Në mesin e mbi 370 varreve, në Kompleksin e Mejës janë edhe ata të 12 anëtarëve të familjes Isufi, të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Istref Isufit ia masakruan prindërit dhe pesë vëllezërit, njëri prej të cilëve vetëm 11- vjeçar.
Tek thotë se institucionet dështuan për t’u ofruar drejtësi, e potencon se për 23 vjet ndihmë s’i ofroi askush.
“Vetëm i falënderoj vëllezërit që më kanë ndihmuar se unë qe 23 vjet nuk e kam pasur asnjë ndihmë nga shteti kurrë. As nuk janë ardhur te dera me më pyet nëse kam çfarë të ha... Duhet me ardhur të paktën me na vizituar, me thënë ‘Qysh po jetoni, a po mundeni me jetuar’. Këta janë t’u këqyrë vetëm me vjedhë për vete, asgjë më shumë”, u shpreh Isufi.
Viktimë e masakrës së Mejës ishte edhe i biri i Fatime Hykoshmanit.
Dhimbja për të vazhdon të jetë e madhe, teksa flet për momentet e fundit me djalin e saj.
“I kanë vrarë të tërë edhe i kanë lënë ‘krye e krye’ e na kanë qitur në Shqipëri edhe na kanë dhënë nga një kafshatë bukë. Edhe s’kemi ditur send, nuk kemi ditur as për djalë e as për çikë... Po e përballoj mërzinë, me qenë unë e vdekur e me pa me sy se më ka shkuar ‘gjallë e për gazep’ pa e parë me sy”, deklaroi Fatime Hykoshmani.
Edhe 23 vjet pas masakrës së Mejës, kërkesë e familjarëve të 376 të vrarëve ishte vënia në vend e drejtësisë e dënimi i kryerësve.
Prokuroria Speciale, në një përgjigje për KOHËN, ka bërë të ditur se ka nisur hetimet për këtë masakër e se janë identifikuar disa persona si kryerës direkt të krimit.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka hapur hetim për masakrën e Mejës. Gjatë zhvillimit të hetimeve janë mbledhur provat nga terreni, janë siguruar të dhëna për viktimat e këtij krimi, si dhe janë dëgjuar shumë dëshmitarë. Po ashtu, lidhur me këtë rast janë identifikuar disa persona si kryerës direkt të krimit, si dhe ata që e urdhëruan këtë krim. Andaj, në interes të hetimit të mëtutjeshëm të rastit në këtë fazë nuk mund të japim më shumë informata”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Megjithëse në PSRK thanë se janë dëgjuar shumë dëshmitarë për këtë masakër, familjarë të viktimave e dëshmitarë ngulmuan se brenda dy dekadash askush nuk u interesua për këtë.
“Për 23 vjet, ende drejtësia nuk ka trokitur në këto dyer, i shihni këto varre kërkojnë drejtësi, kërkohet edhe nga institucionet tona, po edhe ato ndërkombëtare, kërkohet që sa më shpejt kryerësit e kësaj vepre makabre të vihen para gjyqit... Shumë pak i është kushtuar hetim kësaj ngjarjeje, edhe pse është ndër ngjarjet e masakrat më të rënda që ka ndodhur në Kosovë”, tha Hysni Curri, familjar i viktimave të maskarës.
Mëngjesin e 27 prillit të vitit 1999, forcat serbe në Mejë ekzekutuan 376 persona, nga 15 fshatra të rrethit të Gjakovës.
Në Kompleksin Memorial në Mejë homazhe bënë edhe krerë institucionalë e partish politike, të cilët thanë se Meja është dhimbja më e madhe e Kosovës. Thirrje bënë edhe për drejtësi.