LAJMET E MBRËMJES

900 mijë qytetarë të regjistruar deri tash, ata të veriut po hezitojnë

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka njoftuar se procesi i regjistrimit të popullsisë po ecën sipas planifikimeve. Zyrtarët e saj u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve, e veçanërisht banorëve të komunitetit serb në katër komunat veriore që t’i përgjigjen regjistrimit me arsyetimin se është në të mirën e tyre dhe të komunave ku jetojnë

Për gati katër javë, janë regjistruar mbi 900 mijë qytetarë në Kosovë, kanë njoftuar të hënën zyrtarë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës. 

Në një konferencë për media, zyrtarë të ASK-së, kanë thënë se problem paraqitet veriu, i banuar me shumicë serbe, pasi qytetarët janë duke hezituar që të marrin pjesë në këtë proces.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, ka thënë se Lista Serbe në mënyrë të jashtëligjshme po i nxit qytetarët serbë që të mos marrin pjesë në regjistrim.

“Në pjesën veriore në katër komunat në veri ku është komuniteti serb me shumicë, sepse komunitetet e tjera janë duke u regjistruar, në ato komuna jetojnë edhe komunitetet e tjera, ndërsa komuniteti serb ende heziton në mënyrë masive. Ka një regjistrim të ekonomive familjare, por është një regjistrim i vogël në bazë të asaj që ne pretendojmë. Ne kemi pasur diskutime në javën e kaluar me disa institucione ndërkombëtare dhe sigurisht që ata do t’ia transmetojnë komunitetit serb se çfarë ne ia kemi transmetuar komunitetit serb në veri, sepse ata duhet ta dinë se është një e mirë edhe për ata për ta ditur numrin e tyre që jetojnë në ato komuna”, ka thënë Kastrati.

Sipas tij, ekzistojnë ekipe rezervë dhe ekipe mobile të cilat do të angazhohen që procesi të përfundojë me kohë.

“Tani një thirrje publike për qytetarët, nëse regjistruesi apo regjistruesja nuk vjen te ju ditëve të fundit, ata duhet të jenë vetë aktivë dhe të kontaktojnë komunën e tyre se është një numër i telefonit i zyrtarëve komunalë që ata e angazhojnë një ekip tjetër apo rezervë”, ka shtuar Kastrati.
Kastrati i ka bërë thirrje komunitetit serb dhe të gjithë atyre që janë rezidentë në Kosovë që të gjejnë kohë për ta kryer regjistrimin, proces që do të zgjasë deri më 17 maj.
Ky është regjistrimi i dytë i popullsisë pas luftës. I pari është zhvilluar më 2011, kur edhe atë proces e patën bojkotuar banorët serbë në veri.