LAJMET E MBRËMJES

62 vjet burgim 6 të akuzuarve për dhunimin e 11-vjeçares

Është shqiptuar edhe dënimi i dytë, për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë. Pasi në shkurt u shpall dënimi ndaj 4 personave për dhunimin që ndodhi në gusht të 2022-s, për krim të ngjashëm që është kryer në qershor po të atij viti, të martën janë dënuar 6 persona, të cilët Themelorja i ka bërë fajtorë edhe për trafikim të fëmijës

Gjithsej 62 vjet burgim janë shqiptuar të martën ndaj 6 të akuzuarve për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë, në qershor të 2022-s. Aktgjykimi parasheh 12 vjet burgim për njërin të akuzuar e nga 10 për 5 të tjerët.

“Të akuzuarit B.R., D.RR., B.S., M.S., F.S., M.R. janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar nga gjykata, pasi të njëjtit veç e veç kanë kryer veprën penale të Dhunimit, ashtu që i akuzuari B.RR. është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) vjetëve, ndërsa të akuzuarit D.RR., B.S., M.S., F. S. dhe M.R. janë dënuar në kohëzgjatje prej dhjetë (10) vjetësh, secili veç e veç”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Kimete Krasniqi, avokate e vajzës së dhunuar, ka thënë të jetë e lehtësuar me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Në përgjithësi ky proces ka shkuar në mënyrë të rregullt. Nuk ka pasur ndonjë problem që ka mundur ta devijojë rrjedhën e procesit”, ka thënë Krasniqi. “Jemi të kënaqur. Besoj që ka qenë dënim meritor”.

Ndërkaq, Haxhi Millaku, avokat i njërit prej të akuzuarve, tha se aktgjykimi do të kundërshtohet meqë, sipas tij, në proces nuk është vërtetuar fajësia as për të mbrojturin e tij e as të akuzuarit e tjerë.

“Kemi të bëjmë me një fabrikim komplet, nga fillimi deri në fund, të një situate inekzistente apo thënë me tepër është simulim i vetë organeve të drejtësisë, me të vetmin qëllim që t’i arsyetojë mediumet se ndodhi kjo dhe një grup i personave kanë pasur kontakt me një fëmijë 11-vjeçar”, ka thënë Millaku. “Është skandaloze”.

Në gusht të 2022-s u raportua se 5 persona dhunuan për disa orë 11-vjeçaren. Më pas u zbulua se ajo ishte dhunuar edhe gjatë muajit qershor dhe se rasti ishte denoncuar tek autoritetet.

Avokati i Popullit ka konstatuar se institucionet shtetërore i kanë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të fëmijës, duke dështuar ta mbrojë viktimën. Sipas Avokatit të Popullit, edhe pse ishin të njoftuara për rrezikun e lartë që i kanosej fëmijës në rastin e parë kur është raportuar për trafikim, në kundërshtim me praktikat e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut është vendosur që fëmija të kthehej në shtëpi pa ndërmarrjen e masave të tjera shtesë mbrojtëse.

Mbrojtja iu ofrua, tek pas raportimit të rastit të dytë.

“Viktima momentalisht është në strehimore që nga momenti kur ka ndodhur rasti. Normalisht, gjendja e saj është jo e kënaqshme, por ajo është duke u trajtuar nga institucionet përkatëse”, ka thënë avokatja Kimete Krasniqi.

Në shkurt të këtij viti, Themelorja në Prishtinë e ka shpallur edhe aktgjykimin për trafikim dhe dhunim të së njëjtës viktimë, e që ka ndodhur gjatë gushtit 2022. Për këtë rast e ka dënuar Ekrem Rexhepin me 15 vjet burgim, si dhe një të mitur me 9 vjet burgim e dy të tjerë me nga 8 vjet burgim secili. Një të akuzuar e ka liruar nga akuza, por Apeli e ka kthyer në rigjykim.