Kulturë

Zejtari i panjohur meksikan merr çmimin që promovon artizanatet

“I Only Know What I Have Seen” e Andrés Anzas ka marrë çmimin e sivjetmë të “Loewe Foundation”

“I Only Know What I Have Seen” e Andrés Anzas ka marrë çmimin e sivjetmë të “Loewe Foundation”

Skulptura prej balte e artistit meksikan të qeramikës, Andrés Anza, fiton çmimin e artizanatit të cilin e ndanë fondacioni “Loewe”

Të martën mbrëma në Paris përpara një publiku të përbërë nga fytyra publike si muzikanti Pharrell Williams, disenjatorët Rick Owens e Michèle Lamy dhe shefja ekzekutive e shtëpisë së modës “Christian Dior”, Delphine Arnault, u prezantua puna e artistit të ri dhe të panjohur meksikan të qeramikës, Andrés Anza. Prezantimi u shoqërua me duartrokitje dhe ovacione të shumta.

Pamja e disa prej emrave më me ndikim të fushës së modës duke e duartrokitur një zejtar, ishte një finale e përshtatshme për ceremoninë e ndarjes së çmimit të sivjetmë “Loewe Foundation”.

Ky është viti i shtatë i organizimit të kësaj ceremonie dhe vlerësimi për krijimin e veprave artizanale ka ndryshuar dukshëm që kur Jonathan Anderson, drejtor kreativ i shtëpisë spanjolle të modës “Loewe”, e themeloi këtë çmim në vitin 2016.

Viteve të fundit shtëpi të njohura të modës i kanë nderuar zejtarët dhe aftësitë e tyre. Për shembull, Pharrell Williams në muajin shkurt e prezantoi koleksionin e tij të fundit të krijuar në bashkëpunim me markën “Louis Vuitton”, pjesë e të cilit ishin shumë aksesorë të pikturuar me dorë nga artistë indigjenë amerikanë. Madje edhe disa prej muzeve më prestigjiozë anekënd botës po ekspozojnë gjithnjë e më shpesh punime artizanale.

“Mirënjohje e veçantë” për veprën e Heechan Kim nga SHBA-ja

Krahas zejtarëve amatorë që ndjekin seminare dhe kurse nate për ta jetësuar pasionin e tyre, edhe qeveritë po tregojnë interesim në këtë lloj të artit. UNESCO-ja e miratoi Konventën për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në vitin 2003 dhe ka pranuar kërkesa të shumta të vendeve që janë regjistruar për të mbrojtur zakonet, traditat dhe zejtarinë lokale. Edhe Mbretëria e Bashkuar më në fund u nënshkrua muajin e kaluar.

Në një prononcim për media, pasi juria e çmimit “Loewe” kishte përfunduar ato që në dukje ishin diskutime mjaft të nxehta, Anderson ka thënë se kishte vënë re gjithashtu interesimin më të madh për  zejtarinë. Interesimi i tij për këtë lloj arti ka qenë i përjetshëm, i nxitur nga vizitat tek gjyshi i tij, i cili koleksiononte vepra qeramike.

“Në realitet, unë kam kohë të gjatë që koleksionoj vepra nga qeramika – nga zejtarë të tillë si Lucie Rie dhe Hans Coper – ndërsa tani është e pamundur të sigurosh krijime të tyre. Por sot kur shkoj nëpër institucione të artit shoh vepra nga Coper të ekspozuara pranë një vepre të Giacomettit, që më parë nuk ndodhte kurrë diçka e tillë. Gjithashtu mendoj se njerëzit kanë filluar me të vërtetë ta vlerësojnë atë që Picasso po bënte me qeramikën, ai i pa ato si piktura 3D”.

Tre zejtarë pranuan “Mirënjohje të veçantë”  në ceremoninë e ndarjes së çmimit “Loewe Foundation”: argjendari Miki Asai nga Japonia, Heechan Kim nga Amerika dhe artisti francez Emmanuel Boos.

Por vepra që u vlerësua me pikët maksimale dhe e fitoi çmimin e madh ishte ajo e meksikanit Anza me titull “I Only Know What I Have Seen”. Vepra është një skulpturë prej balte pesë metra e lartë e krijuar nga pesë pjesë të mbuluara me qindra thumba të vegjël.

“Mirënjohje e veçantë” për tavolinën prej druri e porcelani e artistit francez Emmanuel Boos

Pjesë e panelit të jurisë ishin: zejtarja e qeramikës Magdalene Odundo, disenjatorja Patricia Urquiola dhe drejtori i Muzeut të Dizajnit në Londër,  Deyan Sudjic. Në një deklaratë për media ata thanë se kishin zgjedhur Anzan si fitues, sepse puna e tij sfidonte kohën dhe kontekstin kulturor.

"Të gjithëve u bëri përshtypje forma komplekse e skulpturës së Anzas dhe dyfishimi i gjurmëve tradicionale e bëri këtë vepër të dukej sikur vjen nga një botë tjetër", deklaroi disenjatori irlandez i modës, Jonathan Anderson.

Në mesin e punimeve pjesëmarrëse kishte disa shembuj të kombinimeve unike të teknikave tradicionale me materiale ose procese eksperimentale. Luis Santos Montes përdori metilcelulozë për ta kthyer letrën në forma gjeometrike 3D. Argjendari Eunmi Chun e transformoi zorrën e tharë të lopës në pendë zogu për krijimin e një qaforeje. Artisti holandez, Saar Scheerlings, kombinoi dyshekë të vjetër nga shkuma dhe materialet e lirit për të krijuar një skulpturë, duke përdorur teknika tapicerie. Dy artistë afrikanë - Ange Dakouo dhe Ozioma Onuzulike, ekspozuan perde muri që nderonin traditat lokale të vendeve të tyre, duke përdorur gjësende të ricikluara si, guaska, shishe qelqi dhe të tjera.

Anderson shpjegoi se në vitet e para kur u themelua çmimi “Loewe Foundation”, ata detyroheshin t'u bënin thirrje dhe të inkurajonin njerëzit për të aplikuar.

“Mirënjohje e veçantë” për veprat e argjendarit Miki Asai nga Japonia

“Kur u bëra pjesë e shtëpisë së modës ‘Loewe’ doja ta bëja atë një markë kulturore. Mendoj se kur e thashë këtë gjë për herë të parë, ishte sepse po përpiqesha t’i bëja përshtypje disenjatores Delphine Arnault. Por me të vërtetë është bërë manifestim për gjithçka. Unë mendoj se kjo është më e rëndësishme se një shfaqje mode”.

Tridhjetë finalistët – veprat e të cilëve janë ekspozuar në galerinë “Palais de Tokyo” në Paris – u zgjodhën në mesin e më shumë se 3 mijë e 900 pjesëmarrësve nga 124 vende.