LAJMET E MBRËMJES

Ambasadori Berishaj i quan shpifje raportimet për shpëlarje parash

Shpifje të mediumeve sllovene i ka quajtur ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, raportimet e muajve më parë për shpëlarje parash.

Ai, gjatë raportimit të enjten para Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës, ka thënë se ka paditur mediumet sllovene lidhur me këto raportime.

“Unë e kam hedhur në gjyq në Qarkun e Lubjanës për shpifje portalin, sepse liria dhe e drejta e shtypit nuk nënkuptojnë lirinë për të folur kush çka t’i bjerë ndërmend, por lirinë e çdonjërit me një të vërtetë të argumentuar dhe nëse ajo e vërtetë nuk argumentohet, pastaj mundësia e tij gjithmonë ekziston që të bëjë padi. Unë e kam bërë atë padi, është në procedurë, andaj ishte vetëm një moment në mediat ndërkombëtare, do të thotë atë natë është përmendur në Lubjanë dhe kurrë më, sepse kanë ndodhur zgjedhjet, asnjë televizion, as në agjencinë shtetërore të lajmeve, as televizioni shtetëror as privat, nuk janë marrë me atë problem”, ka theksuar Berishaj.

Ai është pyetur edhe rreth pronësisë dhe aksioneve në kompaninë “MB Consulting”.

“’MBConsulting’ është një firmë që e kam formuar në vitin 2017 në Mal të Zi. Ajo nuk funksionon nga viti 2020. Ajo i ka kryer të gjitha obligimet, nuk ka hyrje-dalje, të gjitha obligimet të cilat kanë qenë në formë kontraktuale janë në mbyllje, nuk rezulton si ndërmarrje e cila qarkullon, nuk është e mbyllur fizikisht, sepse procedura në Mal të Zi është e tillë. Kur jam bërë ambasador as nuk më ka rënë ndërmend që të merrem me atë problem”, ka deklaruar Berishaj.

Ai ka pranuar se ka punuar si këshilltar në kompaninë serbe “GEN”, e cila merret me tregtimin e energjisë. Por që, sipas tij, prejse është bërë ambasador në vitin 2020, nuk ka pasur marrëdhënie kontraktuale me atë kompani.

“Unë ‘GEN-in’ e njoh natyrisht, është një firmë e cila i ka 25 vende të botës, 13 bursa ndërkombëtare të shitblerjes se energjisë, është plotësisht qind për qind në pronë sllovene, kam qenë aty si këshilltar. I kam dhënë këshilla se çka do të duhej të bënte një firmë e madhe, ‘GEN’ është e regjistruar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë në vitin 2009, e ka licencën nga viti 2009 dhe bën shitblerje. Nga vitet 2019, 2020 unë nuk jam më me ta, pasi kam filluar punën si ambasador dhe jam i lirë prej këtyre çështjeve”, është shprehur Berishaj.

Ai po ashtu ka mohuar se mjetet e kompanisë “GEN” janë përdorur për fushatë zgjedhore të kryeministrit Kurti.

“Me përgjegjësi morale, juridike, por edhe si person ato mjete nuk kanë përfunduar as te kryeministri Kurti, as të kryetari Memli Krasniqi, as te zoti Abdixhiku, as te Ramush Haradinaj, askund, nuk janë investuar dhe nuk kanë shkuar, dhe ju falënderohem për pyetje konstruktive. Asnjë mjet nuk ka përfunduar as në Slloveni për të cilën do të përgjigjet ai zotëria që ka folur ashtu, do të përgjigjet para Gjykatës së Qarkut të Lubjanës, e as në Kosovë”, ka theksuar Berishaj.

Në prill të këtij viti emri i ambasadorit Martin Berishaj ishte përfshirë në një skandal financiar të raportuar nga një medium në Lubjanë.

Ai u përfol se ishte pjesë e skandalit financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat e këtij vendi raportuan se ai kishte bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi te një politikan slloven.

Pas këtyre raportimeve Agjencia Antikorrupsion dorëzoi kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit me dyshimet për mosdeklarimin e pasurisë.

Po ashtu, edhe Prokuroria nisi hetimet për përfshirjen e Berishajt në këtë skandal financiar.