Zyrtarë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës kanë thënë se deri tash janë regjistruar më shumë se 1.2 milionë banorë. Sipas tyre, në komunat veriore një pjesë e qytetarëve vazhdojnë të refuzojnë të regjistrohen. Ndërkohë, organizata “Fourth Wave” ka organizuar një aksion të martën, nëpërmjet të cilit është bërë e ditur se disa gra regjistruese janë përballur me ngacmime
Një milion e 204 mijë e 560 qytetarë janë regjistruar deri tash në procesin e regjistrimit, që ka filluar më 5 prill. Në një konferencë për media, të martën, ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, ka thënë se ky numër është në kuadër të projeksioneve dhe planit që e kanë bërë.
Megjithëse ka folur për disa lëshime të vogla teknike në proces, por po specifikuar se çka, Kastrati ka thënë se ato nuk paraqesin ndonjë sfidë.
“Në të gjitha komunat e Kosovës ka regjistrim. Të gjitha komunitetet janë duke marrë pjesë. Në disa komuna në veri nga komuniteti serb ka ende një hezitim, por ka edhe një regjistrim në anën tjetër nga ky komunitet në pjesën veriore nga komuniteti serb. Një pjesë e tyre janë duke u regjistruar dhe besojmë këto ditë që kanë mbetur do të regjistrohen një pjesë që kanë shprehur gatishmëri për t’u regjistruar. Po e përsëris ka një hezitim atje nga komuniteti serb, por një pjesë është duke u regjistruar”, ka thënë Avni Kastrati.
Konferenca e Agjencisë së Statistikave të Kosovës është përcjellë me një aksion simbolik nga organizata “Fourth Wave”. Përfaqësues të kësaj organizate kanë thënë se disa regjistruese gra janë përballur me intimidim dhe ngacmim në disa familje kosovare. Nerimane Ferizi ka thënë se ankueset rastet i kanë paraqitur në organizatën e tyre, por jo edhe në polici.
“Disa prej vajzave kanë ardhë në zyrën tonë edhe na kanë treguar që po përballen me intimidim dhe ngacmim. Prandaj sot edhe i bëra ato pyetje. Çka na shqetësoi neve është që zotëria në fjalë që nëse ndihen të kërcënuara munden me marrë babën, vëllain ose motrën, ose dikë tjetër, që ishte dashtë shtet me ua siguru atyre sigurinë brenda këtyre familjeve e jo me familjarët e tyre”, ka deklaruar Nerimane Ferizi.
Por, u.d. i kryeshefit ekzekutiv të ASK-së, Avni Kastrati, ka thënë se zyrtarisht nuk kanë pranuar asnjë ankesë.
“Ne zyrtarisht nuk kemi pasë nga ndonjë regjistrues përmes protokollit që vjen, përmes e-mailit apo mbikëqyrësit të tij/saj, që na vjen këtu. Kam dëgjuar edhe unë kështu, disa po thonë thashetheme, por ne kërkojmë zyrtarisht. Sepse jo të gjithë regjistruesit janë në nivel, por mund të jetë edhe qytetari. Por nuk kemi zyrtarisht ndonjë rast që është lajmëruar te ne”, ka theksuar ai.
Kastrati ka thënë se regjistruesit janë trajnuar dhe për raste të tilla dhe se ata ose ato në këto raste nuk duhet të hyjnë nëpër shtëpi, por duhet ta thërrasin mbikëqyrësin apo edhe ndonjë familjar.
Sipas tij, edhe më 2011 e kanë pasur një ankesë, por që, sipas tij, ishte vërtetuar se regjistruesja kishte pasur për qëllim ta dëmtonte qytetarin dhe se nuk ka pasur ngacmim.
Gjatë konferencës për media, u.d. i kryeshefit ekzekutiv ka bërë të ditur se në disa komuna procesi i regjistrimit ka pasur dinamikë më të madhe.
“Disa komuna gjatë kësaj periudhe kanë qenë shumë aktive edhe kanë zhvilluar të gjitha aktivitetet e nevojshme derisa disa komuna nuk janë angazhuar aq shumë dhe presim që këto ditë edhe ato komuna të jenë shumë më proaktive, sepse siç e thamë regjistrimi domethënë jemi në fazën përfundimtare, edhe dhjetë ditë kanë mbetur në regjistrim dhe besojmë që edhe këto komuna do të jenë aktive gjatë këtyre ditëve sa kanë mbetur”.
Procesi i regjistrimit ka filluar më 5 prill dhe do të përfundojë më 17 maj.