Pa vendimmarrje rreth listës së dëshmitarëve që duhen ftuar në kuadër të hetimit të punësimeve në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka përfunduar edhe mbledhja e radhës e Komisionit parlamentar të themeluar për këtë çështje. Deputetët opozitarë e kanë akuzuar partinë në pushtet se qëllimshëm po tenton që ta sabotojë punën e Komisionit, derisa ata të Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se nuk mund të hetohen veprimet e menaxhmentit aktual të MPJD-së, pa i trajtuar edhe vendimet e qeverive paraprake
Me përplasje dhe me akuza është shoqëruar të mërkurën mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor Parlamentar për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në të cilën ka munguar përsëri vendimmarrja lidhur me listën e dëshmitarëve që duhen thirrur në kuadër të hetimit për punësimet në këtë dikaster qeveritar.
Para anëtarëve të Komisionit janë prezantuar tri lista me dëshmitarë, ajo e partisë në pushtet – Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e opozitës si dhe një tjetër që është hartuar nga ekspertët për llogari të Komisionit.
Time Kadrijaj, kryetare e Komisionit, ka theksuar se anëtarët duhet t’i përmbahen periudhës prej vitit 2021 deri në momentin e themelimit të Komisionit, përkitazi me dëshmitarë që duhet të ftohen.
“E kemi një listë që është hartuar nga ekspertët e caktuar nga ky komision për dëshmitarë, për t’i thirrur që të intervistohen në këtë komision. Është një listë e hartuar nga pozita dhe është një listë e hartuar nga opozita. A mendoni që më pako të miratojmë listë për dëshmitarë? Mua nuk më prek asnjë vit personalisht, por e kemi mandatin e caktuar për këtë Komision. Mendoj se duhet të fillojmë me vitin kur u miratua në seancë vendimi për themelimin e Komisionit hetimor. Nëse paraqitet nevoja e përmendet dikush, mundemi t’i ftojmë ndërkohë”, ka thënë Kadrijaj.
Deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli, ka insistuar që në listë të përfshihen edhe zyrtarët që kanë shërbyer në periudhën e para krijimit të Komisionit, me justifikimin se disa prej punësimeve kanë ndodhur në po atë periudhë porse janë zhvleftësuar nga Qeveria aktuale.
“Mendoj se duhet të vendosim në njërën prej listave të shohim se cila listë është me gjithëpërfshirëse dhe të shohim se si është renditja, nuk mund t’i votojmë në pako, sepse janë tri lista me të cilat nuk pajtohemi sepse ashtu siç e kemi thënë, të emëruarit politikë nuk është dashur të jenë në lista e personave që do të dëshmojnë”, ka theksuar ajo.
Me këtë qëndrim është pajtuar edhe deputetja e listës “Guxo”, Jeta Statovci.
“Këto situata kanë një proces paraprak që është filluar, ka një shkaktar për ato dorëheqje, nuk mundemi të fokusohemi te pasoja pa e kthyer shkaktarin, ata që kanë pasur përgjegjësi ndër vite. Procesi, nëse ka pasur mangësi ligjore, është e logjikshme të ftohen në intervistim. Vendimet datojnë prej vitit 2011, kështu që mendoj se mund ta bëjmë një fuzionim të listave se çka mund të shtohet e çka të largohet. Duhet kuptuar ku kanë qenë defektet gjatë këtij procesi, kur aludimet thonë se ka pasur parregullsi”, ka deklaruar Statovci.
Pas debatit që rrëshqiti edhe në akuza mes deputetëve të LVV-së e atyre të Partisë Demokratike (PDK), opozita u pajtua që listat të fuzionohen edhe me emrat e propozuar nga LVV-ja. Por deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka theksuar se janë disa zyrtarë që nuk mund të anashkalohen për t’i hetuar pretendimet për shkelje të ministres aktuale.
“Vlerësoj se tri listat pak a shumë i përfshijnë personat e njëjtë. Ashtu siç u tha që të emëruarit politikë kanë të drejtë të shkarkohen, unë nuk pajtohem me këtë, sepse një gjë e tillë nuk është e cekur në ligj. Nëse kjo Qeveri ka dashur që ky të jetë si kusht, që unë plotësisht pajtohem, se nëse janë të emëruar politikë patjetër që Qeveria, e cila vjen, do të duhej që t’i shkarkonte por një gjë e tillë nuk parashihet me ligj. Lista që është përpiluar nga ekspertët unë vlerësoj që është një listë e mirë, mirëpo ka mangësi sepse fusha me të cilën kemi kërkuar që të bëhet hulumtim e që në të njëjtën kohë janë shkarkuar njerëz nga puna pa ndonjë vendim dhe arsyetim, shumë prej këtyre shkarkimeve janë edhe në gjykata. Vlerësoj që duhet patjetër që fillimisht t’i votojmë të tri listat”, ka thënë Musliu-Shoshi, njëherësh iniciuese e themelimit të Komisionit.
“Nuk ka asnjë mënyrë se si nuk mund ta ftojmë Albert Prenkajn, që ka qenë drejtor në MPJ, të gjithë ambasadorët i kanë raportuar në baza javore. Në bazë të nenit 5 të Ligjit për Ministrinë, ajo duhet patjetër të ketë drejtor, por Qeveria aktuale e ka përjashtuar nga ministria. Gjykata e ka kthyer në punë, por vendimi nuk respektohet”, ka shtuar ajo, teksa e ka akuzuar Qeverinë se nuk i jep “pesë pare pse e shkel ligjin”.
Në këtë Musliu-Shoshit i ka reaguar deputetja e LVV-së, Arbëresha Kryeziu, e cila theksoi se “deputetja Musliu është në siklet të madh”.
E deputetja e Lidhjes Demokratike (LDK), Rrezarta Krasniqi, ka insistuar që periudha kohore e hetimit të jetë ajo mes viteve 2021 e 2023.
“Nëse nisemi prej asaj se çka kemi votuar si komision, i bie se hetimi duhet të zhvillohet prej vitit 2021-2023. Nëse i shohim në lista janë disa persona 2011-2018, të cilët nuk është se nuk janë të rëndësishëm për t’i thirrur, por fillimisht duhet të thirrën siç ka qenë zotëri Behar Isma, ish-diplomat dhe të tjerët, përfshirë Enver Hoxhajn dhe të gjithë. Ne nuk duhet të shkelim atë që kemi votuar në seancë, pasi sot kemi lista për t’i ftuar njerëz në vitet 2011-2018”, ka deklaruar ajo.
Pasi është arritur pajtimi që tri listat të fuzionohen, mospajtimet vijuan për renditjen e të intervistuarve, duke bërë që mbledhja të përfundojë pa vendimmarrje.
Sipas propozimit për themelimin e Komisionit, ai do të hetojë procesin vendimmarrës të MPJD-së në raport me zbatimin e procedurave ligjore lidhur me marrëdhënien e punës së anëtarëve të shërbimit të jashtëm dhe zyrtarëve të ministrisë, duke përfshirë procedurat e rekrutimit, emërimet e stafit, transferimet, gradimet, angazhimet e përkohshme për punë dhe detyra specifike përgjatë mandatit të deritashëm të kësaj qeverie, nga dita e themelimit të saj më 22 mars 2021 e deri në datën e themelimit të këtij komisioni.