Zvicra ka triumfuar në edicionin e sivjetmë të “Eurovisionit” të mbajtur në Malmo të Suedisë. Nemo dominoi dukshëm në votat e jurisë, ndërsa pozita e parë nuk iu lëkund as nga votat e publikut.
Pasi mori vendin e parë, Nemo u shpreh se “shpreson që kjo garë të vazhdojë të përmbushë premtimin për të mbrojtur dinjitetin dhe paqen për të gjithë njerëzit në botë”.
Është hera e tretë që Zvicra e fiton “Eurovisionin”.
Zvicra triumfoi me 591 pikë në total. Në vend të dytë doli Kroacia me 547 e Ukraina ishte e treta me 453. Top pesëshen e mbyllën Franca dhe Izraeli.
Kënga fituese:
Si shkoi mbrëmja finale ndiqni përditësimet e mëposhtme:
Zvicra dominon në votat e jurive, merr pikët maksimale edhe nga Shqipëria
Nemo nga Zvicra ka fituar në votat e jurive të shteteve në finalen e “Eurovisionit”.
Me këngën “The Code” nga 37 shtetet që kanë votuar, Zvicra ka marrë 365 pikë dhe prin larg Francës që është e dyta me 218 pikë. Kroacia është e treta me 218 pikë.
Tani vota e publikut mund të përmbysë gjithçka.
12 pikët nga Juria Zvicra i ka marrë edhe nga Shqipëria.
Votat po mblidhen, kush janë favoritët për ta fituar “Eurovisionin”?
25 shtetet kanë përfunduar performancën në Malmo. Tani votat kanë nisur të mblidhen. Siç shkruan “The Guardian”, favoritë për të triumfuar këtë edicion janë Kroacia, Zvicra, Izraeli dhe Ukraina.
Votat e jurisë janë mbledhur mbrëmjen e shkuar dhe rezultatet do të nisin të publikohen së shpejti e ato të publikut do të duhet më vonë.
Votohet përmes faqes online të “Eurovisionit”.
Për herë të parë këtë edicion një garues është skualifikuar.
Edicioni i sivjetmë është dalluar edhe për kaosin që kanë shkaktuar protestat propalestineze që kundërshtonin pjesëmarrjen e Izraelit.
Si funksionon votimi në Eurovision 2024?
Çdo shtet që ka marrë pjesë në këtë garë – të 37 shtetet, jo vetëm ato finaliste – kanë votë të jurisë dhe votë të publikut.
Sapo votimi të mbyllet, secili shtet ka të drejtë të japë maksimum 12 pikë. Pikët janë: 12, 10, 8, 7, 6, 5, 4, 3, 2, 1. Bëhet fjalë për pikët e jurisë.
Pas procedurës së shpalosjes së votave të jurisë – që është procedura më e gjatë – u shtohen votat e publikut në 37 shtete.
Votat online mblidhen dhe shpërndahen në fund te garuesit, duke nisur nga ato që ishin në fund nga votat e jurisë.
Kaosi që i parapriu finales
Disa orë para natës finale të “Eurovisionit”, ngjarjet kanë qenë të bujshme. Në mëngjes, Holanda është përjashtuar nga gara. Përfaqësuesi i këtij shteti është diskualifikuar pasi po hetohet nga policia suedeze sherri një incidenti në gjysmëfinale me një pjesëtare të stafit.
“Derisa procesi ligjor të marrë rrjedhën e vet nuk do të ishte e përshtatshme që ai të vazhdonte në Garë. [...] Ne kemi një politikë zero-tolerancë ndaj sjelljeve të papërshtatshme në ngjarjen tonë dhe jemi të përkushtuar të ofrojmë një mjedis pune të sigurt për të gjithë, përfshirë stafin e ‘Eurovisionit’”, thuhet në njoftimin e Unionit të Transmetuesve Evropianë.
Por reagimet më të bujshme ende pa nisur edicioni i sivjetmë i “Eurovisionit” ishin ato në lidhje me pjesëmarrjen e Izraelit që është kualifikuar edhe në finale. Ka pasur protesta pro Palestinës e kundër pjesëmarrjes së shtetit izraelit, përderisa edhe disa përfaqësues shtetesh në “Eurovision” kanë reaguar me akte të ndryshme.
Në simulimin e dhënies së pikëve, korrespondentja finlandeze ka refuzuar ta përmendë emrin e Izraelit duke e thënë atë të Irlandës. Ndërsa këngëtarja irlandeze, Bambie Thug, është parë me shall si referencë për mbështetjen e Palestinës.
Përfaqësuesi i Francës në prova ka brohoritur: “Të bashkuar nga muzika”, siç është motoja e “Eurovisionit”, por ka thirrur për “dashuri dhe paqe”.
Krejt këto ngjarje kanë bërë që nata e fundit të marrë epitetin si “finale e kaosit”, që ka kulmuar edhe për përjashtimin e Holandës.
“Kam folur me ekspertë të ‘Eurovisionit’ dhe ata thonë se kjo është krejtësisht e paprecedentë. Nuk ka pasur kurrë më parë një përjashtim në këtë fazë të vonshme të konkursit. Vende të ndryshme e kanë bojkotuar ‘Eurovisionin’ më parë, madje ka nga to dhe që janë përjashtuar nga ‘Eurovisioni’, siç ishte rasti i Rusisë në vitin 2022 pasi pushtoi Ukrainën. Por që një konkurrent që kishte performuar në gjysmëfinale në fillim të javës, të përjashtohet në ditën e finale është krejtësisht i padëgjuar dhe e ka futur ‘Eurovisionin’ në kaos të vërtetë”, ka thënë gazetarja e AP-së, Jill Lawless.
Sipas parashikimeve në uebfaqen zyrtare të garës favorite për trofeun e këtij edicioni është Kroacia me artistin Baby Lasagna, që i këndon eksodit të të rinjve kroat drejt vendeve të tjera të botës për një të ardhme më të mirë.
Shqipëria me “Titan” nga Besa Kokëdhima nuk ka shkuar në finalen e cila nis prej orës 21:00.
Ajo do të transmetohet edhe në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, organizuar nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë në bashkëpunim me RTK-në dhe Komunën e Prishtinës.