Delegacioni i Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka kërkuar proces gjithëpërfshirës në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë. Pas vizitës që delegacioni pati në Kosovë, në një komunikatë në faqen zyrtare u tha se përgatitjet për zgjedhjet parlamentare janë në nivel pavarësisht “polarizimit në rritje”.
Në njoftim tutje është theksuar se të gjitha palët duhet të veprojnë me përgjegjësi dhe të jenë gjithëpërfshirëse “për të mirën e popullatës”. Ky delegacion ka kërkuar që të shmangen veprimet që mund t’i shtojnë tensionet në veri, derisa përmendi frikësimin e serbëve lokalë nga dezinformatat e mediave të mbështetura prej Beogradi.
Delegacioni tutje ka theksuar se fushata elektorale është zhvilluar në një mënyrë të qetë dhe paqësore.
“Delegacioni theksoi se fushata elektorale e sapo nisur po zhvillohet në mënyrë të qetë e paqësore...Delegacioni pret që procesi elektoral të jetë në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës,, gjë që do të ishte shenjë e pjekurisë së institucioneve”, thuhet në njoftim.
Sipas delegacionit të Asamblesë Parlamentare të KiE, është shqetësuese mungesa e rregulloreve për mediat online, transparenca e pronësisë së mediave, procedurat e emërimit të anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media dhe “ndikimi i mundshëm i dezinformatave si dhe përdorimi i AI-së në fushatë”.
Delegacioni tha se është informuar për Ligjin për zgjedhjet që ishte miratuar dy vjet më parë. U përmenden edhe rregulloret e reja “që synojnë forcimin e monitorimit të shpenzimeve të fushatës”.
“Diskutimet u fokusuan edhe në situatën në veri të Kosovës dhe zhvillimet e fundit. Delegacioni u njoftua për raportet në lidhje me presionin dhe frikësimin e votuesve serbë të Kosovës, si dhe për fushatat dezinformuese nga mediat e mbështetura nga Beogradi. Në dritën e këtyre shqetësimeve, delegacioni u kërkon të gjitha palëve të shmangin veprimet që mund të përkeqësojnë tensionet. Ai inkurajon autoritetet që të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të siguruar praninë e personelit nga komunitetet joshumicë në institucionet e zbatimit të ligjit si policia, për të ndihmuar në zbutjen e tensioneve etnike në kohë zgjedhjesh”, thuhet tutje.
Delegacioni u bëri thirrje të gjitha palëve që të mbeten të përkushtuara për krijimin e kushteve për zgjedhje të drejta dhe gjithëpërfshirëse, pavarësisht polarizimit në rritje dhe të sigurojnë që këto zgjedhje të kontribuojnë në forcimin e standardeve dhe praktikave demokratike në Kosovë.