I veshur me gurë të Shqipërisë dhe asi të sjellë nga Izraeli. Muzeu Hebraik Shqiptar në Vlorë pritet të jetë nikoqir i vizitorëve që duan të mësojnë më shumë për historinë e hebrenjve në Shqipëri e me fokus të veçantë në periudhën e Luftës së Dytë Botërore.
Në 18 muaj pritet që ndërtesa të jetë gati, përderisa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar që muzealizimi të vazhdojë paralelisht dhe në përfundim të ndërtesës ajo të mos mbetet e mbyllur me dry. Muzeu Hebraik Shqiptar është projekti më i ri që u zgjodh të ndërtohej në Vlorë, që ishte shtëpia e komunitetit më të madh hebraik në Shqipëri.
Muzeu është duke u ndërtuar mbi lagjen e dikurshme të hebrenjve dhe ndodhet në sheshin kryesor të qytetit, afër tre muzeve të tjerë, Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, Muzeut Historik dhe Muzeut Etnografik, ku Muzeu Hebraik Shqiptar do të jetë pjesë e kompleksit kulturor.
Kryeministri Edi Rama së bashku me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, kanë vizituar ecurinë e punimeve të nisura para një muaji.
“Vlen të meritojë më shumë prezantimi këtu, sepse objekti nuk shtrihet vetëm në këtë mbrojtjen e objektit ekzistues, i cili është objekt i mbrojtur, po është gjithëpërfshirja po themi në gjithë këtë ansambël urban, ku ndihet fryma e restaurimit të Lagjes së Hebrenjve, që quhej njëherë e një kohë. Ndërtimi është jashtëzakonisht shumë kompleks. Do të ketë disa përforcime që do të bëhen gati dhe strukturat e xhamit do të jenë unike në të gjithë Shqipërinë. Edhe në botë ka shumë pak struktura të tilla”, kanë bërë të ditur përgjegjësit e punimeve të të parit të Qeverisë së Shqipërisë.
Kryeministri Rama ka kërkuar përshpejtimin e punimeve derisa ka shtuar se ky muze është një gur i munguar në mozaikun e Vlorës dhe në mozaikun shqiptar dhe se me vendosjen e linjës ajrore direkt me Izraelin do të kthehet në një destinacion të lakmuar turistik.
“Besoj që do ta bëni më shpejt se dy vjet apo jo, domethënë besoj që është ndërtim që ka kompleksitet, por nuk është i pamundur që për 8 muaj të bëhet nga ana ndërtimore. Unë mendoj që kompania për 8-9 muaj e mbyll këtë. Është shumë e rëndësishme që të kuptohet nga të gjithë që ky është një gur i munguar në mozaikun e Vlorës po edhe në mozaikun shqiptar. Historia e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët është një histori e jashtëzakonshme, është një trashëgimi historike, kulturore e jashtëzakonshme për të gjithë ne dhe flet jashtëzakonisht shumë për shqiptarët, qofshin myslimanë apo të krishterë...”, ka thënë Rama. Sipas tij, Vlora është me fat dhe duhet të jetë krenare që e ka këtë histori.
Paralelisht aty pranë po ndërtohet edhe Qendra Multifunksionale e Zhvillimit Rajonal, e cila do të kthehet në një vatër të teknologjisë dhe inovacionit me plot aktivitete sociale e kulturore për të rinj e të reja që kanë prirje në fushën digjitale.
Sipas kryeministrit Rama, tashmë kjo pjesë e qytetit po merr formën e duhur.
“Kjo ishte një kufomë në mes të sheshit. Kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Ky është si një shesh me godinë, nuk është më një tmerr. Kjo do të jetë një qendër spektakolare e teknologjisë, start-up, art, kulturë, zhvillim rajonal. Kjo është shëtitore vertikale që njerëzit mund të lëvizin lart e poshtë dhe u krijon dhe pika qëndrimi, kafe-bar. Nga çfarë kemi folur me disa të huaj, këtu do të vijnë të vendosen dhe të huaj, start-up të huaja këtu. Kjo godinë do të ketë legjislacionin e veçantë, do ketë legjislacionin e tekno-parkut. Kush hyn këtu brenda do të ketë një status tjetër”, ka thënë ai.
Qendra Historike e Vlorës tashmë e restauruar në pjesën më të madhe është kthyer në një destinacion të ri të vizitorëve që pos bregdetit duan të dinë më shumë për qytetin prej ku më 1912 Shqipëria ia bëri të ditur botës se ka shpallur Pavarësinë. Pjesa e vjetër e qytetit gjatë muajve të verës pret vizitorë kryesisht joshqiptarë dhe bizneset aty, sidomos ato të gastronomisë në numër jo të vogël, udhëhiqen nga sipërmarrës të huaj, kryesisht italianë.