LAJMET E MBRËMJES

Aktakuzë për mashtrim ndërtuesit të projektit madhor në Rrugën A

Aktakuzë ka ngritur të enjten Prokuroria Themelore në Pejë kundër kompanisë “Sallahu”, pronarit të saj, Lulëzim Sallahu, si dhe zyrtarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebi Luzha, në lidhje me kontratën për sanimin e rrugës Pejë-Rugovë. Sipas Prokurorisë, dyshimet janë që në tenderin për këtë rrugë janë keqpërdorur rreth 200 mijë euro. Kompania “Sallahu” ka fituar edhe kontratën për ndërtimin e Rrugës A në Prishtinë

Problemet që e kanë shoqëruar projektin e vitit 2021 për sanimin e rrugës Pejë-Rugovë janë finalizuar të enjten me aktakuzë të ngritur kundër kompanisë që e pati fituar kontratën, “Sallahu” ShPK, pronarit të saj, Lulëzim Sallahu, si dhe zyrtarit të i Ministrisë së Infrastrukturës e menaxherit të kontratës, Nebi Luzha.

Sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, dyshimet janë që në këtë tender janë keqpërdorur rreth 200 mijë euro. E vlera e krejt tenderit ka qenë mbi 600 mijë euro.

“Sipas aktakuzës, N.L. në cilësinë e personit zyrtar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), si menaxher i kontratës për mbikëqyrjen e punimeve për rehabilitimin e rrugës nacionale N9, segmenti Pejë-Kuqishtë-Çakorr, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, duke i mundësuar të pandehurit L.S., pronarit dhe personit përgjegjës të operatorit ekonomik ‘Sallahu’ SHPK, në mënyrë të kundërligjshme ka aprovuar  pagesat, ku diferenca mes punëve të paguara dhe atyre të pranueshme është 196,234.21 euro, kështu duke  e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovë në shumën e lartcekur”, është bërë e ditur në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Pejë.

Kompania “Sallahu” ka në realizim projekte të ndryshme kapitale. Një nga projektet më të mëdha, të cilat ajo është duke i realizuar, është ai i ndërtimit të Rrugës A në Prishtinë.

“I pandehuri, L.S., pronar i operatorit ekonomik ‘Sallahu’ ShPK sipas aktakuzës, në cilësinë e punës kryesit lidhur me kontratën për rehabilitimin e rrugës nacionale N9 segmenti Pejë-Kuqishtë-Çakorr, duke shkelur nenin 65 të Ligjit mbi Prokurimin Publik, nuk i ka zbatuar detyrimet që dalin nga kontrata e prokurimit publik, kontratë kjo e lidhur mes operatorit ekonomik ‘Sallahu’ SHPK dhe autoritetit kontraktues MMPHI me datën 29.11.2021, dhe duke mos përfillur paramasat e kësaj kontrate, me dashje dhe pa të drejtë me datën 05.05.2022 ka kërkuar nga MMPHI që t’i paguhet shuma e parave, ku shuma e përfitimit të kundërligjshëm sipas plotësimit të ekspertizës së ekspertëve gjyqësor të datës 07.05.2024 është 196,234.21 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

KOHA vitin e shkuar pati raportuar për problemet që e kanë përcjellë këtë projekt.

Pagesa për punë të papërfunduara në rrugën që lidh Pejën me Kuqishtën e Çakorrin kishte konstatuar edhe një komision i Ministrisë së Infrastrukturës. Krahas vonesës në zbatimin e kontratës prej 650 mijë eurosh, vërejtjet i referohen edhe cilësisë së punëve. 

Kompania e përzgjedhur për këtë projekt “Sallahu” i pati quajtur të rreme gjetjet e Komisionit. Pas ngritjes së aktakuzës, KOHA ka dërguar pyetje në këtë kompani, porse nuk ka marrë përgjigje.

Te kjo kompani, pronari e ish-pronari kanë edhe lënde të tjera aktive për mashtrim në prokurim publik.