Nënsekretarja e Shteteve të Bashkuara, Elizabeth Allen, ka deklaruar të dielën se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është esencial për integrimin e Kosovës në BE dhe NATO. Këtë mesazh ajo e ka dhënë pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit me presidenten Vjosa Osmani kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja. E kryeministri Kurti i është ankuar asaj për kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës
Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Diplomaci dhe Çështje Publike, Liz Allen e ka konsideruar formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, si hap thelbësor në jetësimin e synimeve euro-atlantike të Kosovës.
Nënsekretarja Elizabeth Allen pas nënshkrimit të marrëveshjes së mirëkuptimit kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja me presidenten Vjosa Osmani, ka thënë se mbështetja e SHBA-së është më e madhe aty ku ka koordinim me të.
“Me presidenten këtë mëngjes patëm një diskutim produktiv lidhur me dezinformimin, politikëbërjen, mbështetjen për shoqërinë civile dhe angazhimin multilateral. Folëm, po ashtu, për çështjen kritike, të rrugës evropiane dhe euroatlantike të Kosovës. Ritheksova që mund ta mbështesim më së miri rrugëtimin e Kosovës drejt institucioneve evropiane dhe euroatlantike kur kemi bashkëpunim e koordinim të ngushtë. E di që kjo është çështje shumë me rëndësi edhe për ju, presidente Osmani. E diskutuam hapin esencial drejt rrugës euroatlantike të Kosovës – lëvizja përpara e Kosovës për Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, ka thënë ajo.
E presidentja Vjosa Osmani e ka vlerësuar kontributin e SHBA-së si jetik për Kosovën.
Osmani është shprehur se Kosova nuk është kursyer nga dezinformatat e as nga sulmet kibernetike, derisa marrëveshjen e cilësoi si pikë kthese për t’i luftuar dezinfomratat që burojnë prej qeverive të huaja.
“Fatkeqësisht, as Kosova nuk është kursyer nga këto sulme të cilat sa vijnë e intensifikohen si rezultat i ndikimit të Rusisë në rajon nëpërmjet satelitit të saj, Serbisë. Nuk përbën thjesht një marrëveshje tjetër, por është pikë kthese duke fuqizuar bashkëpunimin tonë në luftimin e manipulimit të informacionit”, ka thënë Osmani.
Në konferencën e përbashkët të së dielës, u bë e ditur se Ministria e Punëve të Jashtme në emër të Kosovës dhe Qendra Globale për Përfshirje bashkë me Zyrën për Çështje të Evropës dhe Euroazisë do të jenë bartëse të mekanizmit konsultativ që parashihet në këtë marrëveshje.
Allen ka theksuar se ndërveprimi në fushën e dezinformimit është sikur ndërveprueshmëria e forcave ushtarake.
“Ashtu siç e kemi NATO-n për të garantuar sigurinë e mbrojtjen, ne do të mbështetemi në këtë marrëveshje për t’iu kundërvënë dezinformatave të huaja dhe ndikimeve malinje”, ka deklaruar ajo.
Nënsekretarja është pritur në takim të ndarë edhe nga kryeministri Albin Kurti, i cili i është ankuar asaj për kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës.
Në njoftimin për media nga Kryeministria, është theksuar se lidhur me procesin e dialogut, kryeministri Kurti ka veçuar rëndësinë e zbatimit të plotë e të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazë dhe aneksit të saj.
“Sa i përket rrugëtimit të Kosovës në integrimet evropiane, ai shprehu keqardhjen e tij që Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës nuk pati gatishmëri që ta përfshijë Kosovën në agjendën e votimit të 17 majit, duke marrë parasysh se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e anëtarësimit në këtë organizatë, siç është konfirmuar edhe nga instancat e vetë kësaj organizate, përfshirë Asamblenë Parlamentare, dhe kur dihet që anëtarësimi ynë do t’i kontribuonte forcimit dhe promovimit të të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Për takimin ka shkruar edhe Allen nëpërmjet platformës “X”.
Sipas saj, Kosova i takon BE-së dhe NATO-s dhe se pret zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve që kanë bërë Kosova dhe Serbia në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.