Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar listën preliminare të votuesve për zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt 2025. Por, nuk ka arritur të miratojë edhe numrin e vendvotimeve e listën e qendrave të votimit jashtë vendit, si dhe numrin maksimal të votuesve atje. Anëtarët e KQZ-së kanë fajësuar për vonesë Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Diaspora nuk do të mund të fillojë të enjten procesin e regjistrimit që mundëson shfrytëzimin e së drejtës për votim jashtë Kosovës.
Kjo meqë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka arritur të shqyrtojë dhe miratojë të mërkurën numrin e vendvotimeve dhe listën e qendrave të votimit jashtë vendit dhe numrin maksimal të votuesve.
Anëtarët e KQZ-së për këtë kanë fajësuar Ministrinë e Punëve të Jashtme duke e akuzuar atë për mungesë të përgjegjësisë dhe seriozitetit.
“Ne kemi dërguar një listë për shqyrtim në MPJD, brenda kësaj periudhe nuk është pranuar një miratim i kësaj liste të përfaqësime diplomatike që duhet të hapen dhe nuk është dhënë një pajtim me numrin maksimal të votuesve. Pranojmë pak para mbledhjes një material të ndryshuar, një draftlistë të ndryshuar të qendrave të votimit pra që tejkalon edhe ato se çka i parasheh ligji për zgjedhje të përgjithshme”, tha anëtari i KQZ-së nga PDK-ja, Arianit Elshani.
“Jemi në një situatë që nuk mund të vendosim. Sa pash në atë shkresë, ato shifra që i kanë shkruar aty janë qesharake, ose nuk janë njohës, ose ata po dojnë me ba politikë dhe me na sfidu KQZ-në....Realisht unë po e shoh që nesër nuk mund të hapen sepse ka mbet në moment të fundit me u kry kjo punë edhe ato shifra apo çka ka ardh në atë shkresë të Ministrisë nuk kanë të bëjnë fare me një realitet apo element me të cilën mund të votohet në një përfaqësi 10 mijë vetë”, tha Sami Hamiti, anëtar i KQZ-së nga radhët e LDK-së.
Për vonesë dhe mungesë serioziteti lidhur me përcaktimin e vendvotimeve në ambasada ka kritikuar edhe anëtari Ilir Gashi, duke e akuzuar Ministrinë e Punëve të Jashtme për ndërhyrje në punët e KQZ-së.
Ndonëse u pajtua se ka vonesa në këtë proces nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme, anëtari i KQZ-së nga partia në pushtet, Sami Kurteshi, i arsyetoi vonesat me probleme teknike e administrative dhe me mungesë të njohurive të mjaftueshme.
“Ministria ka thanë 10 mijë munden. Me shku me i vetë se qysh i shtini 10 mijë njerëz në një konsullatë apo ambasadë. Ai nuk din me tregu se mendon që veç hijnë qashtu. Edhe këtë duhet me ua shpjegu. Shumë njerëz nuk e dinë. Në mënyrë të rregullte janë 750 votues në një vendvotim. Unë veç po them që duhet me i thirr ata dhe me ju thanë që ky e-mail është i vonshëm dhe nuk bën ashtu”, tha Kurteshi i Vetëvendosjes.
Me pajtim të të gjithë anëtarëve të KQZ-së, kjo pikë u largua nga rendi i ditës.
E gjatë mbledhjes Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar Raportin e Listës Preliminare të Votuesve.
Sipas listës, në zgjedhjet e ardhshme janë 2 milionë e 47 mijë votues, apo mbi 160 mijë votues më shumë se në zgjedhjet e vitit 2021