Kulturë

Zeja e filigranit pret mjeshtrit për të mos e shkëputur lidhjen

I dështuar ka dalë të jetë tenderi për organizimin e trajnimit në ruajtje të zanatit të moçëm të filigranit në Prizren, dhe autoritetet komunale në të njëjtën mënyrë synojnë të gjejnë mjeshtër për të mos e shkëputur këtë mjeshtëri me gjeneratën e re. Mjeshtrit e dalluar të filigranit që prej vitesh janë angazhuar për aftësimin e pjesëmarrësve të rinj në këtë artizanat kanë bërë të ditur se nuk kanë qenë të informuar. Por kanë një tjetër propozim. Sipas tyre, opsioni më i mirë do të ishte hapja e një paraleleje në shkollimin e mesëm për filigran

Përpjekja e parë gjatë këtij muaji e Komunës së Prizrenit, përkatësisht Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, për gjetjen e një operatori për organizimin e trajnimit për ruajtjen e zejes së filigranit, ka dështuar. Në aktivitetin e prokurimit të shpallur për këtë qëllim, prej 8 deri më 15 shtator, nuk është paraqitur asnjë operator dhe rrjedhimisht tenderi është anuluar. Në këtë situatë, organet komunale kanë vendosur që këtë javë ta rishpallin tenderin përkatës, ku vlera e parashikuar e kontratës është 9 mijë e 900 euro, me ç’rast kërkohet një operator që ka katër mjeshtër të diplomuar filigrani, si dhe një mori pajisjesh e materialesh.

Drejtoresha e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Lirije Xhemaj-Bytyqi, ka konfirmuar anulimin e aktivitetit të prokurimit gjatë javës së shkuar për organizimin e kursit tetëmujor për zejen e filigranit dhe rishpalljen e të njëjtit gjatë kësaj jave, me synimin që të ruhet një traditë e vjetër e Prizrenit.

“Ne, për çdo vit e shpallim tenderin për ringjalljen e zejes së filigranit, përkatësisht për realizimin e kursit tetëmujor të aftësimit, në bazë të të cilit edhe certifikohen pjesëmarrësit. Plani ynë është që edhe këtë vit të nisë mbajtja e këtij kursi. Ne e kemi hapur aktivitetin e prokurimit, por nuk ka pasur asnjë ofertues dhe është dashur të anulohet konform dispozitave të Ligjit të Prokurimit. Këtë javë tenderi është rishpallur dhe presim aplikimet nga operatorët. Shpresojmë që në këtë mënyrë të kontribuojmë që zeja e filigranit të mos shuhet dhe kjo traditë e kamotshme të vazhdojë”, ka thënë zyrtarja e lartë komunale.

Mjeshtrit e dalluar të filigranit që prej vitesh janë angazhuar për aftësimin e pjesëmarrësve të rinj në këtë artizanat kanë bërë të ditur se nuk kanë qenë të informuar se aktiviteti i prokurimit është iniciuar më herët gjatë këtij muaji.

“Ne nuk kemi qenë të informuar. Tenderi është hapur, por në mungesë të informatës edhe nuk kemi mundur të paraqesim ofertën tonë. Tani sërish është shpallur dhe besoj se do të aplikojmë, në mënyrë që të vazhdohet praktika e mbajtjes së kurseve të filigranit si në vitet e shkuara”, ka deklaruar mjeshtri Faik Bamja. Duke shpresuar për vazhdimin e trajnimit, ai ka shtuar se opsioni më i mirë do të ishte hapja e një paraleleje në shkollimin e mesëm për filigran.

Image
“Shkallën më të lartë të zhvillimit të saj argjendaria e arriti në shekullin XIX. Sipas të dhënave të konsullit francez në Shkodër, E. Vit, në Prizren më 1866 kishte 47 punishte të veçanta të argjendarisë...”

“Shkallën më të lartë të zhvillimit të saj argjendaria e arriti në shekullin XIX. Sipas të dhënave të konsullit francez në Shkodër, E. Vit, në Prizren më 1866 kishte 47 punishte të veçanta të argjendarisë...”

“Natyrisht, më mirë do të ishte që mos të mbetet vetëm si kurs tetëmujor, por të shndërrohet në shkollë, në mënyrë që për tre vjet t’i aftësojmë më shumë gjeneratat e reja në këtë artizanat, ashtu që të jenë më të përgatitur, më profesionalë dhe pas shkollimit të punojnë në mënyrë të pavarur”, është shprehur Bamja.

Kolegu i tij, respektivisht mjeshtri i shquar i filigranit, Bashkim Tejeci, ka vlerësuar se duke marrë parasysh sfidat e kohës është me rëndësi që të vazhdohet tradita disavjeçare e kurseve të filigranit, meqë kësisoj ka ndërgjegjësim për këtë zeje.

“Jemi dëshmitarë që shumë zeje tradicionale të Prizrenit tashmë janë shuar. Duke u bazuar në atë që Prizreni është ama e zejes së filigranit, me një teknikë të dalluar, që ka veçorinë e bukurinë e vet, por edhe që i qëndron kohës, duhet të vijojë kjo traditë. Nuk duhet harruar se një punim i filigranit me teknikën e veçantë të Prizrenit trashëgohet brez pas brezi. Prandaj është më rëndësi që gjeneratat e reja të përvetësojnë këtë zeje, meqë tashmë prodhimet industriale po e bëjnë të veten kudo në botë, por edhe tek ne. Është fat i mirë që interesimi për filigranin në kohët e fundit është ringjallur dhe është shumë më rëndësi që ta mbrojmë”, ka thënë Tejeci.

Ai ka përkujtuar se qëllimi i grupit të tyre të punës, pas privatizimit të ndërmarrjes së “Filigranit”, ka qenë që njohuritë të barten te gjeneratat e reja dhe se mënyra e vetme aktualisht janë kurset tetëmujore. Por vazhdojnë të ëndërrojnë që një ditë të japin mësim në njërën prej shkollave të mesme të Prizrenit.

“Synimi ynë është që të hapet një paralele në shkollat përkatëse. Jemi të gatshëm që dijen tonë profesionale ta ofrojmë për nxënësit. Por kjo nuk varet prej nesh, është vendim që duhet të merret nga organet kompetente, qoftë qendrore apo ato lokale. Është e vërtetë se ka disa vjet që mbajmë kurse, por është e qartë se nuk janë kurse sa për me fitu tenderin, por me e mbajt gjallë këtë zeje, që përballet me rrezikun e shuarjes. Ne si grup i kemi dhënë një detyrë vetes dhe do të mundohemi që këtë zeje aq sa mundemi t’ua lëmë si trashëgimi gjeneratave të reja”, ka deklaruar Tejeci.

Në vitin 2006 pas privatizimit të ndërmarrjes “Filigrani” të Prizrenit, këta punëtorë kishin mbetur në rrugë. Në këtë situatë grupi i tyre qe mbledhur dhe patën vendosur që ta vazhdojmë traditën e punës. Pas konsultimeve, në vitin 2007, e kanë regjistruar “Filigranin” si Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar. Qëllimi i këtij grupi të artizanëve ka qenë që ta ruajnë traditën e filigranit në Prizren. Përpos që kanë siguruar vetëqëndrueshmërinë, këta artizanë janë shndërruar edhe në pikë referimi e destinimi të vizitorëve të huaj të Prizrenit, por edhe të gazetarëve të mediave ndërkombëtare. Ndërkohë prej disa vjetësh organizojnë kursin e filigranit për dhjetëra pjesëmarrës. Aktualisht pjesë e këtij grupi kanë mbetur vetëm katër mjeshtër të dalluar.

Sipas historianit Abib Ahmeti, të dhënat e para për argjendarët e këtij qyteti ndeshen në shekullin XIII. Mirëpo shënime më të strukturuara, sipas tij, hasen në shekullin XVI, meqë në defterin kadastral të Sanxhakut të Prizrenit bëhet e ditur se kjo zeje në Prizren në vitin 1591 ushtrohej nga katër zejtarë të krishterë dhe një mysliman.

“Shkallën më të lartë të zhvillimit të saj argjendaria e arriti në shekullin XIX. Sipas të dhënave të konsullit francez në Shkodër, E. Vit, në Prizren më 1866 kishte 47 punishte të veçanta të argjendarisë. Përveç këtyre, kishte edhe 15 punishte në të cilat zbukuroheshin armët dhe 7 të tjera në të cilat zbukuroheshin ekskluzivisht gërshërët dhe thikat", ka shkruar Ahmeti në librin e tij “Theranda-Prizreni ndër shekuj”.

Në bazë të të dhënave të historianëve dhe kujtimeve të mjeshtërve të këtij zanati, punëtoritë e argjendarëve kanë qenë të përqendruara në qendrën e qytetit, afër Shatërvanit, në kuartin e veçantë që njihej si Çarshia e Kujunxhinjve. Aty ka qenë e vendosur edhe Çarshia e Armëpunuesve, me të cilët, sipas Ahmetit, argjendarët kanë bashkëpunuar ngushtë në zbukurimin e armëve dhe pajisjeve tjera të luftës.