Kulturë

Zërat rusë si mozaik i portretizimit të luftës në Ukrainë

Filmi Intercepted

Më shumë se imazhet, të frikshëm e bëjnë dokumentarin audiot që prezanton. Megjithëse efektet e një atmosfere fatkeqe janë minimale, në fakt duken edhe të panevojshme, sepse bisedat ndërmjet ushtarëve me familjarët janë të trishta, tronditëse e rrëqethëse. Ato tregojnë krimet që kanë qenë duke kryer gjatë asaj kohe. Barbarizmi e urrejtja janë të pafundme

Filmi unik përdor imazhe të frikshme të shkatërrimit duke i krahasuar me zërat në telefon për të dokumentuar jetën në luftë të ukrainasve dhe ushtarëve rusë që pushtuan vendin. Tema e filmit nis me disa sirena si alarme për sulme ajrore. Burimi kryesor për realizimin e filmit janë thirrjet telefonike të ushtarëve rusë të përgjuar nga forcat ukrainase të sigurisë midis marsit dhe nëntorit të 2022-s. Ato plotësojnë imazhet e ndërtesave të shkatërruara, rrugëve të zbrazëta e efekte të tjera të luftës në Ukrainë. Filmi u shfaq në “DokuKino” dhe garon në “Human Rights Dox”

Në “Intercepted” (I përgjuar) telefonatat e përgjuara të ushtarëve rusë me imazhet e shkatërrimeve që kanë kryer tregojnë se si dhe pse ndodh lufta. Filmi unik përdor imazhe të frikshme të shkatërrimit duke i krahasuar me zërat në telefon për të dokumentuar jetën në luftë të ukrainasve dhe ushtarëve rusë që pushtuan vendin.

Tema e filmit nis me disa sirena si alarme për sulme ajrore. Burimi kryesor për realizimin e filmit janë thirrjet telefonike të ushtarëve rusë të përgjuar nga forcat ukrainase të sigurisë midis marsit dhe nëntorit të 2022-s. Ato plotësojnë imazhet e ndërtesave të shkatërruara, rrugëve të zbrazëta e efekte të tjera të luftës në Ukrainë. Filmi u shfaq në “DokuKino” dhe garon në “Human Rights Dox”. 

Më shumë se imazhet, të frikshëm e bëjnë dokumentarin audiot që prezanton. Megjithëse efektet e një atmosfere fatkeqe janë minimale, në fakt duken edhe të panevojshme, sepse bisedat ndërmjet ushtarëve me familjarët janë të trishta, tronditëse e rrëqethëse. Ato tregojnë krimet që kanë qenë duke kryer gjatë asaj kohe. Barbarizmi e urrejtja janë të pafundme.

Është një anë intime që sjell perspektivën e urrejtjes për ukrainasit, por edhe një fije dhembshurie për ushtarët e rinj të penduar për vendimin që t’u bashkohen forcave ruse. Regjisorja ka thënë se qëllimisht kanë dashur të shpalosnin këtë pjesë për të treguar edhe anën e pamëshirshme të autoriteteve ruse ndaj ushtarëve të tyre. 

“Mënyra se si ata flisnin për ukrainasit për shumë prej këtyre ushtarëve ishin shumë të rinj, 18, 19, 20 vjeç. Ata nuk dinin asgjë për Ukrainën dhe shpesh vuanin për ushqim sikurse thonë në telefonatat e tyre. Dëgjova njerëz që ndiheshin të humbur dhe se nuk po bënin atë që duhej dhe në anën tjetër një mendësi brutale. Ishte vetëm një njeri që vërtet ishte kritik se çfarë po ndodhte. Ishte shumë e vështirë ta dëgjoja me muaj këtë njeri duke kritikuar ngjarjen. Kam qarë sa herë që e kam dëgjuar”, ka thënë ukrainasja Oksana Karpovych para të pranishmëve. 

Në fakt po aq kuptimplotë sa filmi dokumentar ka qenë edhe pjesa e diskutimit me publikun. 

“Kur filloi pushtimi i plotë në Ukrainë përfundova duke punuar me shumë producentë, sepse lufta po merrte shumë vëmendje se çfarë po ndodhte. Ishte rrugëtim nëpër Ukrainë duke kërkuar një vend të sigurt, por nuk doja ta lija vendin, sepse po ndodhte diçka e rëndësishme jo vetëm për Ukrainën, por për gjithë botën”, ka thënë regjisorja më tej. 

Rusët thirren me emra ofendues. Tregojnë masakrat që kanë kryer. Më e thjeshta prej tyre është se si një nënë e vranë në sytë e dy fëmijëve të saj. Bashkëbiseduesit e ushtarëve, që janë kryesisht familjarë, nuk shfaqin pikë dhembjeje për të bëmat e tyre ndaj civilëve. Tmerrin më të madh të kryer ndaj tyre e konsiderojnë meritë për ta. 

Sërish në zërin e disa prej tyre ka shenja dyshimi se çfarë po ndodhte. Thonë se e gjitha po bëhet për pushtetin e Putinit. Tregojnë se humbjet e Rusisë janë shumë të mëdha se shifrat e imazhet janë shumë larg prej atyre çfarë shfaqet në media. Se ata janë pala që po humbin. 

Përgjimet tregojnë se në fakt nuk po bëhet luftë e vërtetë, por gjenocid. Ata vetë nuk e konsiderojnë si luftë vrasjen e civilëve të paarmatosur. Tregojnë format më brutale të vrasjes e torturës. Dhe ndihen krenarë. Familjarët e tyre ndihen krenarë me të bëmat e tyre duke i konsideruar heroike. I inkurajojnë të mos ndalen. Aty zbulohen edhe presionet që u bëhen ushtarëve rusë nga udhëheqësit e tyre. Lihet të kuptohet se ka shumë mercenarë. 

Duke e shikuar “Intercepted”, publiku përgjon bisedat e pafund pa maska të folësve duke treguar të bëmat dhe qëndrimet e tyre të vërteta. 

Regjisorja Karpovych ka treguar se kur pati në dispozicion 31 orë përgjime aty e kishte kuptuar se ishin të mjaftueshme për ta kompletuar rrëfimin. 

“Nuk kisha besim nëse do të funksiononte. Ishin fragmente të shkurtra secilën ditë. Janë të prera dhe asnjë nuk është nga fillimi në fund. Mendova që për të bëj një film të gjatë më duhej më shumë material, kështu që ne kërkuam nga shërbimet sekrete ukrainase të na jepnin më shumë material, ndërsa ata fillimisht refuzuan, sepse materialet do të përdoreshin për të dëshmuar krimet e luftës nga ana e Rusisë”, ka thënë regjisorja nga Kievi i Ukrainës, e cila jeton në Kanada. 

Ka thënë se përgjimet ishin traumatizuese të dëgjohen. 

“Ishte e vështirë vetëm të rrije dhe të dëgjoje duke dëgjuar krime. Ishte observim i rëndësishëm i agresionit. Si producente lokale mendova se janë shumë të rëndësishme këto përgjime. Nuk e mbaj mend në fakt përshtypjen e parë, por e di se përgjimet ishin shumë traumatizuese. Por, ne vazhduam të dëgjonim. Ishte proces i vështirë, si një ‘puzzle’”, ka thënë ajo.

Karolina Davidova nga Çekia e ka konsideruar rrëfim prekës atë të dokumentarit. 

“Për mua pjesa më emocionale e shfaqjes ishte debati që u zhvillua ku regjisorja tregoi motivin e dokumentarit dhe procesin e të bërit film. Mendoj se ka qenë shumë prekës dhe i rëndësishëm”, ka thënë ajo. 

Ndërsa mikja e saj, Magdalena Hajzlarova, po ashtu çeke, ka thënë se dokumentari ka qenë goditës dhe se do të donte që zërat të mos ishin autentikë. 

“Për mua ka qenë goditës edhe filmi i parë në ‘DokuFest’ që e pashë, ishte edhe më i fuqishëm, sepse nuk përballemi me të shpesh. Shpresoja se zërat në xhirime nuk janë autentikë, shpresoja se njerëzit nuk do të shkonin aq larg dhe në fund në fakt mendon se janë dhe kjo mbulon gjithë eksperiencën atje. Gjithashtu edhe diskutimi ishte plot tension derisa flasin për këto përvoja”, ka thënë ajo. 

Protagonistët e panjohur tregojnë për urdhrat që u janë dhënë të vrisnin secilin civil që shihnin rrugës dhe për plaçkitjet që kanë bërë në vazhdimësi. Janë të “dehumanizuar” dhe pos veprimeve këtë e shfaqin edhe në bindjet e tyre teksa për pak çaste janë larg vijës së frontit, pranë telefonit, duke përdorur ofendime etnike e fraza të tjera degraduese. 

Shpresë, shqetësim, konfuzion, dashuri e urrejtje ka aty. Ushtarët flasin për ankthin e luftës me “armikun” e për mbijetesë.