Presidentja Vjosa Osmani e përfaqësues të tjerë institucionalë e partiakë kanë përkujtuar të hënën 26-vjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s. E fushatën ajrore ndaj caqeve serbe, ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, e ka konsideruar si të paalternativë
Të hënën janë mbushur 26 vjet nga nisja e bombardimet ajrore të NATO-s mbi caqet e ushtrisë e policisë serbe, si kundërpërgjigje ndaj mizorive që Serbia i kryente atëkohë në Kosovë.
Ndërhyrja e aleancës veri-atlantike ndodhi pas refuzimit të ish-presidentit të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, për të nënshkruar marrëveshjen e propozuar nga bashkësia ndërkombëtare, gjatë Konferencës së Rambuillet.
Kur janë bërë 26 vjet pas, zëdhënësi i asaj kohe i NATO-s, Jamie Shea, vendimin e konsideron si më të mirin të ndërmarrë nga aleanca.
“Të përfshihesh në një luftë është një kohë ankthi për të gjithë. Por nga ana tjetër, ndjenja ime kryesore ishte se nuk kishte alternativë. NATO kishte investuar shumë në besueshmërinë e saj për të qenë e gatshme të përdorë forcën nëse kishte një arsye të mirë dhe ishte absolutisht e nevojshme. Aleatët ishin të bashkuar sepse, sigurisht, ai vendim duhej të merrej me konsensus”, ka thënë ai.
Shea ka treguar edhe për shqetësimet që i ka ndier atëherë.
“Ishte një moment që të bënte të mendoheshe. Sa do të zgjaste? A do të ishte e suksesshme NATO? Po, strategjikisht, por sa javë? Çfarë mund të kishte në terren në ndërkohë? Cila do të ishte siguria e popullit të Kosovës? Këto ishin të gjitha gjëra shumë shqetësuese. Të përfshihesh në një luftë është një kohë ankthi për të gjithë. Por nga ana tjetër, ndjenja ime kryesore ishte se nuk kishte alternativë. NATO kishte investuar shumë në besueshmërinë e saj për të qenë e gatshme të përdorë forcën nëse kishte një arsye të mirë dhe ishte absolutisht e nevojshme”, ka thënë për KSP ish-zëdhënësi i NATO-s.
E presidentja Vjosa Osmani 24 marsin e 1999-s e ka cilësuar si ditën kur bota demokratike nuk heshti më.
“Dita kur aleatët e NATO-s u ngritën kundër së keqes, për ta mbrojtur një popull që po luftonte për ekzistencë, i rrezikuar nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Ishte dita kur ndaj errësirës triumfoi drita e shpresës. Nga flaka e sakrificës dhe lufta çlirimtare, lindi Kosova e lirë! 26 vjet më pas, Kosova ecën krenare, sovrane dhe e palëkundur drejt të ardhmes më të ndritur”, ka shkruar Osmani.
E ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se me intervenimin e saj, NATO-ja ka përmbushur qëllimin e saj të ekzistencës.
“Lufta e UÇK-së dhe intervenimi i NATO-s, 26 vite më parë, ishte e vetmja formë që arriti t’i jepte fund spastrimit etnik të Kosovës, të ndërpriste vrasjet e fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimet sistematike, përndjekjet, djegiet e dëbimet me dhunë dhe me forcë, prandaj 24 marsi është rreshtim jo vetëm me popullin e Kosovën por rreshtim edhe me anën e duhur të historisë së njerëzimit si veprim në mbështetje të vlerave të civilizimit perëndimor, paqes, lirisë dhe demokracisë”, ka thënë ministri Maqedonci.
Më 18 mars 1999, përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës dhe diplomatët perëndimorë nënshkruan Marrëveshjen e Rambuillet, e që u refuzua nga Serbia.
Bombardimet që zgjatën 78 ditë, bënë që Serbia të zmbrapsej, duke pranuar ta nënshkruante Marrëveshjen e Kumanovës me NATO-n, pas së cilës forcat serbe u tërhoqën nga Kosova.