Kulturë

“Vjeshtë” në harmoninë e festës së jazz-muzikës

Dita Ndërkombëtare e Jazzit

Në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Universitare, Dita Ndërkombëtare e Jazzit të martën u shënua me performancë të arrirë nga talente të rinj, te të cilët muzika jazz buron natyrshëm (Foto: Arben Llapashtica)

I veçantë ka qenë festimi në Prishtinë i Ditës Ndërkombëtare të Jazzit. Nuk ka qenë thjesht koncert por përurim i jazz-ansamblit “Vjeshtë”, i cili bën bashkë muzikantë të rinj. Dëshmon potencialin dhe pasuron jazz-skenën vendore. Njashtu si ansambli, koncerti ka qenë në harmoni me ditën kur bota me jazz feston për jazzin

Si zhanër, fillet i gjenden në vitet e hershme të shekullit XX, kur bashkë me të nisi dhe një liri artistike e të shprehurit e cila karakterizonte çdo sferë të jetës, veçanërisht aty ku arti e bënte vendin lehtazi. Tash e gati dy shekuj, jazz-muzika vazhdon të jetë ndër shprehjet muzikore që karakterizohet për nga ndjeshmëria dhe raporti intim me instrumentet.

Është unik edhe për nga performanca, teksa tërheq audiencë shpesh të veçantë, që i kushton rëndësi estetikës së tingullit. 

Si simbolikë e vlerësimit dhe rikujtimit të rëndësisë së këtij zhanri, organizata botërore UNESCO, në vitin 2011 kishte vendosur që 30 prilli të shërbente pikërisht për këtë. Theksimi i rëndësisë së jazz-muzikës dhe roli i saj në bashkimin e njerëzve nga të katër anët e botës, vazhdon të shënohet tash e 13 vjet. Shënohet në 190 vende botës, e sivjet mikpritësi zyrtar ka qenë qyteti i Tangier në Marok. 
Kjo datë nuk u la anash as në Kosovë. Në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Universitare, u shënua me performancë të arrirë nga talentë të rinj, te të cilët muzika jazz buron natyrshëm. 

“Vjeshtë” është ansambli më i ri i cili hyn në historinë e jazz-muzikës në vend. Mes traditës e cila nisi me Etta James e deri tek inovacioni, nëpërmjet rikrijimit të hiteve të këngëtares Dua Lipa, kuinteti i përbërë nga Genc Hajrizi në piano, Yllka Simnica në kitarë e flaut, Olti Perjuci në perkusione, Urim Maliqi në kitarë, dhe Andra Rexhepi në vokal, i dhanë publikut një performancë të rrallë, e cila si iniciativë kishte nisur nga saksofonisti dhe profesori Dukagjin Muhaxheri. Përveç përgatitjes për këtë shfaqje, ai gjithashtu i përcolli ata dhe me saksofon e piano, ndërkaq puna me ta, për të ka qenë e lehtë përderisa pasioni dhe dashuria për këtë zhanër i ka përcjellë përgjatë përgatitjes dhe performancës.

Harmonia dhe kimia mes anëtarëve të bendit, për Muhaxherin është ndër elementet kryesore që u ka mundësuar atyre që në performim ta arrijnë këtë lirshmëri dhe natyralitet.

“Secili prej tyre e do punën e vet, andaj dhe puna në grup që e kemi realizuar u ka mundësuar atyre që të përshtaten me secilin, përmes secilit instrument kemi bërë diçka bashkërisht. Pavarësisht programit sfidues, kemi arritur të realizojmë diçka, por mund ta them që ka mbizotëruar dashuria mes krejt këngëve që i kemi luajtur”, ka thënë Muhaxheri, teksa ka theksuar idenë e kultivimit të këtij zhanri edhe përmes inkurajimit të gjeneratave të reja.

Mes traditës e cila nisi me Etta James e deri tek inovacioni, nëpërmjet rikrijimit të hiteve të këngëtares Dua Lipa, kuinteti i përbërë nga Genc Hajrizi në piano, Yllka Simnica në kitarë e flautë, Olti Perjuci në perkusione, Urim Maliqi në kitarë, dhe Andra Rexhepi në vokal, i dhanë publikut një performancë të rrallë e cila si iniciativë kishte nisur nga saksofonisti dhe profesori Dukagjin Muhaxheri (Foto: Arben Llapashtica)

Ky mini-koncert u karakterizua nga një miks jo fort i zakonshëm mes virtuozitetit dhe pasionit për muzikën, nisi me një hit klasik të këtij zhanri.

Andra Rexhepi u ngjit në skenë tok me instrumentistët për të nisur performancën me “At last” nga Etta James, mbretëresha amerikane e jazz-muzikës. Repertori i larmishëm për nga zgjedhjet, teknikat vokale e instrumentale të bendit, evidentuan përgjatë  tërë performancës përkushtimin e  pesëshes në realizmin e një interpretimi të denjë.

Pas Etta James, në të njëjtin avaz vazhduan dhe me këngë të emrave të tjerë që kanë shkruar historinë e muzikës jazz në botë si Frank Sinatra e braziliani Joao Gilberto. Përgjatë koncertit njëorësh, të pranishmit gjetën veten mes një atmosfere e cila jepte përshtypjen e një ambienti  në një bar në New Orleans të Amerikës, 70 vjet më parë. Bashkë me paraqitjen e saj nonshalante në performim dhe zotimin e  skenës, Rexhepi, ani pse ende studente e muzikës, krijon përshtypjen sikur ka karrierë shumëvjeçare.

Për të, përveç punës sistematike dhe përkushtimit maksimal, profesori Dukagjin Muhaxheri ka ndikuar që pasionin për jazzin e zellin e tij në punë ta marrin edhe si inspirim.

“Te ne jazz-muzika nuk është se ka dhe aq shumë impakt. Por, kur kam ardhur në fakultet, e kam takuar profesorin Muhaxheri dhe qysh atëherë, besoj që ai na ka inspiruar, na ka motivuar që ne tash të kemi ambicie reale për këtë zhanër”, ka thënë Rexhepi.

Instrumentistët përveç performancës në grup edhe individualisht dhanë show nëpërmjet relacionit të tyre plot pasion me instrumentet. Loja në perkusione e Perjucit shpesh ka pasur momente kulmore në solo. Ngjashëm edhe loja plot koncentrim në piano nga Genc Hajrizi, pastaj Urim Maliqi në kitarë. Prekjen e veçantë ia ka dhënë edhe thellësia e tingullit të maestro Muhaxherit në saksofon, ndërkaq pos kitarës, Yllka Simnica u paraqit edhe me një pjesë solo, këtë radhë me flaut.

“Misty” nga Chet Baker, inovatori amerikan në jazz-muzikë, qe kënga me të cilën ajo bashkë me flaut dhe përcjellje në piano nga Dukagjin Muhaxheri i kanë dhënë koncertit emocione të tjera.
Por, për të arritur deri në këtë pikë, veç pasionit, u desh dhe punë dhe konsistencë. 

“Mund të them që ndoshta improvizimi është pika kyçe e një jazz-standardi, por, padyshim që pa ndihmën e profesorit Dukagjin nuk besoj që kisha arritur në këtë nivel”, ka thënë Yllka Simnica.
Iniciativa të tilla si formimi i këtij ansambli dhe vetë koncerti, dalin të jenë të mirëpritura nga talentet e rinj të cilët janë ende në hapat e parë të krijimit të identiteti të tyre artistik. Skenat dhe bashkëpunimet si këto, për ta janë mundësi të vyera në shërbim të formimit të tyre.

Andra Rexhepi u ngjit në skenë tok me instrumentistët për të nisur performancën me “At last” nga Etta James, mbretëresha amerikane e jazz-muzikës. Repertori i larmishëm për nga zgjedhjet, teknikat vokale e instrumentale të bendit, evidentuan përgjatë  tërë performancës përkushtimin e  pesëshes (Foto: Arben Llapashtica)

“Jemi me fat që i kemi këto ngjarje, dhe që po mund të angazhohemi edhe në koncerte të tjera përveç muzikës klasike ose asaj pop-rock, kështu që po më vjen mirë që ngjarje të tilla kushtuar jazzit, po ndodhin”, ka thënë Genc Hajrizi, pianisti i kuintetit.

Ky talent dhe përkushtim nuk kaloi pa u vlerësuar. Besa Luzha profesoreshë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës ka thënë se në kuadër të lëndës zgjedhore të muzikës jazz, shumë studentë kanë arritur ta gjejnë veten.

“Ky grup, ka disa kohë që i shoh që janë shumë aktivë në raste të ndryshme, por më ka ardhur shumë mirë kur e pashë që e kanë formuar një bend kështu zyrtarisht. Janë të gjithë studentë të jashtëzakonshëm, të shkëlqyer secili në instrumentin e vet. Vërtet është bukur që janë kombinuar të gjithë dhe sot në Ditën Ndërkombëtare të Jazzit na dhuruan këtë koncert simpatik, shpresoj që të vazhdojnë dhe me tutje dhe besoj që do të jenë shumë aktivë në skenën muzikore”, ka thënë Luzha, duke u shprehur se shpreson që jazz-skena në Kosovë të pasurohet dhe më tej nëpërmjet iniciativave të tilla.

“Vjeshtë” vjen jo vetëm si një ansambël vokalo-instrumental, por si një grup talentesh që veçohen për nga stili autentik dhe pasioni i sinqertë për jazzin. Akustika e sallës së Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare i është përshtatur lojës në harmoni në koncertin i cili kumboi si festë për jazzin, rikujtim i diversitetit muzikor në vend dhe paraqitje shpresëdhënëse se “Vjeshtë” do të jetë për shumë gjatë në skenën muzikore.

E ka nisur mbarë pikërisht në ditën kur UNESCO-ja inkurajon shkollat, universitetet dhe organizatat joqeveritare në mbarë botën për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Jazzit. Tangier në Marok, shënon herën e parë që një qytet në kontinentin afrikan pret Ditën Ndërkombëtare të Jazzit. Në udhëkryqin midis Evropës dhe Afrikës, ky qytet krenohet me një histori të gjatë dhe të pasur të jazzit dhe është i njohur për trashëgiminë e tij të këtij zhanri muzikor. Shumë jazz-artistë me famë botërore kanë performuar dhe kanë kaluar kohë në Tangier, duke përfshirë këngëtaren Josephine Baker, saksofonistët Ornette Coleman dhe Archie Shepp, flautistin Herbie Mann dhe pianistin Randy Weston, i cili jetoi në Tangier për shumë vjet.