Ekspozita “Vorbull hijesh” e projektit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë” është derivat i një punëtorie të gjatë, të mbajtur nga organizata “Aksioni kundër dhunës dhe ndërtimi i paqes”. Veprat, që prej të martës për një javë do të jenë të ekspozuara në Modelariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, ngjajnë me njëfarë minimuzeu të luftës. Është hapësirë ku qytetarë të moshave të ndryshme u kanë dhënë frymë kujtimeve të veta
Në prapavijë janë kodrinat, ku ngjyra e gjelbër ka nisur të marrë hov. Është fillimi i majit dhe gjethet janë duke marrë jetë. Por, në qendër të veprës është e kundërta.
Forcat serbe shtinë me armë drejt civilëve. Nën tytat e armëve ka prej atyre që synojnë t’i ikin vdekjes. Tragjedia e 2 majit 1999, në fshatin Studime të Vushtrrisë, ka të regjistruara 116 viktima. Tabloja e Habibe Gërxhaliut është njëra prej 31 veprave të qytetarëve të Kosovës që kanë marrë penelin për t’iu dhënë ngjyrë kujtimeve të tmerrshme. Është njëfarë trajtimi psikologjik i asaj që kanë përjetuar e njëkohësisht një përkujtim i ditës që në mendjen e atyre që e kanë përjetuar është e përhershme.
Ekspozita “Vorbull hijesh” e projektit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë” është derivat i një punëtorie të gjatë të mbajtur nga organizata “Aksioni kundër dhunës dhe ndërtimi i paqes”. Veprat, që prej të martës për një javë do të jenë të ekspozuara në Modelariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, ngjajnë me njëfarë minimuzeu të luftës. Është hapësirë ku qytetarë të moshave të ndryshme u kanë dhënë frymë kujtimeve të veta. Rrëfimet prej refugjati, ato të shkrumbimit të pronave të tyre, të vrasjeve të familjarëve të tyre e përjetime të tjera, kanë marrë ngjyra në veprat që shtrihen anembanë hapësirës. Vlera e pikturave, e vizatimeve, qëndron te dokumentimi e mundësia e njëfarë trajtimi psikologjik të përjetimeve të luftës. Poshtë veprave janë edhe tregimet me shkrim.
Mësimdhënësja Habibe Gërxhaliu është prej atyre që ka gërmuar në kujtesë përderisa ka qenë përballë pëlhurës. Nuk i është dashur ta mundonte fort veten për detaje, pasi kujtimet e ditës kur, midis të tjerëve, iu vra edhe bashkëshorti i ka shumë të freskëta.
“Kjo organizatë na ka bërë që ta shpalosim varrën që e kemi prej vitit 1999. Këto plagë asnjëherë nuk shuhen te ne. Nëpërmjet kësaj pikture kam paraqitur masakrën e Studimes, që ndodhi më 2 maj e të cilën e përjetuam me fëmijët e familjen time”, ka thënë ajo. Sipas saj, ky projekt i ka bërë ta thonë atë që e kanë në shpirt.

“Shpesh kam dëgjuar që thonë ndoshta plagët shërohen, por kjo nuk ndodh. Për hir të fëmijëve jemi më të qetë e mundohemi ta kalojmë atë që ka ndodhur”, ka thënë ajo. Lëvizjet nga një vepër te tjera janë si lexim i tregimeve për luftën e vitit 1998-1999 në pothuajse çdo cep të vendit. Rrëfimet që vijnë në tablo përfshijnë thuajse të gjitha komunitetet. Të gjitha i bashkojnë vorbullat e hijeve që autorët i kanë në mendje çdo ditë.
Emine Ismajli, e cila udhëheq organizatën “Aksioni kundër dhunës dhe ndërtimi i paqes”, ka thënë se janë duke bërë dokumentimin e tregimeve të njerëzve me të cilët punojnë.
“Ekspozita është hapi i parë i dokumentimit. Nuk ka qenë aspak e lehtë për të gjithë ata që i kanë paraqitur në pëlhurë kujtimet që i bartin më vete. Nuk ka qenë e lehtë as për mua që jam marrë me tregimet, sepse tregimet brenda vetes kanë shumë dhimbje”, ka thënë ajo në hapje të ekspozitës. Sipas saj, ka plagë të hapura për të cilat nevojitet kohë që të mbyllen.
“Mirëpo njerëzit që janë autorë të këtyre punimeve janë të fortë, përkundër asaj që kanë kaluar para luftës, gjatë e pas luftës. Janë aq të fortë sa janë të gatshëm që të bëjnë hapa drejt ndërtimit të paqes dhe për një të ardhme më të mirë. Kjo është shumë e rëndësishme për ditët e sotme kur shumë luftëra janë duke ndodhur”, ka thënë ajo.
Ky projekt është përkrahur nga organizata gjermane “KURVE Wustrow” duke mbështetur organizatorët me mjete që burimin e kanë te Qeveria e Federatës Gjermane.
Koordinatori rajonal i “KURVE Wustrow”, Amjad Mitri, ka thënë se kjo punë ka vlerë të shumëfishtë.
“Jemi shumë krenarë me këtë iniciativë, sidomos në këtë këto kohë të turbullta që e gjejmë veten sot ku shohim gjenocid, luftëra e konflikte ndëretnike në gjithë botën. Ju keni ndarë përjetimet tuaja të tmerrshme. Jemi të kënaqur që kemi organizata që merren me këtë. Por, këto iniciativa nuk do të ishin të mundura pa rrëfimet tuaja”, ka thënë ai.
Veprat në tërësi janë një rreth vicioz i shpalosjes së përjetimeve personale për luftën në Kosovë. Krejt bashkë formojnë një pavijon të veçantë rrëfimi. Në anën sensuale janë variacion i njëra-tjetrës, përderisa estetikisht paraqesin hapësira të ndryshme gjeografike e personazhe të ndryshme po ashtu.
Përballja me të kaluarën është prej sfidave më të mëdha në vendet ku luftërat lënë pasoja si rasti i Kosovës, ku mbi 10 mijë civilë mbetën të vrarë.
“Na është dashur që për fëmijët tanë të bëhemi psikologë e pedagogë, të merremi me ata që ta tejkalojmë situatën. Shpesh s’kemi qenë vetvetja. Është dashur t’i mbyllnim plagët para fëmijëve e të merremi me ta. Kjo nuk tejkalohet asnjëherë pasi është plagë shumë e rëndë. Para fëmijëve të vritet prindi, këtë e bëjnë veç kriminelët”, ka thënë Habibe Gërxhaliu. Shqetësuese për të është fakti që kriminelët jetojnë ende të lirë. E tablotë e tyre, midis të tjerash, janë edhe thirrje për drejtësi. Janë thirrja e radhës 25 vjet pas luftës në Kosovë.