Me 27 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, të njëjtit asamblistë që kishin qëndruar në seancë kur u votua për shkëmbim të pronave në Badoc, këtë të enjte në një seancë të jashtëzakonshme votuan për anulimin e këtij vendimi. E pas përfundimit të seancës, PDK-ja lajmëroi për prishjen e koalicionit me LDK-në.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka konsideruar plotësisht të ligjshëm procesin e këmbimit të pronës komunale me pronën e ish-klientit të tij, për të cilën çështje ka raportuar KOHA.
Një gjë të tillë ai e ka shprehur në Kuvendin Komunal të Prishtinës gjatë seancës së jashtëzakonshme, e cila u mbajt me kërkesë të opozitës.
Rama ka deklaruar se nuk e ka nisur këtë proces, duke shtuar që përgjegjësia dhe pasojat janë të asamblistëve që kanë qenë atë ditë në Kuvend.
Ai foli gjerë e gjatë për këtë proces, por as nuk e arsyetoi interesin publik të Komunës, që është kusht ligjor që një pronë të këmbehet e as nuk foli fare për konfliktin e interesit.
“Është thënë se Përparim Rama dhe qeverisja aktuale e kanë nisë këtë proces. Prapë e pavërtetë. Si rezultat i vlerësimit nga Ministria e Financave në maj të vitit 2022, palës ju ka këmbye vetëm një pjesë e parcelës dhe i ka mbet edhe një pjesë tjetër me u këmbye. Unë si kryetar i kryeqytetit, ashtu siç me obligon ligji, jam i obliguar që t’i zbatoj vendimet e Kuvendit të Kryeqytetit. Mirëpo, përgjegjësia dhe pasojat e mundshme janë tuajat”, tha Rama.
Rama disa herë gjatë fjalimit ishte i befasuar se si institucionet qendrore janë bazuar në raportime të mediave, ani pse kjo është gjë e zakonshme.
Ai i bëri thirrje Prokurorisë Speciale që, përveç në Komunë, për këtë rast të fillojë hetime edhe në MAPL dhe MF, duke aluduar që vendimet e këtyre ministrive kundër Komunës janë të motivuara politikisht.
Partitë që e thirrën këtë mbledhje thanë se këmbimi i pronave nuk mund të bëhet duke i lajthitur asamblistët.
“Kjo çështje nuk do te problematizohej dhe s’do të bëhej mediatike pa kundërshtimet që janë shprehur në këtë seancë në emër të grupit të LVV-së. Të gjitha vërejtjet tona që i kemi potencuar në atë seancë janë bërë argumente të kundërshtimit të këtij këmbimi qoftë në diskursin publik, mediatik dhe atë të drejtësisë. Ligjet në fuqi për këmbimin e pronave janë shumë të qarta”, u shpreh shefi i asamblistëve të VV-së, Gëzim Sveçla.
“Ne ishim dhe jemi kundër ndërtimeve në Badovc dhe nuk mendojmë që komuna iu ka borxh të pronarëve të pronave privatë që të iu ndërrojë tokat pa arsyetuar interesin publik. PDK ka qëndrim konsistent. Në vitin 2021 nuk kemi përkrahur këmbimin e pronave në Badovc”, ka deklaruar Leutrim Retkoceri i PDK-së.
Kurse drejtorja e Pronës, Doruntinë Maloku, kritikën e ashpër e kishte ndaj grupit mediatik, që në këtë rast është KOHA, për, siç tha ajo, dezinformim të publikut. Të tilla deklarata Maloku i bëri ani pse asnjëherë nuk i janë përgjigjur KOHËS për 1 muaj rreth kësaj çështjeje.
“A është interes publik dezinformimi i publikut? Kur ju bashkuat kandarit të dezinformatave për procesin, pse grupi mediarik që ngriti këtë çështje nuk iu përmendi si shkaktar të kalimit dhe miratimit të kësaj pike. A e din prishtinasit që vendimi për Badocin u mundësua ekskluzivisht nga Lëvizja Vetëvendosje. Pa ta atë ditë nuk do të ishim sot këtu”, tha ajo.
Para se të votohej për anulimin e shkëmbimit të pronave, kryetari Rama së bashku me asamblistët e LDK-së lëshuan sallën.
Vetëm 15 minuta pas Kuvendi Komunal votoi për anulimin e shkëmbimit të pronave, nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili ka njoftuar që janë larguar nga koalicioni qeverisës me LDK-në në kryeqytet.
Ai ndër tjerash shkroi në Facebook që nuk duan të jenë pjesë e një qeverisjeje që, sipas tij, po e dëmton interesin publik.