LAJMET E MBRËMJES

Akreditohen 2.274 vëzhgues nga 4 parti politike, LVV-ja e PDK-ja kërkojnë zgjatje të afatit

Mbledhja e KQZ-se

Foto: Driton Paçarada

Përfaqësues të Vetëvendosjes dhe të Partisë Demokratike në KQZ kanë kërkuar zgjatjen e afatit për akreditimin e vëzhguesve nga subjektet politike, i cili përfundon më 15 janar. Por kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se koha për akreditim përcaktohet me ligj dhe se nuk mund të zgjatet. E në mbledhjen e së hënës, KQZ-ja akreditoi 2.274 vëzhgues, prej të cilëve 1.725 nga Lidhja Demokratike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e së hënës ka akredituar 2.274 vëzhgues nga 4 parti për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. 

95 nga ta janë të Partisë Demokratike, 1.725 të Lidhjes Demokratike, 234 të koalicionit Vakat, kurse 220 të “Demoktratska Stranka”. 

Përfaqësues të Vetëvendosjes dhe të PDK-së në KQZ, kërkuan zgjatjen e afatit për akreditim, i cili përfundon pas dy ditësh.

“Në qoftë se ka mundësi që të zgjatet afati apo të u jepet një mundësi partive politike për të bërë plotësime brenda vëzhguesve unë jam darkord. E di që ligji i përcakton afatet edhe për subjektet politike edhe për organizatat joqeveritare, por ta keni parasysh çështjen e sfidimit”, ka thënë anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani. 

Mirëpo, sipas kryetarit të Komisionit, kjo do të përbënte shkelje të ligjit.

“Përkundër të gjitha mendimeve të juaja, mendoj që është shkelje e ligjit nëse e shkurtojmë afatin siç e përcakton ligji vetë. Në realitet e shkurtojmë këtë 25 ditshin siç e kërkon ligji dhe kjo është dispozitë ligjore dhe nuk  është rregull e KQZ-së. Unë nuk mund ta përkrah, ju e keni të drejtën e votës”, tha Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ-së.  

E Sami Kurteshi, anëtar i komisionit nga Vetëvendosje, tha se ligji bën edhe të shkelet në këtë rast.

“Në këtë rast nuk po kërkojmë, unë së paku, kërkesa ime nuk përmbante ndonjë element të diskriminimit ndaj një subjekti. E dyta, po mund të shkelet ligji por kjo shkelje e ligjit  nuk e diskriminon askënd”, tha Kurteshi. 

Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike të certifikuara përfundon më 15 janar, për organizata joqeveritare vendore më 25 të këtij muaji, derisa për media më 4 shkurt.