LAJMET E MBRËMJES

Akuzave se e shkroi komunikatën 59, Thaçi iu përgjigj me kundërakuza se kjo u bë për inate politike

Përgjigjet e ish-presidentit Hashim Thaçi dhënë Prokurorisë janë zbardhur gjatë dëshmisë së Fadil Gecit në Dhomat e Specializuara. Anëtari i trupit gjykues, Guenael Mettraux, ka lexuar një dëshmi të ish-presidentit Thaçi dhënë për ZPS-në, me të cilën akuzave të Gani Gecit dhe Rexhep Selimit, se e ka shkruar komunikatën 59 të UÇK-së, ai u është përgjigjur duke i quajtur deklarata për konsum politik.

Një pjesë e deklaratës së ish-presidentit Hashim Thaçi dhënë Zyrës së Prokurorit të Specializuar lidhur me komunikatën 59 dhe vrasjen e Behajdin  Hallaqit është shpalosur në shqyrtimin kryesor në Dhomat e Specializuara, ku ka dëshmuar dëshmitari Fadil Geci. 

Pyetjet nga anëtari i trupit gjykues Guenael Mettraux i kanë shpalosur deklarimet e ish-presidentit Hashim Thaçit lidhur me komunikatën dhe zhdukjen e Hallaqit.

Thaçi kishte thënë se deklarimet që e akuzojnë atë për komunikatën 59 e Hallaqin janë të natyrës politike.

“Z. Thaçi thotë se çështja e z. Hallaqi është bërë politike dhe është përdorur për motive të caktuara politike dhe qëllime të caktuara politike, nga të njëjtit njerëz që janë marrë me komunikatën 59... E shihni këtë pjesën dëshmitar?... Do të vazhdoj më tej që ta keni të gjithë citatin. Ai thotë që “unë jam në dijeni që diçka është postuar në internet nga Rexhep Selimi, jam munduar të gjej evidencë të deklaratave të z. Selimi, çka deklaron në kohë të ndryshme me deklarime të ndryshme, por edhe të bashkëpunëtorëve të tij politikë që kanë bërë adresime politike kundër meje”, tha Mettraux.

Sipas deklaratës së lexuar nga gjyqtari Mettraux, Thaçi ka folur edhe për intervistimin e Rexhep Selimit nga organet e drejtësisë në Kosovë.

“Z. Thaçi regjistrohet të ketë thënë: “Për të treguar karakterin e z. Selimi, do të doja t’ju dorëzoja këtë dëshmi, sepse ndërlidhet edhe me 59-n edhe rastin Hallaqi. Z. Selimi është i lidhur me të dyja sepse, sikurse u tha, ai ka bërë deklarata edhe publikisht dhe ju e cituat, por që ndërlidhet edhe me intervistimin e tij me organet e drejtësisë në Kosovë lidhur me z. Hallaqi”, deklaroi Mettraux.

Në citatet që i lexoi anëtari i trupit gjykues, Thaçi citohet t’ia ketë dhënë një artikull Prokurorisë, ku përfshihet edhe raporti mjekësor psikiatrik për Gani Gecin, që u etiketua si tradhtar në komunikatën 59, pas vrasjes së Abedin Rexhës. 

E dëshmitari Fadil Geci, i vëllai i Gani Gecit, e akuzoi Thaçin për publikimin e raportit në media.
Sipas tij, qëllimi i tij ishte ta delegjitimonte të vëllain e tij.

“Vëllai im ka pasur një proces gjyqësor që është dënuar tre vjet e gjysmë burg dhe vetëm shihe atë dokument mjekësor, është vlerësuar se në moment vendimtar pas gjithë këtyre traumave që i ka pasë ai... ai është shumë i fortë... Ka pasur tronditje të fortë psikike në momentin kur e ka pasur rastin. Dhe atë dokument që është e ndaluar me të gjitha të drejtat (të publikohet) e ka marrë me e ba publik ky për ta zhvlerësuar intervistën që e ka dhënë Gani Geci. Po nuk e ka ditë ky që është Fadili, vëllai i tij, që është shëndosh si topi...”, deklaroi Geci.

Fadil Geci e ka përmbyllur dëshminë e tij.  

Ai gjatë dëshmisë së tij ka folur edhe për ndalimin e aktivistëve të LDK-së, Mehdi Bardhi dhe Cen Desku. 

Sipas tij, të dytë i kanë thënë se prapa arrestimit të tyre ka qëndruar i akuzuari Thaçi.