Dita e parë e vitit 2024, njëzet e një artistë të rinj nga Kosova i ka gjetur në skenë me Orkestrën Simfonike të Vjenës. Qenë aty edhe më 30 e 31 dhjetor të vitit paraprak. Salla e Koncerteve në kryeqytetin austriak ka qenë nikoqire e “Simfonisë së nëntë” të Ludwig van Beethovenit. Në skenën e Sallës së Madhe, siç edhe e mban emrin, qenë edhe anëtarët e korit “Siparantum” nga Kosova. Kanë interpretuar njërën prej veprave më të njohura vokalo-instrumentale të muzikës klasike. Dukej si ogur i mirë në ditën e parë të Vitit të Ri.
Por në 364 ditët e tjera kultura e Kosovës ka njohur suksese të mëdha, por edhe dështime të pashembullta. Dështimet siç ndodh rëndom vijnë nga skena institucionale. Kurse organizatat e artistët e pavarur kanë vazhduar rrugëtimet e suksesshme. Shqiptarët në përgjithësi më 2024 fituan një njohje të madhe të kulturës në botë, futjen e “Kcimit të Tropojës” në Listën e Trashëgimisë Botërore jomateriale të UNESCO-s. Por humbën më të madhin emër të letrave shqipe në botë, Ismail Kadarenë. Humbjet nuk u ndalën me kaq. Qenë të natyrave të ndryshme.
Ismail Kadare, Rexhep Ferri, Tahir Emra...
Kumti i ditëve të para të korrikut nuk preku vetëm kulturën shqiptare. Janë rreth 50 gjuhë të lidhura me emrin e Ismail Kadaresë, e brenda pak kohësh lajmi për vdekjen e një shkrimtari ka marrë globin. Dhe nuk ndodh shpesh. Madje, deri më tash s’ka ndodhur në përmasa të tilla. Rrëfimet lokale të një populli të vogël veç Ismail Kadareja i ka bërë që të komunikojnë në të katër anët e botës. E për këtë duhej mjeshtri. Mjeshtri i rrallë i fjalës së shkruar vdiq pas një sulmi në zemër. Ai ishte 88 vjeç. Prej gjigantit të letërsisë e deri te romancieri që ia zbuloi shqiptarët botës, qenë epitetet globale që mori pak pas vdekjes. E në hapësirat e veta, midis shqiptarësh, u përshkrua si gjeniu që u mungonte këtyre anëve deri në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.
Shqiptarët në këtë vit kanë humbur edhe Zoica Haxhon, primadonën e baletit shqiptar që la gjurmë edhe në Kosovë, Tahir Emrën, piktorin e themeleve të artit dhe dramës të Kosovës, e Nebih Muriqin, artistin që pikturonte botën shqiptare. Te artet pamore vdekja e Rexhep Ferrit qe më peshërënda. Ai qe artisti që e monumentalizoi shpirtëroren nëpërmjet tablove. Ferri, i cili vdiq në moshën 86-vjeçare, bashkoi mitet, legjendat e historitë e këtyre anëve në tablo, poezi, prozë e ese. Nuhi Vinca, studiuesi i lirikës popullore me dashurinë e poetit, Mehmet Rukiqi, dokumentuesi vullnetplotë i traditës popullore, Agim Doçi, poeti e autori i këngëve të pavdekshme, Antonio Bellusci, zëri i arbëreshëve e arvanitasve, miku i të gjithëve, e Shirine Morina, aktorja ikonë e komedisë, renditen te humbjet e këtij viti. Aty zënë vend edhe Lindita Ahmeti, poetja që zhytej në mitologji, kapërcente realitete, Jorgo Papingji, poeti i këngës shqipe, indoeuropeisti e albanisti Heiner Eichner, Bajram Sefaj, gazetari e shkrimtari origjinal, Sulejmon Haxhikadrija, piktori i brezave të parë, Liliana Cingu, ikona e valleve shqiptare, akademik Feriz Krasniqi, dijetar botëror e emblemë e arsimit, Adem Gashi, poeti lirik i paradokseve, e Bajar Berisha, dirigjenti i pazakonshëm e muzikanti i rrallë. Elita intelektuale shqiptare mbeti pa estetin e njohur, profesorin Kadri Metaj i cili vdiq më 2 shkurt.
Kurse bota humbi njerëz me ndikim të madh në art si Alain Delon, ylli monumental i kinematografisë, Donald Sutherland, portreti i 190 filmave, aktivisti kundër luftës, Steve Albini, projektuesi ikonik i skenës së rockut alternativ, poetin e hekurt Richard Serra e Louis Gossett Jr, fitues i çmimit “Oscar”.
“Oscari” i harruar dhe “Rrugës” për “Palmën e Artë”
Çmimi “Oscar” është një histori e trishtë për Kosovën në dy vjetët e fundit. Ajo që cilësohej si “era e re e kinematografëve” ka nisur të venitet. Përderisa më 2023 Komiteti selektues i Qendrës Kinematografike të Kosovës vendosi që të mos ketë kandidat për çmimin më prestigjioz në botë, sivjet QKK-ja veproi shumë më thjeshtë: Nuk formoi komitet e as nuk hapi thirrje. Arsyetimi i drejtoreshës së QKK-së qe goxha qesharak e dëshmi për punën në atë institucion. “Kishim probleme me e-mail”, do të thoshte ajo në KTV në dhjetor. Problemet nuk u ndalen me kaq. Përderisa më 2023 konkursi për mbështetje të projekteve kinematografike u hap në dhjetor e rezultatet dolën tek vitin tjetër, më 2024 s’pati konkurs fare, me përjashtim atij të dhjetorit për film të metrazhit të gjatë artistik. Por në anën tjetër Qeveria trumbeton alamet buxheti për filmin dhe me rabat synon të bëhet top-destinacion për veprimtari filmike.
Pavarësisht krejt tersit në QKK disa filma bënë rrugën e tyre. “Rrugës” i Samir Karahodës e çoi Kosovën në konkurrencë zyrtare për “Palmën e Artë” në Festivalin e Cannes. Në atë që njihet si Festivali i Festivaleve bota e kinematografisë pa një rrëfim të shkurtër për Kosovën, mundësitë e pamundësitë që ofron ky vend bashkë me storien e luftës e të emigrimit në masë. Sukses pati edhe dokumentari i Norika Sefës, “Si e verdhë e sëmurë”. Mori “Zemrën e Sarajevës” për dokumentar të shkurtër.
Teatri që jashtë shkund edhe nobelistin dhe greva pa shteg
Për dokumentar kanë qenë ngjarjet në Teatrin Kombëtar të Kosovës gjatë vitit. Megjithëse në një bodrum të Pallatit të Rinisë, në pjesën e parë të vitit ky institucion ka shkuar deri në Maqedoni të Veriut, ku ka marrë një çmim e një shfaqje e ka dhënë edhe në Poloni. Por me t’u ofruar fundi i vitit, TKK-ja është katandisur. Aktorët kanë hyrë në grevë dhe pas një muaji e gjysme s’ka ndonjë haber se kur mund të ndërpritet ky aksion sindikal për ngritje të koeficientëve të pagave. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, pa dashur të përballet me problemin direkt ka çuar një negociator te aktorët, por kjo s’ka bërë punë. Gjatë grevës TKK-ja ka përzgjedhur katër aktorë të rinj për t’iu bashkuar ansamblit rezident. Në listën me 31 veta kishte alamet emrash. Por, sipas TKK-së, kanë qenë të interesuar për të rinj. E, këtë nuk e kanë përmendur në konkurs. Si pasojë pas reagimeve, MKRS-ja e ka anuluar krejt procesin. Ky institucion, po ashtu, ka angazhuar dy kompani me pagesë prej 7 milionë eurosh për të restauruar ndërtesën e TKK-së për 12 muaj.
Sa i përket jetës teatrore dramë më vete qenë shfaqjet e qendrës “Multimedia” me tekst të Jeton Nezirajt e nën regji të Blerta Nezirajt.
“Të gjashtë kundër Turqisë” u dha në Prishtinë, derisa Ambasada e Turqisë në Kosovë i kërkoi sqarime Ministrisë së Kulturës për përmbajtjen e dramës. Aty shtjellohet grusht shteti i vitit 2016 në Turqi dhe mungesa e lirisë në disa rrafshe. E njëjta shfaqje e paralajmëruar në Prizren u përball me kërcënime dhe me anulim. Por “trazirat” e produksioneve të qendrës “Multimedia” s’përfunduan me kaq. “The Handke Project” që zhvesh nobelistin si mohues të gjenocidit në Bosnjë-Hercegovinë e krimeve të tjera të Serbisë në Kosovë, u dha në Paris. Në këtë rast u aktivizua vetë nobelisti, ku nëpërmjet avokatit të tij i kërkoi teatrit parisien që ta modifikojë përshkrimin për shfaqjen ose do të përballej me pasoja ligjore. Kësaj radhe arti i Kosovës mori vëmendje jo të vogël.
Opera me “Gocën...” dhe konkurse pa epilog
Vëmendje jo të vogël brenda vendit pati edhe opera “Goca e Kaçanikut” e Rauf Dhomit. E para operë e Kosovës u inskenua nga institucioni i Operës së Kosovës, që është një lloj agjencie që angazhon staf nëpërmjet projekteve. Historia që shpaloset në këtë vepër ka nxjerrë para publikut rrëfime të vjetra dashurie e atdhetarizmi. Në fund të vitit është dhënë edhe në Tiranë. E, në fund të vitit Kosova qe nikoqire e yjeve Saimir Pirgu e Marigona Qerkezi nëpërmjet një koncerti kryevepër. Dyshja interpretoi në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë që ngjan me ndonjë strehimore të luftës. Më në fund më 2024 është miratuar projekti i sallës koncertale në Prishtinë, por është tkurrur në 800 ulëse, e kostoja ka shkuar në mbi 30 milionë euro. Por s’ka afat se kur do të nisë implementimi i projektit. Krejt në fillim të vitit, shkaku i shkeljeve ligjore të Ministrisë së Kulturës, u anulua krejt procesi i konkursit për projektin e Teatrit të Operës dhe Baletit. Në fund të vitit, pasi MKRS-ja ia besoi projektin herë njërës e herë tjetrës kompani konkurruese, lënda ka shkuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik.
Imazhi tjetër me festivale e yje shqiptarë nëpër botë
Kur bëhet fjalë për operat, Elbenita Kajtazi e Marigona Qerkezi kanë vazhduar karrierën e tyre ndërkombëtare. Kajtazi realizoi ëndrrën e saj duke debutuar në Operën Shtetërore të Vjenës krahas Saimir Pirgut. Po në Vjenë anëtarët e korit “Siparantum” u kthyen në 200-vjetorin e veprës ikonike të Beethovenit, duke interpretuar bashkë me Orkestrën Simfonike të këtij qyteti. Ky kor artësoi emrin e Kosovës në Spanjë midis koreve nga 32 vende pjesëmarrëse, interpretoi në Poznan të Polonisë e në Belgjikë u kthye për të marrë vendin e parë.
Filharmonia e Kosovës ka vazhduar me aktivitete si qiraxhi me shpenzime jo të vogla. Kori ka interpretuar në Romë, Greqi e Slloveni. Me shumë më pak koncerte e ka vazhduar rrugën ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota”, por nga “Zamora Folk Festival” u kthyer si fituese e dyfishtë, përderisa Baleti Kombëtar i Kosovës ka interpretuar në Kore të Jugut, New York e Francë.
Ndërkohë Kosova për herë të dytë e realizoi Festivalin e Këngës, i cili u pa si spektakël i guximshëm por i brishtë për nga muzika.
Te muzika pop Dua Lipa në “Royal Albert Hall” u pa si perfeksion i pastër i muzikës e në “Brit Awards” shkoi për trofeun e radhës. Kurse festivali i themeluar prej saj, “Sunny Hill” në Prishtinë elektrizoi masat. Shteti ia dha 16.9 hektarë për 99 vjet në Bërnicë, përderisa biznesi zotohet për 6 milionë investim.
Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” është reprizë suksesi e në edicionin e 23-të kërkoi “Rendin e ri”. Ai i filmit të animuar në Pejë, “Anibar” bëri thirrje për shembje të patriarkatit.
Edhe një thesar në UNESCO, “Ulpiana” e Dresniku si pronë e shtetit
Investimet e shtetit në kulturë në shifra qenë me peshë, por në praktikë jo aq përmbajtjesore. Kultura shqiptare në përgjithësi pati jehonë me pranimin e “K’cimi të Tropojës” në UNESCO si thesar i trashëgimisë botërore. Po në selinë e UNESCO-s, Serbia riktheu propagandën për “monumentet e rrezikuara në Kosovë e Metohi”. Këtë e bëri nëpërmjet Rusisë edhe në OKB.
Përderisa Biblioteka Kombëtare festoi 80-vjetorin si pjesë identitare e kulturës, arkeologët sqaruan se Mbishkrimi i Justinianit në Ulpianë qe dedikim unik dhe politik, jo religjioz. Në Ulpianë u punua pak më 2024, por bashkë me Drensikun janë shpronësuar nga shteti. Pronarët e nxorën në shitje Hamamin e Mitrovicës për 1.6 milionë euro dhe i bënë ofertë shtetit. Hamami i kishte shpëtuar luftës duke pasur më shumë fat se një numër i madh monumentesh. Kosova më 2024 konfirmoi tjetër shifër duke thënë se Serbia ka grabitur 3274 artefakte e jo rreth 1247. Shtëpia e artefakteve Muzeu Kombëtar së paku një vit do të jetë nën dry për restaurimin prej 3 milionë eurosh, e kompleksi memorial “Adem Jasharin” në bazë të një master-plani të paguar prej 8 milionësh do të jetë muze kombëtar i rezistencës.
Skandali me rrafshimin e monumentit të përhershëm
Trashëgimia kulturore dha lajmin më të trishtë në historinë e vendit duke shënuar herën e parë kur shtetit i rrafshohet një monument nën mbrojtje të përhershme. Kompleksi “Saraji i vjetër” në Prizren pësoi nga një investitor privat dhe u rrafshuan tri monumente. Fillimisht të paktën në publik shteti heshti e më pas MKRS-ja renditi disa kallëzime penale, përfshirë edhe për kryetarin e Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj. Kryetari i kryeqytetit historik këtë e ka cilësuar si lojë të fushatës elektorale. Shteti ka vazhduar të kërkojë OJQ për t’i funksionalizuar disa monumente e “Shkolla e parë shqipe” në Prishtinë ka vazhduar të shembet. Lajm më vete qe inaugurimi i Muzeut të Masakrës në Krushë të Madhe si një testament i mizorive të Serbisë.
Ishte Serbia që ndaloi edhe artin e Kosovës. Ajo e thirrjeve për vrasjen e shqiptarëve s’e lejoji “Mirëdita, Dobar Dan!” në Beograd.
Arti i Kosovës prej pushtimit të New Yorkut deri në Venecie
Sa u përket muzeve, Petrit Halilaj bëri namin. Është ëndërr e secilit artist botëror që të ekspozojë në Muzeun Metropolitan të Artit në New York. Petrit Halilaj jo vetëm që e arriti këtë, por atje çoi ëndrrat, imagjinatën e fëmijëve e nëpërmjet tyre zbërthen historinë e Kosovës e të Ballkanit. Me “Abetare” ka pushtuar qiellin e kësaj kryeqendre, nga tarraca e njërit prej institucioneve më prestigjioze të artit në botë. Shteti ka vendosur që ish-“Rilindja”, pjesa e shtypshkronjës, të jetë Muze i Artit Bashkëkohor. Kur e si, mbetet të shihet. Namit të “Manifestës” së vitit 2022 për të cilën shteti pagoi afro 4 milionë euro, i kishte dalë boja shpejt. E më 2024 dështoi shenja 850 mijë euroshe e “Manifestas” – “Qendra për praktika narrative”. Hapësira u bë Drejtori e Kulturës e Komunës së Prishtinës. Më pas Komuna zbuti tensionet duke thënë se hapësira mund të përdoret edhe për aktivitete kulturore. Në aktivitetin më të madh të artit bashkëkohor në botë, Bienalen e Venecias “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës” e artistes Doruntina Kastrati ka marrë “Mirënjohje të veçantë”. Artet pamore në Kosovë gjatë viteve ’90 qenë skutave. “Hani i 2 Robertëve” shënoi 35-vjetorin si dëshmia e rezistencës nëpërmjet artit. E rezistenca me art ka ende punë në këto anë.