhërohet KQZ-ja që ta certifikojë subjektin politik Lista Serbe dhe kandidatët e këtij subjekti politik, sipas rekomandimit të Zyrës për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike në KQZ të datës 22.12.2024, për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025", është thënë në vendimin e publikuar nga PZAP-ja.
Pas këtij vendimi, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë se KQZ-ja do të presë afatin ligjor për ankesë ndaj tij, para se ta vendosë në rend ditë këtë çështje.
“Në vendimin e PZAP-it ka këshillë juridike, sipas së cilës lejohet ankesa kundër tij në Gjykatën Supreme, brenda 48 orëve nga momenti i marrjes së vendimit. Andaj KQZ-ja para caktimit të kësaj çështjeje për në rend dite, do të presë përfundimin e procedurave ligjore”, ka deklaruar Elezi.
Moscertifikimi i Listës Serbe nga KQZ-ja është kritikuar nga njohës të sistemit zgjedhor e nga ndërkombëtarët. Vendimi i saj është konsideruar i ndikuar politikisht.