Kulturë

Zef Toçi – surrealisti që përcolli me art ritmin e jetës

Që një pikturë të ketë përmbajtje, ajo kërkon edhe një “anë teknologjike” që i mjeshtëron në një harmoni të mundshme elementet reale dhe ato mbireale. Gjatë një krijimtarie artistike që shtrihet prapa në kohë në katër dekada, piktori Zef Toçi ia dha këtë “përmbajtje” pikturës. Stili i tij i veçantë surrealist, që endej mes ngjyrave të buta e të ftohta, përjetësoi në vepra artistike ndjesi, gjendje e tema nga përditshmëria deri te kombëtarja

Nëpërmjet surreales si vokacion, subjektet përherë me një vulë nga realitetet shqiptare fitonin statusin e kryeveprave të mjeshtëruara mes ngjyrërash të ngrohta e të metalta. Në alkiminë e vet krijuese, piktori Zef Toçi i mëshonte filozofisë që surrealizmi, me copëza hem të reales, hem të abstraktes, përcjell “ritmin e kohës sonë”.

Me një formim solid prej piktori në Bruksel e Beograd, artisti që jetoi e krijoi në Prizren është ndarë nga jeta të martën vonë. Në shtator do t’i mbushte 80 vjet.

Për njohës të artit pamor, Toçi ishte një nga ata që e fuqizuan artin akademik përmes individualitetit të tij që u dha jetë natyrave të qeta me elemente shpesh edhe mbireale.

“Një tërësi që ka përmbajtje”

Artisti jetëndërruar procesin krijues e përshkruante si diçka në të cilin duhet të pahëtohet edhe “ana teknologjike”: kështu, në një nga kanavacat e tij kishte vënë në epiqendër një hallkëzim shpirtëror mes një fyelli dhe disa elementeve gjeometrike, në një anë, dhe plisit e pëllumbit në anën tjetër.

“Ana teknologjike kërkon mjeshtri e punë sistematike, ashtu që elementi ta sjellë elementin tjetër e kështu të krijohet një tërësi që ka përmbajtje”, kishte thënë Toçi nga atelieja e tij në emisionin “Sot” të transmetuar në KTV para gjashtë vjetësh.

Një plazmim elementesh reale dhe surreale vihet re edhe te piktura “Adem Jashari”, vaj në pëlhurë, të cilin Toçi në maj të vitit 2019 e kishte bashkëndarë për miqtë e tij në “Facebook”.

“Krijimtaria ime ndahet në tri periudha: në para, gjatë dhe pas luftës”, e kishte përshkruar 11 vjet më parë Toçi jetën e kaluar pranë artit. E pikërisht në vazhdimësinë e lirisë zunë vend edhe vepra që ai i kishte emëruar kuptimplotë si “Kërkesa e lirisë”, “Shtegtimi”, “Qëndresa”, “Toka jonë”, “Bombardimet e NATO-s”, e të tjera. "Unë e di se piktura është përkushtim dhe jam i kënaqur me atë që kam bërë", thoshte piktori që kishte atelienë e tij në Shadërvan.

Image
“Ana teknologjike kërkon mjeshtri e punë sistematike, ashtu që elementi ta sjellë elementin tjetër e kështu të krijohet një tërësi që ka përmbajtje”

Çeku: “Artisti që ngriti vlerat e artit pamor”

I varrosur të mërkurën në Varrezat e Prizrenit, piktori Zef Toçi është vlerësuar për atributet e tij si profesionist e njeri. Në mesin e një miriade ngushëllimesh gjatë gjithë ditës, ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, ka thënë se vendi ka humbur një artist që ishte shembull për punën, atdhedashurinë dhe mirësinë e tij.

“Maestro Toçi ka qenë një prej artistëve që dha kontribut të lartë në kulturën tonë, veçanërisht në fushën e artit pamor, duke ngritur dhe jetësuar vlerat tona kombëtare për më shumë se gjysmë shekulli”, ka shkruar Çeku në një telegram ngushëllimi.

Ministri i Kulturës, tutje, ka vlerësuar se piktori i ndjerë ka kontribuuar në ngritjen e vlerave artistike përmes “stilit surrealist në shprehësinë e tij artistike”.

“Ne do ta kujtojmë gjithmonë si shembull për punën, atdhedashurinë dhe mirësinë e tij. Ndërsa krijimtaria që ka lënë pas do t’u shërbejë gjeneratave të tëra”, përfundon telegrami i nënshkruar nga ministri Çeku.

“Një emër që e tejkalon Prizrenin”

Nëpërmjet një afishimi në “Facebook”, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka shprehur pikëllimin për ndarjen nga jeta e artistit Zef Toçi, duke e cilësuar atë si një prej figurave më të rëndësishme të artit në Prizren dhe Kosovë.

“Toçi me dekada të tëra ka hapur ekspozita unike në Prizren, por edhe në vende të ndryshme të botës, duke i dhënë një kontribut shumë të çmueshëm artit në vend”, ka shkruar Haskuka, duke përkujtuar edhe një mirënjohje që Komuna i kishte ndarë të ndjerit më 2019 për kontribut në artin pamor.

“Në emër të qytetarëve të Komunës së Prizrenit dhe në emrin tim personal, dua t’u shpreh ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve të tij. Veprat e tij do ta mbajnë të gjallë gjithmonë!”, ka shkruar kryetari i Prizrenit.

Me një ngushëllim drejtuar familjes Toçi, dega e LDK-së në Prizren e ka përshkruar piktorin e ndjerë si një ndër njerëzit më të dashur e më të respektuar në qytet.

“Ai iku nga kjo botë, por prapa la veprat e tij, rreth 1 mijë piktura, prej të cilave 400 gjenden në atelienë e tij personale”, thuhet në shkrimin e kësaj partie të nënshkruar nga Anton Quni e të shpërndarë përmes mediave sociale.

Image
“Adem Jashari”, Zef Toçi, vaj në pëlhurë, 100 me 150 centimetra, 2019

“Shatërvani pa piktorin e dashur”

Deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, e ka cilësuar si humbje të jashtëzakonshme ndarjen nga jeta të mjeshtrit të pikturës. Sipas tij, Toçi me stilin e tij unik surrealist “e lartësoi artin shqiptar në nivele akademike”.

“Prizreni dhe Shatërvani nuk do të jenë njëjtë, nuk do ta shohim atë më brushë në dorë, duke e jetësuar inspirimin e tij. Megjithatë, trashëgimia e pasur artistike, falë ateliesë së tij, qëndron si dëshmi e jetës së pasur dhe krijimtarisë së bujshme të një artisti të madh. Dritë i pastë shpirti”, ka shkruar deputeti Abrashi.

Për njerëz që e njohën atë, Prizreni do të jetë artistikisht më i varfër pa piktorin e mrekullueshëm dhe njeriun e urtë e të dashur me të gjithë.

“Veprat e Toçit qëndrojnë si dëshmi e jetës së pasur dhe krijimtarisë së bujshme të një artisti të madh”, ka shkruar Jeronim Susuri, drejtor i Gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren.

Image
“Kërkesa e Lirisë”, Zef Toçi, vaj në pëlhurë, 144 më 100.5 centimetra, 2001

Nga “Medalja e Argjendtë” në Belgjikë deri te ekspozitat

I lindur më 15 shtator 1941 në Mitrovicë, familja e Toçit do të vendosej qysh herët në qytetin buzë Lumbardhit.

Në Prizren kreu shkollën fillore dhe gjimnazin, përderisa në vitet pasuese do t’i vijonte studimet në degën e Artit Figurativ pranë Shkollës së Lartë Pedagogjike. Ishte pikërisht ky mjedis ku maestrot Muslim Mulliqi e Gjelosh Gjokaj identifikuan talentin e tij. Më 1972, studenti nga Kosova u diplomua për Pikturë në Akademinë e Arteve në Bruksel, në klasën e Georgina Iserbut. Po atë vit ai u shpall Student i Vitit dhe u laureua me “Medaljen e Argjendtë”, që e ndan Mbretëria e Belgjikës. Do t'i vazhdonte studimet postdiplomike në Akademinë e Arteve në Beograd, ku më 1981 diplomoi në klasën e Zoran Petroviqit.

Punoi fillimisht në Normalen e Prizrenit, më vonë si kreator i tekstileve në kombinatin “Printeks”, kurse në fund të viteve '70 u angazhua si profesor i Artit Figurativ në Akademinë Pedagogjike. Nga viti 1982 deri në pensionim punoi në shkollën e mesme ekonomiko-juridike në Prizren.

Si anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës, mori pjesë në ekspozita kolektive brenda e jashtë vendit.

“Në pikturat e tij mbizotërojnë trajtat e natyrës së qetë me shprehje poetike dhe mbireale. Portretet, peizazhet dhe kompozicionet i shquan harmonia tonale me aksente të veçanta”, thuhet në fund të zërit për Zef Toçin, të përfshirë në vëllimin e dytë të Fjalorit Enciklopedik të Kosovës.

Qysh herët krijimtaria e tij u pa jashtë vendit. Pas dy ekspozitave në Prizren, më 1966 dhe më 1967, në vitin 1968 ekspozoi në Galerinë e Arteve në Bruksel. Po atë vit, hapi ekspozitë në Qendrën e Kulturës në Prizren, më 1969 në Beograd, më 1971 në Qendrën e Kulturës në Mol të Sllovenisë, në Opati të Kroacisë më 1972, kur ekspozoi sërish në Bruksel, më pas asokohe në Teatrin Popullor Krahinor (1974), në Beograd më 1976 sikurse edhe në Prizren e Prishtinë.

“Unë e di se piktura është përkushtim dhe jam i kënaqur me atë që kam bërë", do të thoshte Toçi në një intervistë vite më parë.

Më 1999 hapi ekspozitë në Prizren e tek më 2010 u hap ekspozita e tij personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës. U ekspozuan 40 vepra, një përzgjedhje prej opusit të tij të gjerë prej mbi një mijë, e të cilat, jo pak, gjenden në galeri e koleksione jashtë vendit. Ishte ekspozita e parë personale në institucionin më të lartë të artit pamor në Kosovë, ani pse asokohe kishte gjysmëshekulli karrierë. Ekspozitën e tij në qershorin e 2010-s në GKK e përjetoi si emocion të madh. “Kam shumë piktura të mbyllura në Galerinë në Prizren, me të cilat do të mund t’i mbuloja tri hapësira të tilla, por kaq pati vend kësaj here”, kishte thënë Toçi.