Nisma e pushtetit lokal në Drenas për t’i dhënë në shfrytëzim për 99 vjet edhe rreth 70 prona komunale ka dështuar për të tretën herë. Kundër janë edhe disa asamblistë të PDK-së. E përfaqësues të opozitës thonë se dhënia e këtyre pronave për persona fizikë a juridikë nuk është interesi publik, por shpagimi i borxheve nga zgjedhjet e kaluara që ka kryetari Ramiz Lladrovci
Pushteti në Drenas synon që rreth 70 prona të Komunës t’i japë në shfrytëzim për persona fizikë a juridikë për kohëzgjatje prej 99 vjetësh.
Këtë çështje ekzekutivi i drejtuar nga Ramiz Lladrovci disa herë e ka vënë në rend dite në Kuvendin Komunal, por nuk është votuar, meqë ai nuk e ka mbështetjen as të të gjithë asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës, prej nga vjen edhe kryetari i Komunës.
E, përfaqësues të opozitës kanë thënë se me këtë nismë Lladrovci synon t’i shpaguajë njerëzit që i kanë ndihmuar në zgjedhje për ta siguruar mandatin që po e ushtron.
“Nëse e shikojmë arsyetimin e propozim-vendimit, që na ka ardhë në seancë del që pronat jepen për zhvillim ekonomik, interes të përgjithshëm, për gjenerim të punësimit dhe rritje të vlerës. Në rastin e Drenasit, edhe në pronat paraprake, edhe në pronat që janë tani, edhe në këto që po tentohet me nguti të kalohet si listë e pronave, absolut nuk kemi të bëjmë me këto tendenca apo këto synime”, ka thënë Arbër Halilaj, asamblist i “Green For Drenas”.
Në mesin e pronave komunale që Lladrovci synon t’i japë në shfrytëzim afatgjatë është edhe parcela në qendër të qytetit ku ndodhet ndërtesa e vjetër e Komunës, një pjesë e së cilës aktualisht shfrytëzohet për aktivitete kulturore.
“Këtu mbrapa nesh është objekti i vjetër i Komunës së Drenasit, ku edhe ky është i planifikuar të jepet në shfrytëzim për 99 vjet për ndërtim të lartë. Në këtë objekt gjendet salla e vetme e kulturës që e kemi në qytet, ku të gjitha aktivitetet kulturore, poetike, politike pra të të gjitha natyrave që kanë karakter publik janë mbajtur në këtë sallë të kulturës”, ka thënë asamblistja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Egzona Tërdevci.
Plani parasheh ndërtime të larta në vendin ku ndodhet objekti i vjetër i Komunës. E kryetari Lladrovci tha se 27 për qind e investimit do t’i takojnë Komunës.
Sipas tij, për të gjitha pronat procesin po e zhvillon duke i ndjekur të gjitha ligjet e procedurat relevante.
“Ne kemi dhjetëra prona që kemi paraparë që t’i shpallim për interes të përgjithshëm. Lista paraprake, siç është tani, ne i përzgjedhim disa prona që ne mendojmë që janë në interes për bizneset për t’i dhënë në shfrytëzim deri në 99 vjet. Ligji thotë se prona jepet në shfrytëzim afatgjatë prej 15 vjetësh deri në 99 vjete”, ka thënë kryetari i Komunës së Drenasit, Lladrovci.
Në Kuvendin Komunal të Drenasit, në fillim të javës që shkoi dështoi për herë të tretë miratimi i vendimit për t’i dhënë në shfrytëzim pronat, por iniciativa nuk ka pushuar. Pikat e rendit të ditës janë shtyrë për seancën e radhës.