Kulturë

Virtuozi nga Ukraina kap yjet e magjisë së muzikës për vlerat evropiane

Chopin Piano Fest

Ambicioz është programi i edicionit të 14-të të “Chopin Piano Festit”, i cili hapjen e bëri me një emër të njohur për botën e muzikës klasike. Perdja u ngrit me Artem Yasynskyy, pianisti me origjinë nga Ukraina (Foto: Chopin Piano Fest)

Yjet kanë qenë kryefjala e skenës minimaliste jo vetëm për efekte skenike, por edhe si simbolikë e Evropës, vlerave të saj. Por yll në vete është pianisti nga Ukraina Artem Yasynskyy, i cili hapjen e të 14-tit edicion të “Chopin Piano Festit” e ka bërë madhështore me lojë brilante, e muzika për të është ajo që i bashkon njerëzit. E ka dëshmuar për tri orë në skenë, programi nuk ka përfunduar siç e kishte planifikuar pasi tri herë është rikthyer në skenë

Ngjan që muzika klasike shpesh të asocohet dhe me atë që quhet si “kulturë evropiane”. Kjo traditë e karakterizuar me ngjyrime nga oksidenti qysh në shekullin V, në mesjetë nis e merr formën të cilën e njohim sot, e që atëherë krahas stileve të tjera të artit – e veçuar me seriozitet prej kompozimit e deri te dëgjimi – shërben si postulat i vlerave estetike të Evropës. 

Një rikujtim i kësaj u bë dhe në edicionin e 14-të festivalit më të madh të pianos në vend, “Chopin Piano Fest”. Edhe këtë vit data e hapjes së këtij edicioni përkoi me Ditën e Evropës, detaj ky i cili është kthyer në traditë. Përgjatë këtyre 14 vjetëve ky Festival Ndërkombëtar i Muzikës, publikut të Kosovës i ka ofruar mundësinë që të dëgjojnë emra të afirmuar ndërkombëtarisht në zhanrin e klasikes. 

Po aq ambicioz është dhe programi i këtij edicioni, i cili hapjen e bëri me një emër të njohur për botën e muzikës klasike. Perdja u ngrit me Artem Yasynskyy, pianisti me origjinë nga Ukraina. 

U bë e ditur se hapja e festivalit do të fillonte pasi pothuajse të gjithë kishin zënë vendet e tyre në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në kryeqytet. Këtë herë dhe krerët institucionalë të vendit nuk u vonuan, siç u ndodh jo rrallë. Tok me korin diplomatik dhe delegatë të ndryshëm të huaj zunë rreshtin e parë të ulëseve kur nisi fjalimi hapës i kryetares dhe drejtueses artistike të festivalit “Chopin...”, profesoreshës Lejla Pula. Një projektim kompjuterik i yjeve në tavanin e sallës luhej pa ndërprerje, si simbolikë e cila mbase shkon përtej aspektit estetik të skenografisë së improvizuar. Meqë ishte nata e hapjes së kësaj ngjarjeje, fjalimet nuk reshteshin, morën një pjesë të konsiderueshme të kohës. 

Nuk munguan as fjalimet nga Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, dhe ai i Gjermanisë, Joern Rohde. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte përgatitur një fjalim i cili krijonte përshtypjen se e njeh muzikën klasike shumë hollësisht, teksa përgëzoi Lejla Pulën dhe Besa Luzhën, organizatoret e festivalit. 

“Edicioni i 14-të i Festivalit do t’i ketë 14 mbrëmje muzikore, sikurse numri i njërës nga sonatat më të pëlqyera të Ludwig van Beethovenit, piano sonata numër 14, apo e njohur ndryshe dhe si ‘Moonlight Sonata’. Një veçanti e kësaj sonate është ndikimi që pati në një ndër kompozimet më të bukura për piano nga Chopini, ‘Fantasie-Impropmtu’, që në fakt ishte dedikim për Beethovenin. ‘Chopin Piano Fest’ është arritje e një komuniteti të përkushtuar artistik që publikut të Kosovës i ofron cilësinë botërore të interpretimit pianistik. Sonte në veçanti dua të përgëzoj dy zonja që bartin barrën kryesore të këtij rrugëtimi 14-vjeçar, Lejla Pulën dhe Besa Luzhën”, qenë fjalët e kryeministrit që u pasuan nga duartrokitje. 

Fjalimin e fundit e mbajti drejtoresha organizative e festivalit, Besa Luzha e cila ndër të tjerash, iu referua projektimit të yjeve në skenë si yje të çrregullta, sepse sipas saj, “pa Kosovën nuk ka Evropë”. Mesazhin ia dha edhe të parit të kryeqytetit, Përparim Rama, i cili ishte i pranishëm në koncert. U shpreh se shpreson që shpejt Prishtina do të bëhet me sallë të mirëfilltë koncertale.

Pianisti Yasynskyy i lindur në vitin 1988 në Donetsk të Ukrainës, fatin e kishte të shkruar qysh në fillim me pianon. Vinte nga një familje me traditë në muzikën klasike. Në moshën shtatëvjeçare do të bëhej nxënës në Shkollën e Veçantë për Fëmijë të talentuar të drejtuar nga Akademia Prokofiev në Donetsk, e koncertin e parë do ta bënte posa t’i mbushte tetë vjeç. Këtë prapavijë të tijën, bashkë me përgatitjen akademike dhe eksperiencën profesionale ndër vite ai e shprehu mjeshtërisht me performancën e rrallë në “Chopin...”. E nisi me emra që përçojnë seriozitet, “Sonata” trekohëshe e Bachut ishte “takimi” i tij i parë me audiencën e Prishtinës. Por, një pjesë e publikut ia huqi pak duke duartrokitur në mes të kohëve të kësaj vepre, kushtet optimale për interpretim të së cilës kërkojnë qetësi dhe koncentrim maksimal. Yasynskyy i bëri një homazh dhe vendasit të tij, kompozitorit ukrainas Myroslav Skoryk – i cili ndërroi jetë në vitin 2020 – me kompozimin e tij “Kolomiyka”. Solli për të pranishmit tinguj të ngrohtë e të njohur për veshin e popujve të Evropës Juglindore. Silueta e virtuozit teksa performonte plot pasion, reflektohej në tavanin me xham të sallës, e hiret e pianos së tij nganjëherë përshkoheshin nga projektimi i yjeve.

Yasynskyy, e nisi me emra që përçojnë seriozitet, “Sonata” trekohëshe e Bachut ishte “takimi” i tij i parë me audiencën e Prishtinës (Foto: Chopin Piano Fest)

Yasynskyy, i cili vlerësohet nga kritika për virtuozitetin e tij, tani është profesor i pianos në Universitetin e Bremenit në Gjermani. Kosova nuk kishte qenë krejt e panjohur për të, idenë që të vinte këtu e kishte kaherë në kokë. 

“Është hera e parë për mua këtu dhe kam ëndërruar qe 15 vjet që të vija në Kosovë, në këtë regjion. Nuk kam qenë kurrë këtu, por kam shumë shokë nga këto anë. Kam shumë adhurues gjithkund dhe isha i lumtur që isha këtu, e që luajta para kësaj audience fantastike”, është shprehur artisti.

Për repertorin ai në bashkëpunim me Lejla Pulën kanë zgjedhur që programi të ketë stile të ndryshme të klasikes. 

“Ne menduam se çfarë mund të bëjmë që të marrim tinguj nga kultura të ndryshme, për mua është me rëndësi që të ketë stilistika të ndryshme, prekje të ndryshme, për shembull kur luajmë Bachun atmosfera është shumë serioze, por dallon te Chopeni dhe më pëlqen ky ndryshimi i karaktereve, ngjashëm me njeriun, ne duhet të ndryshojmë vazhdimisht. Muzika bashkon të gjithë dhe njëmend ia del. Jam shumë i lumtur që sot arritëm që t’i bëjmë bashkë te gjithë këta njerëz me muzikë”, ka shtuar ai.

Pas intermexos 10-minutëshe, ai bëri me dije se në program nuk kishte se si të mungonte as Chopini, pianisti virtuoz luajti diçka dhe nga Beethoveni, dhe Prokofiev. Me kohën “Vivace” të sonatës nr. 8 op.84 të Prokofievit kishte planifikuar t’i vinte pikën paraqitjes së tij në Prishtinë. Por nuk ngjau kështu, ai do të kthehej në skenë disa herë. Shkathtësia briliante në tastet e pianos, përdorimi minimal i pedales dhe dhënia e njëfarë energjie të re në këto vepra historike bënë që përtej madhështisë së veprave të luajtura, vëmendja të fokusohej te Yasynskyy dhe mënyra e tij brilante e interpretimit. 

U desh të kthehej tri herë radhazi në skenë, ani pse kishte përfunduar programin. Por nuk qe problem për të, ovacionet e duartrokitjet publikut ia ktheu me improvizime aty për aty. Kërkoi nga ta “ndihmë” duke i sugjeruar atij dy nota me të cilat do ta niste pjesën e improvizuar. 

Se mundësia për të parë një performancë të tillë nuk është fare e shpeshtë e ka konfirmuar edhe Lejla Pula. Për të festivali “Chopin...” tashmë është etabluar në skenën kulturore në vend, e emrat si Yasynskyy janë të denjë për këtë ngjarje. 

“Festivali është gjithnjë në ngritje e sipër është rritur vërtet si një fëmijë 14 -vjeçar, tash jo më në fillime, ashtu që jemi shumë të lumtur dhe po arrijmë megjithatë të bëhemi mjeshtër të improvizimit të hapësirave... Vërtet është një akustikë e bukur po krijohet një atmosferë koncertale e jashtëzakonshme. Por mund të konstatoj se dëshmohet se kur njeriu dëshiron diçka shumë dhe synon vërtet të arrijë diçka, atëherë ajo nuk është e pamundur. Duhet të kemi vullnet të mirë dhe përkrahës gjithashtu për këtë punë që ne e bëjmë”, ka thënë ajo teksa performancën e Yasynskyyt e ka vlerësuar të rrallë.

“Muzika klasike është diçka që perkë shpirtin e njeriut. Sonte kishim rastin të dëgjojmë Artem Yasynskyy, një pianist nga Ukraina dhe vërtet ishte gjenial. Na ka treguar jo vetëm mjeshtërinë e tij të virtuozitet por dhe aftësinë e improvizimit. Kështu diçka shihet vërtet rrallë, ishte vërtet mbresëlënëse”, ka shtuar ajo. 

Pas afro tri orëve program, publiku doli i impresionuar nga performanca e Yasynskyyt. Emri i tij për audiencën e Prishtinës tashmë u bë i njohur dhe zor të harrohet lehtë. 

Aktorja Ilire Vinca, e cila ishte pjesë e publikut gjatë recitalit, në një prononcim për KOHË-n pas koncertit u shpreh e lumtur që u gjend në hapje të festivalit “Chopin...”.

Përtej lodhjes ditore që ajo kishte gjatë provave për shfaqjen e radhës në Teatrin Kombëtar të Kosovës, Vinca nuk i përballoi tundimit për ta ndjekur këtë performancë. 

“Të dy kolegeve të dashura të mia, Besa dhe Lejla të cilat me këmbënguljen e tyre dhe shijen e hollë artistike dëshmuan edhe sonte në hapjen e këtij edicioni të 14-të, në prezencën e një audience vërtet shumë të mirë, ishte si një lloj feste shumë e bukur ku të gjithë njerëzit i bashkon muzika. Dhe përtej saj kur muzika është e mirë ne mund të qëndrojmë si individ në një bashkësi me njerëzit e tjerë. Sonte me një program shumë të bukur me një interpretim virtuoz të Artemit, vërtet e shijova dhe udhëtova në hapësirë e vetme. Artemit pata rastin me i thënë jashtë në koktej që në artin tim fjalët janë notat e mia, e në artin e tij notat janë materiali i tij”, është shprehur Vinca. 

Në audiencë kanë qenë të pranishëm edhe kryeministri e kryetari i Prishtinës. Janë përgëzuar organizatorët, e rrëfimi i tyre tashmë është shndërruar në refren: se shkëlqimi i skenës fsheh improvizimin e kushteve në mungesë të sallës (Foto: Chopin Piano Fest)

Ka folur edhe mbi rëndësinë e artit për njerëzimin, e inspiruar nga performanca që sapo kishte përfunduar dhe simbolika e Ditës së Evropës. 

“Arti është një armë e bukur për ta thënë të vërteten. Kur përfundojnë luftërat arma më e fortë e paqes është gjithashtu arti. Asnjëherë nuk përfundojnë problemet globale dhe ne kemi qenë dëshmitarë dhe vazhdojmë të jemi dëshmitar të dramave shumë të mëdha njerëzore. Arti, tingulli, fjala, muzika, janë ambasadori më i mirë i së vërtetës. Buron përtej interesave dhe ambicieve të ngushta të forcës dhe fuqisë që arma mundet me t’i dhanë. Krisma e saj jehon shumë dhe më gjatë, prek shumë më thellë”, ka thënë Vinca.