Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka refuzuar ftesën e kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, për t’u konsultuar në lidhje me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Në përgjigjen e Abdixhikut publikuar pasditen e së martës, Kurtit i është përmendur gjuha e përdorur para, gjatë dhe pas fushatës ndaj LDK-së
Gjuha e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka pamundësuar bashkëpunimin e mundshëm në mes të këtyre dy taborëve politikë, për formimin e Qeverisë së re.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të martën ka refuzuar ftesën për takim konsultativ, të ftuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë.
Në një përgjigje me shkrim, postuar në rrjetet sociale, pas takimit me nënkryetarët e LDK-së, Abdixhiku ka shkruar se pranimi i ftesës nga Kurti pas gjuhës së tij të përdorur para, gjatë e pas fushatës “do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik”.
“Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim. Sepse fjalët, si edhe bindjet, kanë peshë. Fjalët e thëna ndaj nesh kanë peshë. Dhe fjalët tona – ato që ua kemi dhënë qytetarëve tanë, atyre që nuk joshen nga spektakli i përçarjes, por që besojnë se shteti ndërtohet me respekt e dinjitet – kanë peshën e fjalës së dhënë. Peshën e besës. Besë do të ketë!”, ka shkruar Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se LDK-ja do t’iu qëndrojë prapa qëndrimeve të dhëna edhe karshi subjekteve të tjera politike derisa ka thënë se nuk do të pengojë konstituimin e Kuvendit.
“LDK e pret dhe e mbështet konstituimin e Kuvendit më 15 prill. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pengesë. Prandaj, le ta konstatojmë Kuvendin e Republikës. LDK njeh të drejtën legjitime, demokratike dhe kushtetuese të partisë së parë për të marrë mandatin për qeverisje. Dhe në rast të dështimit të saj, njeh të drejtën e secilit për të ndërtuar shumicën. Qëndrimet tona janë të qarta”, ka shkruar ai.
Në mungesë të votave të mjaftueshme për formimin e Qeverisë, të dielën kryetari i Vetëvendosje, Albin Kurti, i është drejtuar Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kryetarin e saj e ka ftuar për takim, derisa ka ofruar tri orare eventuale për të mërkurën e të enjten.
Pa mbështetjen e komuniteteve joserbe, Lëvizja Vetëvendosje ka të siguruara 48 ulëse, vota këto të pamjaftueshme për konstituimin e Kuvendit dhe votimin e qeverisë së re.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Vetëvendosje fitoi 48 ulëse në Kuvend, PDK-ja 24, LDK-ja 20 dhe AAK-ja 8. 20 vendet e tjera janë të rezervuara për komunitetet joshumicë.