Aktgjykim dënues ka shpallur Gjykata Themelore në Prishtinë për dy të rinjtë të akuzuar për vrasjen brutale të 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu, në janar të këtij viti, në Podujevë. Njëri nga të dyshuarit u dënua me 10 vjet burgim e tjetri me 9. Familjarët u shprehën të pakënaqur me aktgjykimin dhe paralajmëruan ankesë në Apel
Dhjetë vjet burgim për njërin e 9 për tjetrin u ka shqiptuar Gjykata Themelore në Prishtinë dy të rinjve të akuzuar për vrasjen e Lulzim Fejzullahut, 18-vjeçar.
Ai u vra në janar të këtij viti nga dy bashkëmoshatarë në Podujevë.
Rrahim Fejzullahu, xhaxhai i të ndjerit, që njëkohësisht ishte edhe kujdestar i tij, nuk u nda i kënaqur me aktgjykimin. Tha se dënimi nuk ia zbut dhimbjen.
“Unë si axhë i të ndjerit Lulzimit nuk e prita mirë. Për shkak se njëri, siç u deklarua edhe avokati, u dënua me dhjetë vjet, tjetri me nëntë. Lulzimi, i ndjeri, i ka pasur 18 vjet. Kështu që nuk ma plotëson mua zemrën dhe e dyta nuk i besoj kësaj drejtësie, shkurt shqip. Nëse pyesni pse nuk i beson, ky me mbiemër *** i ka pasur edhe 10 vepra më herët, që nuk e di sa janë marrë parasysh. Kështu që mua, me një fjalë, ma ka lënë varrën hapur, shkurt shqip ma ka lënë hapur”, ka thënë Fejzullahu.
Avokati i familjes Fejzullahu, Tomë Gashi, ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit, sapo të marrë vendimin.
“Faktikisht ne mund të paraqesim ankesë sa i përket dënimit të vetëm njërit nga të dënuarit, për atë me dënim prej 9 vjet burg. Ndërsa, për tjetrin nuk mund të paraqesim ankesë për shkak se fatkeqësisht Ligji për të Mitur është kështu. Dënimi maksimal mund të jetë 10 vjet dhe gjykata u ka dhënë 10 vjet burgim apo dërgim në institucionin për të mitur”, ka deklaruar Gashi.
Të dy të dënuarit nga shkalla e parë, në ditën e kryerjes së veprës penale, nuk e kishin mbushur moshën 18-vjeçare.
Për këtë arsye edhe në njoftimin e Gjykatës, të publikuar në Facebook, nuk janë dhënë detaje e as arsyetime mbi vendimin.
“Të miturve në bazë të nenit 366 paragrafi 1, nënparagrafi 3 të KPPRK-së iu vazhdohet masa e paraburgimit, derisa aktgjykimi të marrë formë të prerë. Përfaqësuesi ligjor dhe përfaqësuesi i autorizuar i viktimës, për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohen në kontest civil”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Lulzim Fejzullahu u rrah brutalisht me mjete të forta më 14 janar në Podujevë dhe më 20 janar vdiq në QKUK. Më 1 prill Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e Fejzullahut.
Policia fillimisht e pati raportuar rastin si vrasje në tentativë dhe therje me thikë, e në Emergjencë kanë konstatuar vdekjen e tij si pasojë e lëndimeve në kokën e viktimës.