Me homazhe është nderuar ish-presidenti Ibrahim Rugova në 18-vjetorin e vdekjes së tij. Rugova është vlerësuar për ndërtimin e aleancave, e është quajtur arkitekt i pavarësisë.
Në 18-vjetorin e vdekjes është përkujtuar ish-presidenti Ibrahim Rugova.
Pranë varrit të tij bënë homazhe presidentja, krerët e institucioneve e drejtues të ish-partisë së tij.
Presidentja Vjosa Osmani tha se ish-presidenti Rugova në një kohë të vështirë ka ndërtuar aleanca që ende i duhen Kosovës.
“Sot e përjetë do t’i ruajmë këto aleanca që do të na ndihmojnë që të ecnim përpara drejt realizimit të plotë të vizionit të presidentit historik për një Kosovës të pavarur, sovrane, të integruar në BE e në NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA-në”, tha Osmani.
Kryeministri Albin Kurti, pasi ka bërë homazhe, ka vizituar familjen e ish-presidentit Ibrahim Rugova. E ka njoftuar se së shpejti do të nisin punimet për restaurimin e Rezidencës së tyre.
“Si shkrimtar shqiptar dhe si kritik letrar, presidenti historik Ibrahim Rugova e kuptonte si rrallë kush tjetër ndërlidhjen e përfaqësimit politik me kulturën popullore dhe kjo ishte tejet e vlefshme për rezistencën paqësore gjatë viteve të 90-ta”, tha Kurti
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pasi bëri homazhe, tha se ish-presidenti Rugova ishte prijës nacional i Lëvizjes më të madhe shqiptare për liri e pavarësi.
“Ishte prijës i popullit të Kosovës në përpjekje sublime për shtet e pavarësi. E formësoi këtë shtet në përmbajtje dhe në forme dhe krijoi unitet nacional, krijoi mbështetje ndërkombëtare në këtë rrugëtim historik të popullit të Kosovës”, tha Abdixhiku.
Rugova u përkujtua edhe nga liderët opozitarë.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se vepra intelektuale dhe politike e tij ka lënë gjurmë drejt arritjes së qëllimeve për liri dhe pavarësi.
E kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, tha se ish-presidenti Rugova me drejtësinë dhe vendosmërinë e tij, ndërtoi një lidhje të ngushtë me Perëndimin.
Në 18-vjetorin e vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, Fondacioni që mban edhe emrin e tij, promovoi librin “Pushteti dhe intelektualët”. Në organizim morën pjesë familjarë si dhe figura të shumta publike nga partia që themeloi vetë Rugova.
Ish-presidenti Ibrahim Rugova, vdiq më 21 janar të vitit 2006.