Lajme

Maloku: Nuk kemi mundur t’i themi ushtarit “të urdhëroj”

Ish-eprori i UÇK-së, Naim Maloku, ka përfunduar dëshminë në Hagë. Edhe në ditën e tretë të dëshmisë, ai ka insistuar se UÇK-ja kishte karakter vullnetar dhe se komandantët nuk jepnin urdhra, por shtronin kërkesa ndaj ushtarëve. Maloku ka ndarë shembuj nga lufta për të ilustruar këtë strukturë të organizimit

Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte ushtri vullnetare dhe komandantët e saj nuk jepnin urdhra, por shtronin kërkesa, ka deklaruar të mërkurën Naim Maloku, ish-anëtar i Drejtorisë Operative të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Maloku për të tretën ditë me radhë ka dëshmuar para Dhomave të Specializuara në Hagë, në rastin ndaj ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Për ta ilustruar karakterin vullnetar të UÇK-së, Maloku dha një shembull qysh, sipas tij, dy mërgimtarë pushimet verore i kanë kaluar në luftë.

“Erdhën dy ushtarë nga Zvicra. Kishin marrë pushim vjetor – njëri një muaj, tjetri një muaj e dy ditë. Kur e kreu pushimin vjetor tha: ‘Komandant, unë duhet të kthehem në punë’. E la armën dhe shkoi në Zvicër. Ky tjetri e kishte pasur fatin ashtu. Kishte edhe dy javë kohë. Mbas tri ditëve u vra – më 7 korrik në Morinë, dhe sot është  dëshmor”, ka thënë Maloku.

Ai tha se karakteri vullnetar krijoi edhe vështirësi gjatë veprimtarisë.

“Ne nuk kemi mundur t’i themi ushtarit: ‘Të urdhëroj të shkosh’, por ‘A po shkon’ dhe ‘Kush po shkon vullnetar në këtë pikë’. Ne kemi pasur, në pika të nxehta që i quanim, zgjedhshim vullnetarë. Pra nga vullnetarët; vullnetarë kush po shkon në atë pozicion që ishte shumë më i rrezikshëm se të tjerët”, ka thënë Maloku.

Beteja kryesore që bëhet në procesin gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit është për përgjegjësinë që Shtabi i Përgjithshëm ka pasur për krimet që mund të jenë kryer nga pjesëtarë të UÇK-së. 

Mbrojtja e të akuzuarve ka mohuar se Shtabi ka pasur kontroll efektiv mbi komandantët rajonalë dhe ushtarët.

Megjithatë, Maloku foli për funksionim të zinxhirit informues, pasi për këtë u pyet nga gjyqtari Fergal Gaynor.

“Në Dukagjin kështu kemi vepruar: prej orës 6 deri në orën 8 të gjitha brigadat njoftonin komandën e zonës operative për çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit në territorin e brigadës”, ka thënë Maloku.
Por, ka pasuar një pyetje nga gjyqtari.

“Dhe më pas komanda e zonës ia përcillte menjëherë informacionin Drejtorisë Operative kështu?”, është pyetja e gjyqtarit Gaynor.

“Po, prej orës 8 deri në 10, në këtë interval”, është përgjigjur Maloku.

Ai përfundoi dëshminë e tij.

E, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se dëshmitari i ardhshëm dëshminë do ta japë në seancë të mbyllur.