Me telashe e vështirësi u përballën edhe mërgimtarët që kishin nxjerrë biletat për kthim me aeroplan. Si pasojë e mjegullës së dendur 38 fluturime u anuluan të mërkurën e katër gjatë së enjtes. Në aeroport thanë se kjo ndodhi si pasojë e dukshmërisë së kufizuar, ndërkaq ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu që dy javë më parë prezantoi investimet në sistemin e avancuar të aterimit, i bëri fajtor pilotët për mungesë certifikimi për ta përdorur këtë sistem
Dhjetëra pasagjerë janë detyruar që të enjten të presin për orë të tëra në hollin e Aeroportit të Prishtinës për ta siguruar udhëtimin në destinacionet e synuara, pas anulimit të katër fluturimeve gjatë së enjtes.
Një mërgimtar nga Gjakova u ankua se të enjten është dashur ta blejë një biletë të re aeroplani, pasi ajo e mëparshmja i është bërë e pavlefshme sherri i anulimit të fluturimit të tij për në Gjermani të mërkurën.
E thotë se as fluturimin, me gjithë biletën e re, nuk e ka të sigurt as tani.
“Ne e kemi pas mbrëmë fluturimin në ora 9, s’ka fluturu. Edhe sot nuk kemi informacione. Kanë thanë kah ora 12 e mbrapa ju çojmë email, ju informojmë e për deri tash nuk ka informata kurrfarë.... Kam ardhë ma herët se e kam përcjell dikë edhe tash e nxjerra një biletë tjetër me një kompani tjetër, ishalla do Zoti e fluturojmë në 5:30. Edhe ajo tash, a na i kthejnë paret a s’na kthejnë se di, kryesorja me mujt me shku”, ka thënë mërgimtari.
Moti me mjegull është kualifikuar si shkaktar për mosrealizimin e riorientimin në shtete fqinje të 42 fluturimeve brenda dy ditësh.
Zëdhënësja e aeroportit “Adem Jashari”, Valentina Gara, bëri të ditur se shkak i anulimeve ka qenë dukshmëria e kufizuar.
“38 fluturime janë anuluar ditën e djeshme. Nga to disa janë divertuar në aeroportet fqinje. Sot janë anuluar 4 fluturime deri më tani. Dukshmëria ka qenë nën 50 metra, prandaj është pamundësuar realizimi i fluturimeve”, ka thënë ajo.
Por ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, për 12 fluturime të anuluara i ka fajësuar pilotët, për të cilët tha se nuk kanë qenë të certifikuar për manovrim me sistemin që e mundëson aterrim edhe në kushte me mjegull.
“Aeroporti i Prishtinës është në shërbim gjatë tërë kohës, pasi ka të instaluar dhe funksional sistemin e avancuar të aterimit ILS CAT IIIb, i cili mundëson aterime edhe në kushte të mjegullës së dendur, deri në dukshmëri minimale prej 50 metrash. Fluturimet me pilotë të certifikuar për përdorimin e këtij sistemi kanë ateruar me sukses, ndërsa ato fluturime pa certifikimin e nevojshëm janë anuluar ose devijuar. 46 ardhje-shkuarje janë realizuar me sukses, ndërsa 12 janë anuluar në ardhje”, ka thënë Aliu.
E pak ditë më parë, ministri Aliu pati shkruar në Facebook se falë investimeve të Qeverisë në sistemin e avancuar të aterimit, ditët kur fluturimet anulohen shkaku i motit të keq e me mjegull do të mbesin në histori.