Ka nisur projekti më i madh dhe më i gjerë i restaurimit të monumentit 1486 vjet të vjetër, xhamisë Aja Sofija në Stamboll.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Turqisë ka njoftuar se kupola kryesore do të jetë më rezistente ndaj tërmeteve dhe se gjendja origjinale e objektit monumental do të ruhet me kujdes, transmeton “Al Jazeera”.
Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy, ka thënë se ky projekt do ta mbrojë historinë dhe të ardhmen e Aja Sofisë.
Ersoy ka shkruar në rrjete sociale se punimet do të kryhen nga jashtë për të shmangur dëmtimin e mozaikëve në sipërfaqen e brendshme të kupolës.
Ka bërë të ditur se ceremonitë fetare në xhami do të vazhdojnë gjatë gjithë kohës së projektit restaurues.
Aja Sofija ka qenë kisha më e madhe e krishterë e Perandorisë Bizantine, derisa u pushtua nga sulltani osman Mehmet në vitin 1453 dhe pas kësaj, ishte një nga xhamitë më të famshme për 500 vjet.
Më shumë se 70 vjet më parë, Republika laike e Turqisë e shndërroi këtë xhami në muze, deri në vendimin e presidenti të Turqisë Recep Tayyip Erdogan kur këtë monument e riktheu në xhami në vitin 2020.
Për shumë myslimanë konservatorë konsiderohet e treta e rëndësishme pas Xhamisë së Madhe të Mekës e “Al-Aksës” së Jerusalemit. Prejse ishte ndërtuar në shekullin e gjashtë, ka rënë herë në duar të një perandorie e herë të tjetrës. Aja Sofija ka qenë katedrale bizantine, xhami në kohën e osmanëve dhe në fund muze, duke u kthyer në njërën prej simboleve më të fuqishme të rivalitetit ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve, dhe simboli më i fuqishëm i përkushtimit të ri të Turqisë ndaj shekullarizimit. Kur Erdogani mori vendime për ta rikthyer në xhami funksionale, qe një përmbushje e ëndrrës personale, të mbështetësve dhe të myslimanëve konservatorë edhe përtej brigjeve turke – duke nxitur një zemëratë të madhe ndërkombëtare.