Kulturë

Zëri nga Kosova në ditët e bombardimeve

Elias Bierdel dhe gruaja e tij, Fe, kanë takuar të premten policë dhe fëmijë fytyrëqeshur në Stacionin policor në Ferizaj.

“Për rastësi, sot ishin për vizitë në Stacion fëmijët e çerdheve. Ishte mahnitëse. Ata, djem e vajza, po e çaknin me policët. Po shtronin pyetje. Ishte mahnitëse”, tregon Elias Bierdel pas kthimit në Prishtinë, shkrua sot Koha Ditore.

Ish-korrespodenti i radios publike gjermane “Deutschlandfunk” e ka çuar bashkëshorten kastile në Ferizaj, për t’ia rrëfyer fije e për pe në vendin e ngjarjes ditën më të tmerrshme të jetës së tij. Bierdel, megjithatë, nuk ia doli ta identifikonte vendin ku ishte ndalur nga ushtria jugosllave në ditën e 29 marsit 1999, në afërsi të Ferizajt, ku do të niste terrorizimi i reporterit që nuk e kishte respektuar as urdhrin e eprorëve që të largohej nga Kosova para se të fillonte fushata 78-ditore e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve serbe.

Në natën e bombardimeve do të lidhej drejtpërdrejt nga ballkoni i shtëpisë së familjes Sadriu në lagjen “Taslixhe” të Prishtinës, për të raportuar në kohën kur misionet e gazetarët e huaj ishin larguar nga Kosova. Për një moment dorën do ta zgjaste në ajër që dëgjuesit të dëgjonin jehonën e bombave të para.

“Të lutem, le të reshin bombat, le të reshin bombat”, i kishin thënë qytetarët e intervistuar në prag të bombardimeve ajrore, ani pse e dinin se i priste hakmarrja e forcave serbe në tokë. Edhe vetë Bierdel do të terrorizohej për nëntë orë të tëra pas nisjes nga Prishtina drejt Maqedonisë. Punë nuk i kishin bërë as shenjat e “Cap Anamurit” në makinë, për t’u shtirur si aktivist i organizatës humanitare që kishte ndihmuar dhjetëra mijëra refugjatë në Kosovë para se të fillonte dëbimi masiv në shtetet fqinje.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)