Shefi i deputetëve të AAK-së ka deklaruar se Qeveria e ka tradhtuar besimin e qytetarëve, duke e kryer minimalisht punën me projektligjet e parapara në program legjislativ. Ai ka përmendur ligje të shumta, siç janë ato për sigurime shëndetësore e banim social, që kanë qenë në plan legjislativ, por nuk janë dërguar në Kuvend. Sipas tij, vetëm 11.11 për qind e projektligjeve janë dërguar në Kuvend në përputhje me planin legjislativ
“Platforma “Krejt dhe drejt” është dështimi më i madh në historinë e Kosovë”, ka thënë deputeti i AAK-së, Besnik Tahiti, të dielën në një konferencë për media.
Ai e ka akuzuar pushtetin për dështime në agjendën legjislative.
Sipas tij, vetëm 6 prej 54 projektligjeve që Qeveria i ka paraparë të kalonin në Kuvend në përputhje me agjendën legjislative, janë përfunduar.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, ka deklaruar po ashtu se nuk kanë kaluar projektligje me rëndësi, teksa e ka akuzuar pushtetin për mospunë. Sipas tij, shumë prej projektligjeve pushteti as që i ka dërguar në Kuvend për votim.
“Në periudhën janar-qershor janë paraparë 54 ligje. Prej tyre të miratuara i kemi 6 apo 11.11 për qind të programit. Projektligje të miratuara në lexim të parë, 3 apo vetëm 5.5 për qind të programit, projektligjet e proceduara në Kuvend vetëm 1 apo 1.85 për qind e programit dhe projektligjet që nuk e nisur procedurën 44 apo 84.48 për qind”, ka thënë Tahiri.
Ai ka thënë se Qeveria nuk mund ta fajësojë opozitën pse nuk e ka përfunduar Ligjin për banimin social, atë për sigurime shëndetësore, për sigurinë dhe shëndetin në punë, për personat me aftësi të kufizuara e as për shërbimin e jashtëm.
“Ne duhet të pyesim Qeverinë dhe kryeministrin, t’i themi, më fal, kush të pengoi ta bësh ligjin për sigurimet shëndetësore qe tre vjet e gjysmë, kush të pengoi ta bësh reformën në sektorin publik, kush të pengoi ta kryesh rrugën Prishtinë-Podujevë, kush të pengoi ta përfundosh rrugën Prishtinë-Gjakovë. Është dështim dhe është mashtrim”, ka deklaruar ai.
Ai është shprehur se përgjegjësia është e Qeverisë dhe e partisë në pushtet – Vetëvendosje, që të punojnë në kalimin e projektligjeve.
Ka theksuar se plani legjislativ dhe realizimi i tij janë pasqyrë apo siç tha, letërnjoftim i cilësdo Qeveri.