LAJMET E MBRËMJES

Aksiq dënohet me 15 vjet burgim për krime lufte ndaj popullatës civile shqiptare

I akuzuari në mungesë, Çedomir Aksiq, është dënuar të enjten me 15 vjet burgim për krime lufte. Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin e parë për krime lufte në mungesë të të akuzuarit, sipas të cilit ai është dënuar edhe për pjesëmarrje në masakrën e Reçakut më 1999, ku janë vrarë 45 civilë shqiptarë

15 vjet burgim i janë dhënë të enjten të akuzuarit për krime lufte, Çedomir Aksiq. 

Ky është aktgjykimi i parë në mungesë për krime lufte, të cilin e ka shpallur Gjykata Themelore në Prishtinë qëkur ka hyrë në fuqi Kodi i Procedurës Penale në vitin 2022, që e mundëson këtë lloj gjykimi. 

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, ka thënë në seancën e së enjtes se Aksiqi, si pjesëtar i forcave serbe, ndër të tjera, ka marrë pjesë në vrasje dhe në dëbim të popullatës civile shqiptare. 

“Në periudhën kohore nga muaji janar në maj të ’99-s, në bashkëkryerje me persona të tjerë tani për tani të paidentifikuar, të organizuar, të veshur me uniforma policore e ushtarake, ka shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integritetit trupor ose të shëndetit, frikësim ndaj popullatës së pambrojtur civile, vrasje, urdhërim për zhvendosje të popullatës civile për shkak që lidhet me konflikt të luftës drejtuar me qëllim ndaj popullsisë civile dhe ndaj individëve të veçantë civilë që marrin pjesë drejtpërdrejt në konflikt apo luftë”, ka thënë ajo në argumentimin e dënimit të shqiptuar.  

Aksiqi është dënuar edhe për pjesëmarrje në masakrën e Reçakut, ku u patën vrarë 45 civilë shqiptarë.

“Më datën 15 janar të vitit 1999 në fshatin Reçak, Komuna e Shtimes, në bashkëkryerje me persona të tjerë ka marrë pjesë në vrasjen e Hajriz Brahimit, Haki Muratit, Sadri Muratit, Arif Muratit, Ahmet Mustafës, Sadik Mujotës, Skender Halilit, Hanumshahe Mujotës dhe Mehmet Mustafës në atë mënyrë që derisa kishte filluar sulmet e armatosura në drejtim të popullsisë shqiptare civile dhe derisa i moshuari Hajriz Brahimi, tani i ndjerë, kishte filluar të largohej nga shtëpia e tij në drejtim të malit, papritmas i pandehuri me grupin e tij ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij dhe është goditur menjëherë, ashtu që pas disa sekondash ka rënë në tokë i vdekur”, ka theksuar kryetarja e trupit gjykues.  

Gjykata ka konstatuar po ashtu se eksplozivi dhe municioni që janë vendosur në shtëpinë e Aksiqit janë bërë për dëmtimin e shtëpive të Ruzhdi Jasharit, Sadri Jasharit, Rexhep Jasharit dhe Avdi Jasharit, me ç’rast civilëve të Shtimes u janë shkaktuar 300.000 euro dëm. 

Aktgjykimi mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit. E të akuzuarit, në rast se bëhet i qasshëm për organet e drejtësisë, i garantohet e drejta që rasti të gjykohet nga fillimi, në qoftë se ai e parashtron këtë kërkesë.