Beteja e Koshares është përkujtuar të mërkurën, me rastin e shënimit të 26-vjetorit të zhvillimit të saj. Krahas familjarëve të dëshmorëve dhe qytetarëve të shumtë, për shënimin e këtij përvjetori në Koshare kanë bërë nderime edhe përfaqësues të shtetit dhe liderë politikë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka përshkruar vizitën në Koshare si rikujtim të asaj se sa e lartë dhe e lavdishme ka qenë lufta e UÇK-së dhe sa i lartë ka qenë çmimi për lirinë. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e kualifikoi fitoren në Koshare si dritën e parë të triumfit mbi Serbinë, ndërsa ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosharja është shembulli më i qartë se si arrihet deri te liria
“E pritëm të gjallë, por nuk erdhi”. Me këto fjalë Velime Kryeziu e përshkruan pritjen e përditshme që bashkëshorti i saj, Imeri, i cili ka rënë dëshmor më 9 prill të 1999-s në Betejën e Koshares, të tokasë në dyert e shtëpisë së tyre.
I gatshëm për t’u rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Imer Kryeziu pati lënë 12 fëmijë në shtëpi, është bërë pjesë e një operacioni që ka ngjarë i suksesshëm dhe ka thyer kufirin shqiptaro-shqiptar.
“Prit që po vjen, hiç! Prit që po vjen, hiç! Me një tubë fëmijë, 12 fëmijë i kam pasur, ky i la ata 12 fëmijë edhe erdhi këtu”, tregon Velime Kryeziu, 26 vjet pasi që e humbi bashkëshortin.
Imeri ka qenë në mesin e 114 dëshmorëve të Brigadës 138 të UÇK-së, të cilët janë vrarë nga forcat serbe. Bashkë me të pati rënë dëshmor edhe Harun Beka.
Motra e tij, Naile Beka-Avdyli, tregon se Haruni, pas një qëndrimi të gjatë në mërgim, është kthyer në Kosovë i prirë nga dëshira për ta çliruar atdheun.
“42-43 vjet ka jetuar në Gjermani dhe 17 vjet nuk ka ardhur në Kosovë për shkak të çështjes së Serbisë, kemi qenë të përndjekur prej tyre. Deri kur është ardhur me rënien e Koshares nuk e kemi parë”, ka rrëfyer ajo.
Me gjithë dhimbjen, familjarët e të rënëve janë shprehur krenarë për sakrificën që ata e kanë bërë në Koshare, beteja e së cilës është kualifikuar simbol i këmbënguljes për liri.
“Në momentin e fundit kur jam përshëndetur me axhën, kam qenë shumë e vogël dhe ka qenë shumë vështirë, se në atë kohë nuk e kam kuptuar që nuk kthehet më, ani pse më ka premtuar se do të kthehet. Ka qenë shumë e vështirë, por jam krenare me veprën e tij që ka luftuar për liri”, është shprehur Zyla Hasani, mbesë e dëshmorit Azem Thaçi.
Beteja e Koshares është përkujtuar të mërkurën, me rastin e shënimit të 26-vjetorit të zhvillimit të saj.
Krahas familjarëve të dëshmorëve dhe qytetarëve të shumtë, për shënimin e këtij përvjetori në Koshare kanë bërë nderime edhe përfaqësues të shtetit dhe liderë politikë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka përshkruar vizitën në Koshare si rikujtim të asaj se sa e lartë dhe e lavdishme ka qenë lufta e UÇK-së dhe sa i lartë ka qenë çmimi për lirinë. Ai ka shtuar se përpjekjeve të UÇK-së për lirinë e Kosovës u janë bashkuar persona edhe nga Evropa, përderisa ka thënë se në krah të Serbisë asokohe janë rreshtuar mercenarë rusë.
“26 vjet më parë, me betejën e lavdishme të Koshares, UÇK-ja me luftëtarë nga pothuajse të gjitha njësitet e zonave operative të saj e shembi kufirin që ndante shqiptarët, kufirin që ndante Kosovën nga Shqipëria e që ishte i vjetër që nga viti 1913, respektivisht 1918”, ka thënë Kurti.
E kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka theksuar se fitorja në Koshare ka qenë drita e parë e triumfit mbi Serbinë.
“Nderuam një ndër betejat më madhështore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atë të Koshares, 26 vjet më parë. Djemtë dhe vajzat më të mira të vendit nisën thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe me këtë nxitën dritën e parë të triumfit të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, për liri, pavarësi dhe demokraci”, është shprehur ai.
Tek ka thënë se Kosharja është shembulli më i qartë se si arrihet deri te liria, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka theksuar se historia nuk duhet të harrohet.
“Është nder të bashkohemi në vendin ku ruhet historia jonë, ku dëshmohet historia jonë në vendin ku pushojnë heronjtë tanë, të kombit tonë. Të gjithë ju që qëndroni në këtë vend e ndieni se sa e vështirë është rruga jonë e lirisë dhe se si erdhëm këtu”, ka thënë ai.
Në Betejën e Koshares, krahas të vrarëve, janë plagosur edhe mbi 400 ushtarë. Kjo konsiderohet të jetë njëra prej betejave më të mëdha që ka realizuar UÇK-ja gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.