Në një finale plot befasi dhe dramatike – siç ndodh kohëve të fundit me votat e publikut – Zvicra ka marrë trofeun e edicionit të 68-të të garës evropiane të këngës, “Eurovision”, të shtunën mbrëma në Malmo të Suedisë. Ka lënë prapa Kroacinë dhe Ukrainën. Me “The Code”, këngëtari Nemo – që u këndon identitetit gjinor,shëndetit mendor dhe gjetjes së vetes – ka dekoduar rrugën deri te fitorja e ngjarjes së madhe muzikore që sivjet, si asnjëherë më parë, është shoqëruar edhe me kaos ani pse finalja ka qenë spektakolare. “Të bashkuar nga muzika” është motoja e “Eurovisionit”, por jo të gjithë janë bashkuar në mesazhe të përbashkëta
Zvicra do të jetë nikoqire e edicionit të ardhshëm të “Eurovisionit”. Nemo me “The Code” ka marrë trofeun të shtunën mbrëma në Malmo të Suedisë në finalen dramatike. Ka qenë i pamposhtur, ani pse votat e publikut kanë përmbysur jo pak renditjen në tabela, por jo aq sa për ta lëkundur edhe Zvicrën. Përkundrazi ia kanë konfirmuar fitoren me 591 pikë e në krye ishte edhe me 365 pikët e jurisë. Ka lënë prapa Kroacinë me 547 pikë, përfaqësuar nga artisti BabyLasagna, që i këndon eksodit të të rinjve kroatë drejt vendeve të tjera të botës për një të ardhme më të mirë. E treta rezultoi Ukraina me 453 pikë.
Kënga e Nemos (24) është një rrëfim për identitetin gjinor, shëndetin mendor dhe gjetjen e vetes.
“Faleminderit shumë! Shpresoj që kjo garë do të jetësojë premtimin për paqe dhe dinjitet për çdo person në botë”, ka thënë shkurt Nemo midis emocionesh pasi ka marrë trofeun që ia dorëzoi fituesja e vjetme Loreen dhe ka risjellë këngën, tashmë fituese.
Bëhet i treti që çon trofeun në Zvicër, e cila fitoi në edicionin e parë më 1956 me Lys Assia dhe me CelineDion më 1988. Afër fitores qe më 2021, kur u përfaqësua nga këngëtari shqiptar, Gjon’s Tears,i cili u mposht prej Italisë. Votat e publikut përmbysën edhe listat, siç ngjau edhe këtë edicion, kur Izraeli gati dyfishoi pikët me votat e publikut. Sivjet në natën finale garuan 25 shtete, pasi Holanda u përjashtua në ditën e finales.
Por shpërndarja e pikëve nga juritë e 37 vendeve pjesëmarrëse me të drejtë vote nuk kaluan pa u shënjuar me disa detaje. Për shembull, Shqipëria e vazhdoi traditën me njëpikëshin për Serbinë, fishkëllimat nuk u ndalën derisa Izraeli po ndante pikët maksimale. Holandës nuk iu lejua të shfaqej për të dhënë pikët sikurse shtetet e tjera, por ato vetëm u kumtuan dhe maksimalet shkuan për Zvicrën fituese.
Epilogut me votat i parapriu një performancë, e cila e solli sërish në skenë përmes një hologrami grupin ikonik ABBA, që ktheu audiencën në vitin 1974. Gjithashtu është interpretuar kënga e tyre “Waterloo” nga këngëtarja Carola, fituesja suedeze e edicionit të vitit 1991, Charlotte Perrelli, që kishte fituar me Suedinë në vitin 1999 dhe fituesja austriake e vitit 2014, Conchita Wurst.
Tradita që para shpalljes së votave të performohet kënga fituese e vitit paraprak, u vazhdua nga Loreen me një performancë të këngës “Tatoo” dhe “Forever”, e cila i parapriu numërimit prapa të mbylljes së televotimit nga publiku.

Performanca energjike e mesazhe paqeje
Hapja e mbrëmjes finale u bë me një paraqitje të Princeshës së Kurorës së Suedisë, Victoria, që u uroi fat të 25 shteteve pjesëmarrëse. Fill pas saj u luajt sekuenca hyrëse e cila paraqet fenomenin e dritave nordike që përshkojnë ndërtesa nga qytete të ndryshme në Suedi. Një homazh iu bë dhe muzikës suedeze duke u kthyer pas në retrospektivë me një performancë nga artisti legjendar suedez, Bjorn Skifs, para audiencës së përbërë nga 9 mijë adhurues në sallë dhe miliona nëpërmjet ekraneve televizive.
Ceremonia tradicionale e parakalimit të shteteve tok me flamujt e tyre u bë nën tingujt e hiteve të muzikës suedeze ndër vite nga bendi ikonik ABBA e deri tekIconaPop me hitin “I don’tcare” të vitit 2012. Shumica nga artistët mbanin flamujt e shteteve të tyre prapa duke parakaluar në skenën gjigante, përveç Bambie Thug, e cila ishte mbështjellë me flamurin e Irlandës duke e mbajtur Edhe një fashë që shkruante “Crown the Witch” (Kurorëzoni shtrigën).
PetraMede dhe Malin Akerman kanë qenë nikoqiret e mbrëmjes, të cilat u ngjitën në skenë me këngën “The Winner Takes It All” nga grupi ABBA. Ky detaj u përcoll gjatë mbrëmjes marrë parasysh se viti 2024 përkon me 50-vjetorin e fitores së grupit ABBA më 1974, me këngën “Waterloo”. Dyshja e prezantueseve hapën garën për herë të fundit me aktin e parë, që qe Suedia me një performancë nga binjakët Marcus dhe Martinus me “Unforgettable”. E dyta në radhë ishte Ukraina, sërish me një duo. “Maria&Teresa” ishte titulli i këngës së interpretuar nga JerryHeil dhe AlyonaAlyona. Artisti ISAAK ishte përfaqësuesi i radhës me “Always On The Run” që prezantoi Gjermaninë. E katërta ishte rezervuar për Luksemburgun dhe performancën nga 23-vjeçarja TALI.

Izraeli me gjithë bujën që kishte shkaktuar me pjesëmarrjen e tij këtë edicion u prezantua në finale pa ndonjë ekses, ani pse jashtë arenës po protestohej nga grupe mbështetëse të Palestinës duke brohoritur “Shame!” (Turp!). Artistja Eden Golan u paraqit me këngën e saj “Hurricane”, por ndryshe nga titulli i këngës, ajo vetë pasqyroi një energji plot nonshalancë, ndërsa audienca ishte e përzier me brohoritje dhe fishkëllima. Lituaniaperformoi me “Redislove” (E kuqja është për dashurinë), një këngë electro nga SilvesterBelt, i cili dha mesazhin e dashurisë në fund. Spanja u paraqit në një performancë e cila la përshtypjen se kënga “ZORRA” nga duoNebulossa po këndohej nga e tërë audienca. Paraqitje krejt ekscentrike kishin “5MIINUST x Puuluup” të Estonisë. BambieThug, artistja kontroverse e cila përfaqësoi Irlandën,performancën e saj që e nisi furishëm, e përfundoi duke brohoritur “Lovesalwaystrimuphshate” (Dashuria do të triumfojë gjithmonë ndaj urrejtjes).
Letonia me Dons dhe këngën “Hollow” vuri audiencën në një qetësi, për të kthyer entuziazmin sërish me këngën e përfaqësues së Greqisë, Marina Satti,me këngën “ZARI”. Ndryshe Greqia këtë edicion shënon 50-vjetorin që nga paraqitja e parë në “Eurovision”. Mbretëria e Bashkuar u paraqit në këtë edicion me pop-artistin Olly Alexander dhe këngën “Dizzy”. Grupi norvegjez “Gåte” me këngën “Ulveham” i dhanë vazhdës së performancave të njëpasnjëshme një përzierje të rock muzikës dhe folkut. Shtetet që pasuan ishin Italia, Serbia, Finlanda dhe Portugalia. Armenia, Qiproja ia kanë lënë vendin Zvicrës me performancën energjike të Nemos. Performancat u përmbyllën nga Sllovenia, Kroacia, Gjeorgjia, Franca dhe Austria.
Kontradiktat që kulmuan me protesta e përjashtime
Disa orë para natës finale të “Eurovisionit”, ngjarjet kanë qenë të bujshme. Në mëngjes, Holanda është përjashtuar nga gara. Përfaqësuesi i këtij shteti është diskualifikuar pasi po hetohet nga policia suedeze sherri një incidenti në gjysmëfinale me një pjesëtare të stafit.
Në komunikatën e Unionit Evropianë të Transmetuesve Publikë është bërë e ditur se pas një ankese nga një pjesëtare e stafit të produksionit, policia suedeze ka filluar menjëherë hetimet ndaj këngëtarit holandez, Joost Klein.
“Policia suedeze ka hetuar një ankesë të bërë nga një anëtare e ekipit të produksionit pas një incidenti pas performancës së tij në gjysmëfinalen e mbrëmjes të së enjtes. Derisa procesi ligjor merr rrjedhën e vet, nuk do të ishte e përshtatshme që ai të vazhdonte në konkurs. [...] Ne kemi një politikë zero të tolerancës ndaj sjelljeve të papërshtatshme në ngjarjen tonë dhe jemi të përkushtuar të ofrojmë një mjedis pune të sigurt për të gjithë, përfshirë stafin e konkursit”, thuhej në deklaratën e EBU-së. Ky vendim solli pakënaqësi të shumta.

Gazetarja e “The Associated Press”, Jill Lawless, e ka cilësuar atë si një rast i cili e shpiu garën në një kaos shumë afër përmbylljes.
“Kam folur me ekspertë të ‘Eurovisionit’ dhe ata thonë se kjo është krejtësisht e paprecedentë. Nuk ka pasur kurrë më parë një përjashtim në këtë fazë të vonshme të konkursit. Vende të ndryshme e kanë bojkotuar ‘Eurovisionin’ më parë, madje ka nga to edhe që janë përjashtuar nga ‘Eurovisioni’, siç ishte rasti i Rusisë në vitin 2022 pasi pushtoi Ukrainën”, ka thënë ajo, duke shtuar se përjashtimi i një shteti në ditën e finales është krejtësisht e padëgjuar dhe ka shkaktuar kaos të vërtetë.
Fakti se Izraeli ishte pjesë e garës dhe se fitoi një vend në finale, pasoi me protesta – në qytetin nikoqir të festivalit për këtë vit, Malmo – nga mbështetësit e Palestinës, të cilët kërkuan që Izraeli të përjashtohej nga gara. Protesta disi më të nënzëshme u bënë edhe brenda “Arenas” së Malmos, aty ku u mbajt spektakli. Përfaqësues të vendeve të ndryshme kanë zgjedhur që protestën ta bëjnë në forma të ndryshme. Slimane, artisti i cili përfaqësoi Francën, këtë vit do të brohoriste gjatë provave të fundit: “Të bashkuar nga muzika po, por për dashuri dhe paqe”, duke iu referuar sloganit të festivalit. Ndërkaq në simulimin e dhënies së pikëve sipas votave të jurisë, korrespondentja finlandeze ka refuzuar ta përmendë emrin e Izraelit duke e thënë atë të Irlandës. E, këngëtarja irlandeze, Bambie Thug, është parë në një prononcim duke veshur një shall “keffieyh” si referencë për mbështetjen e Palestinës.

Misioni i papërmbushur
Një gjë është e sigurt: ani pse gara evropiane e këngës “Eurovision” – e cila që prej themelimit më 1956 kishte për synim të investonte mbi ndjenjën e bashkëjetesës paqësore evropiane – ka disa vjet prej kur kjo garë nuk ia del ta fuqizojë këtë mision dhe po kalon nëpër kriza identitare. Edhe pse muzika merr vëmendjen ekskluzive të këtij eventi, së fundi po ngjan që kjo e fundit të marrë rol gati krejt periferik prej ngjarjeve kontroverse të shumta. Edhe këtë vit edicioni i 68-të me radhë i “Eurosongut”, i cili nisi të martën e parë të majit, u karakterizua me trazira të shumta. Përpiqet ta mbajë të ndarë muzikën nga politika. Mbretëria e Bashkuar, Franca, Spanja, Gjermania dhe Italia të cilësuara si “Pesëshja e Madhe” kualifikohen automatikisht për në finale, si shtete themeluese, e që konsiderohet dështimi i parë i synimit parësor të garës. Më 2020 nuk u mbajt për shkak të pandemisë, përderisa koncepti i festivalit u bazua në festivalin italian të muzikës “Sanremo”, që mbahet në Itali prej vitit 1951. Gjermania ka konkurruar më shumë se çdo vend tjetër, duke marrë pjesë në të gjitha edicionet, përveç njërit. Disa nga artistët më të njohur të muzikës në botë kanë dalë prej “Eurovisionit” dhe kanë marrë pjesë në këtë garë, si grupi ABBA, Celine Dion, Julio Iglesias, Cliff Richard dhe Olivia Newton-John e të tjerë. Mbi të gjitha, “Eurovisioni” u këndon vlerave të përbashkëta evropiane e bashkimit më muzikë, siç qe motoja edhe sivjet:”United by Music”.
Shqipëria jashtë finales, përmendet te “hieroglifët”
Nga 25 vendet finaliste që ishin pjesë e finales, Shqipëria nuk arriti dot të jetë pjesë e kësaj mbrëmjeje, pasi që dy net më parë përfaqësuesja Besa Kokëdhima me këngën e saj “Titan” nuk arriti që të depërtojë në finalen e madhe. Ky qe viti i 20-të i përfaqësimit të shtetit shqiptar.
Në njërën nga intermexot mes këngëve në natën finale prezantuesja Petra Mede e njohur si komediania më e famshme në Suedi, në një numër humori tregoi mbi “mundësinë” e entuziastëve të “Eurovisionit” që të blejnë “Gurin e rregullave” të garës, teksa i referohej një simboli si hieroglif në të si “kënga e Shqipërisë”.
Shqipëria vazhdon të mbajë rekordin e përfaqësuar me RonaNishliun në vitin 2012. Ajo me këngën “Suus” qe radhitur në vendin e pestë. Në top10, Shqipëria hyri edhe në vitin 2017, e përfaqësuar nga Lindita Halimi me këngën “World”. Shqipëria për herë të parë mori pjesë në garën e njohur evropiane të këngës “Eurovision” në vitin 2004. Atë vit u përfaqësua nga AnjezaShahini me këngën “The Imageofyou” (Imazhi yt), me të cilën zuri vendin e shtatë. Kjo pozitë mbeti më e larta që arriti deri në vitin 2012. Në vitin 2022, shtetin e përfaqësoi Ronela Hajati me “Sekret”.
Vjet Shqipëria me Albina Kelmendin dhe familjen e saj morën 76 pikë në total dhe u rendit e 22-ta.

Kosova spektatore dhe organizimi në Prishtinë
Përderisa Kosova mbetet ende larg mundësisë së përfaqësimit, spektatorë të natës finale janë mbledhur edhe në sheshin “Zahir Pajaziti” në shfaqjen e finales, organizuar nga Ambasada e Suedisë në Kosovë, Komuna e Prishtinës dhe RTK-ja.
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka theksuar peshën e producentëve suedezë që kanë kontribuar në industrinë botërore të muzikës.
“Janë dy kryeqytete të muzikës sot. Njëri është LosAngelos, i dyti mund t’ju befasojë: është Stokholmi. Në Suedi kemi producentë që kanë bërë produksione për Britney Spears, Madonnën dhe Taylor Swift. Mund të mendoni se e gjithë muzika është amerikane, por aty janë edhe muzikantët suedezë”, ka thënë Westerlund para të pranishmëve.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se muzika suedeze është me peshë derisa i është referuar grupit të njohur, ABBA.
“E dimë se Suedia ka fituar shtatë herë, ka pasur shtatë këngë fantastike duke filluar me ABBA, ku edhe sot e kësaj dite të gjitha klubet e natës në të gjitha vendet janë të stërmbushura duke kërcyer me këto këngë fenomenale qysh nga vitet ’70. Mbase sonte do të jetë hera e tetë që Suedia fiton”, ka thënë Rama para se të niste transmetimi i “Eurovisionit” në sheshin “Zahir Pajaziti”. Parashikimet e tij kanë qenë të gabuara.
Kryetari Rama është shprehur optimist se në edicionin e ardhshëm Kosova do të ketë reprezentues në këtë ngjarje.
“Vjet e kemi pasur një festival fenomenal, njësoj do ta kemi edhe sivjet. Ne veçse jemi të gatshëm tash për ‘Eurovision’. Shpresoj dhe besoj shumë që viti i ardhshëm të na presë me një reprezentues të Kosovës në ‘Eurovision’, sepse kemi një numër të madh talentesh nga Kosova. Është mirë që ta kenë platformën siç e meritojnë”, ka thënë ai.
Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Radiotelevizionit të Kosovës, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka thënë se kanë filluar përgatitjet për edicionin e dytë të Festivalit të Këngës në RTK.
“Radiotelevizioni i Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Komunën e Prishtinës tashmë kemi filluar Festivalin e Këngës, ne jemi gati. Në vitin tjetër, gjasat janë shumë të mëdha që ne do të jemi me këngën tonë përfaqësuese në këtë ngjarje. E dimë sa popullor është ‘Eurovisioni’ në Kosovë. Shpresojmë që me herën e parë ta fitojmë edhe çmimin e parë”, ka thënë Ahmetxhekaj, drejtor i transmetuesit publik, që ka të drejtën ta çojë këngën përfaqësuese të vendit në ngjarjen evropiane të muzikës. RTK nuk mundet ta bëjë këtë pa u anëtarësuar në EBU, që e organizon “Eurovisionin”, i cili thërret “Të bashkuar nga muzika”, sërish pa Kosovën me triumfin e Zvicrës në këtë edicion midis spektaklit dhe kaosit.