Kulturë

Virtuozja në violonçel prej Bachut te vepra e Kosovës triumfon pa kushte

DAM

Aurélienne Brauner, e cila ka luajtur me disa prej orkestrave kryesore të Francës e përtej kësaj dhe më 2021 qe emëruar si “supersolistja” e Orkestrës Kombëtare të Francës, ka sjellë frymën e Bachut në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve të mërkurën mbrëma në natën e parë të edicionit të sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM” (Foto: Visar Kadrolli)

Ngjyrat e tingujve të Aurélienne Brauner janë të plota. E qartë, në mjediset e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, akustika ka telashe. E tingujt edhe përzihen me zhurmat që vijnë prej anash. Kjo bie në vesh sidomos kur bëhet fjalë për interpretime solo. Në rastin e Brauner, loja nuk zbehet, por nervozizmi rritet te secili. Janë kushte mjerimi. Megjithatë ajo sfidon kushtet në ambientin ku luan, e triumfon tek zbërthen Bachun, kapërcen te “Lamenti…” i Dea Ahmës për ta përmbyllur furishëm me Gaspar Cassadón

Këmbëzbathur drejt skenës, Aurélienne Brauner ka thjeshtësi të skajshme. Artistja franceze, pak pasi nis lojën, ndoshta më së miri mund të përshkruhet në mënyrën se si pianisti i njohur rus Vladimir Horowitz më 1974 në Nju-Jork e përshkruante veten. Shpjegonte se nuk do të bëjë lëvizje sensuale dhe se në këtë aspekt nuk do të jetë interesant për publikun. 

“Ndoshta nëpërmjet gishtërinjve do të jem (interesant v.j.)” do të deklaronte ai. 

E pikërisht nëpërmjet gishtërinjve Brauner e bën veten interesante. Është aty që të “flasë” me publikun nëpërmjet muzikës. Dhe ia del në mënyrë të përkryer. 

Dy suitat e para të Johann Sebastian Bachut janë pjesa e parë e koncertit. Brauner e cila ka luajtur me disa prej orkestrave kryesore të Francës e përtej kësaj dhe më 2021 qe emëruar si “supersolistja” e Orkestrës Kombëtare të Francës, ka sjellë frymën e Bachut në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve të mërkurën mbrëma në natën e parë të edicionit të sivjetmë të festivalin ndërkombëtar të muzikës “DAM”. Violençelistja, e cila shquhet për zotësinë teknike, ka mprehtësi të madhe që te publiku të sjellë atë që kompozoi gjeniu që jetoi gjatë shekullit 17 dhe 18. Ngjyrat e tingujve të saj janë të plota. E qartë, në mjediset e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, akustika ka telashe. E tingujt edhe përzihen me zhurmat që vijnë prej anash. Kjo bie në vesh sidomos kur bëhet fjalë për interpretime solo. Në rastin e Brauner, loja nuk zbehet, por nervozizmi rritet te secili. Janë kushte mjerimi. 

Lamenti me veprën e radhës sikur i ka shkuar jo pak për shtat krejt ambientit. Ka futur në program veprën “Lament për violonçel solo”. Vepra bashkëkohore e kompozitores së re Dea Ahma është njëfarë vajtimi. Teknikisht do shumë punë. Por artistja nuk e ka telashe. Është njëfarë vajtimi bashkëkohor. Mund të merret edhe si vajtim për instrumentin, pasi klasikja nuk është në ditët e saj më të mira. Fillimisht kjo vepër qe luajtur në Itali nga violonçelistja Martina Rudiq. Në Prishtinë ishte premierë vendore. Dhe, Ahma është kompozitore premtuese, e cila sivjet nis vitin e katërt të studimeve bazike. 

“Sa i përket tematikës ajo është evidente që në titull. Mendoj që i kam qëndruar besnike tematikës, mirëpo me teknika mjaft avangarde dhe mendoj se që dy instrumentistet i kanë qëndruar besnike teknikave. Është shumë e rëndësishme që ajo që qesim në letër, të luhet. Dhe kjo duhet vlerësuar, në këtë rast festivali ‘DAM’ për mundësinë që më ka krijuar’”, ka thënë Dea Ahma. 

Violonçelistja Aurélienne Brauner me lehtësi prej virtuozeje del në krejt tjetër terren. Qe radha e “Suitë për violonçel solo” e spanjollit Gaspar Cassadó. Në këtë rast ka hyrë te kompozimi që shpërfaq melos popullor të folklorit të katalanasve. Është dimension krejt tjetër përderisa klasikja me populloren e një pjese të Iberikut shkojnë shumë ndërmjet vete duke bërë atmosferë mjaft relaksuese në sallën që në hapje të edicionit të 19-të të “DAM”-it ishte gati plot. 

Aurélienne Brauner pas koncertit ka thënë se ishte performancë me goxha intensitet pasi bëhet fjalë për lojë solo dhe duhet fokus i madh. Përzierjen e programit nga stili në stil e ka përshkruar si pasuri. 

“Me violonçel mund të eksplorojmë shumë. Është një instrument i vetëm, por mund të tingëllojë si shumë instrumente të ndryshme. Bach në këtë rast është sikur të shkruhej për organo. Pastaj kishim një vepër bashkëkohore që nxjerr shumë tinguj të ndryshëm ose mund të themi të çuditshëm. Në këtë rast mund të eksplorohen shumë mundësi të lojës. Pastaj Cassadó ka më shumë muzikë popullore ose thënë ndryshe folklorike. Kur ka kaq shumë zëra në një instrument është gjë shumë e bukur”, ka thënë ajo. 

Aurélienne Brauner pas koncertit ka thënë se ishte performancë me goxha intensitet pasi bëhet fjalë për lojë solo dhe duhet fokus i madh. Përzierjen e programit nga stili në stil e ka përshkruar si pasuri (Foto: Visar Kadrolli)

Për organizatorët, premierat kanë tjetër dimension kur interpretohen nga instrumentistë me peshë e në këtë rast nga Brauner që shquhet në gjeneratën e saj për zotësi teknike. 

Drejtori artistik i Festivalit, Dardan Selimaj, njëherësh bashkëthemelues i “DAM”, ka treguar se sivjet është një edicion që në krahasim me të kaluarin vijnë me formate kryesisht të vogla, me interpretime solo e duo. Këtë e ka arsyetuar me pamundësinë e Festivalit për të sjellë ansamble të mëdha edhe shkaku i hapësirave. 

“Edhe 19 vjet pas, hapësirat e këtij dhe festivaleve të tjera, nuk janë në nivelin e duhur në kuptimin që ato nuk mund të realizohen pa ndikimin e zhurmave që vijnë nga jashtë në sallat që kanë nevojë të madhe për t’u rinovuar për koncerte të tilla. Kjo është një prej arsyeve që ky të jetë edicioni i fundit në formatin në të cilin është festivali, për të rigjetur mundësi organizimi në një tjetër format. Organizata do të vazhdojë të jetë aktive, por jo me këtë format të festivalit”, ka thënë ai. 

Gjatë koncertit në një rast i është dashur të dalë jashtë për të parë se çfarë po ngjan me zhurmat që interferonin në sallë. Brenda kompleksit të atij që dikur ishte “Boro Ramizi” zhvillojnë veprimtari disa institucione e organizata. 

Më pak se solide kushtet qenë edhe në Atelie gjatë performancës së Aurélienne Brauner. Por aura e saj interpretative rezonon shumë. Kamuflon rrethanat

Selimaj i cili njëherësh është zëvendësues i drejtorit të Filarmonisë së Kosovës, ka thënë se i vjen keq që në vitin 2006 kur ky festival ka nisur, kushtet në Sallën e Kuqe kanë qenë më të mira sesa që janë sot. 

“Ndoshta tashmë ka kaluar shumë kohë duke mos pasur mundësi që kjo skenë përnjëmend të zhvillohet. Nëse nuk ka një intervenim të shpejtë, unë mendoj se nuk do të shkojë shumë gjatë që skena e muzikës klasike në Kosovë nuk do ta ketë shkëlqimin që e ka pasur sidomos në dhjetë vjetët e fundit”, ka thënë ai. Sivjet nuk kanë aplikuar për subvencionim në Ministrinë e Kulturës shkaku se

Selimaj është pjesë e Festivalit e njëherësh edhe në Filarmoni. Komuna e Prishtinës nuk u ka dalë në ndihmë. Kishin kërkuar mbështetje në infrastrukturë, zërim e ndriçim. 

“Festivali në 19 vjet ka krijuar një reputacion te partnerët ndërkombëtarë dhe zhvillohet. Mendoj se festivalet duhet të fillojnë të gjejnë edhe mënyra të tjera të financimit e jo vetëm nga mbështetja e institucioneve publike të Kosovës. Ose thënë ndryshe institucionet publike duhet të përkushtohen që ta përmirësojnë infrastrukturën për këto festivale që vetëm të mbahen në rrethana standarde, asgjë të jashtëzakonshme”, ka thënë Selimaj. Ka shprehur habi se si nëpër shtëpitë e reja të kulturës nëpër komuna mendohet veç për salla që ngjajnë më shumë në ambiente konferencash dhe pas krejt atyre investimeve s’ka kushte solide për ndonjë koncert. 

Më pak se solide kushtet qenë edhe në Atelie gjatë performancës së Aurélienne Brauner. Por aura e saj interpretative rezonon shumë. Kamuflon rrethanat. E kamuflimet janë deri diku sistem funksionimi në këto anë.