Kudo që dyshja me violinisten Daniela Trujillo dhe kitaristin Alejandro Valencia do të interpretojnë, do ta zbërthejnë edhe partiturat e veprës për violinë dhe kitarë “Viotar” të kompozitorit nga Kosova, Kreshnik Aliçkaj. Është pjesë e programit vjetor “Sfera Duo”. Është shumë e rëndësishme, sepse gjatë vitit 2025 ata këtë vepër e kanë pjesë të programit të tyre vjetor, gjatë gjithë vitit 2025, kudo që ata mbajnë koncert, do ta luajnë edhe këtë vepër”, ka thënë Aliçkaj
Artistët e Kosovës vazhdimisht dëshmohen, përkundër kushteve në të cilat ushtrojnë veprimtarinë, fillimisht duke pushtuar skenën vendore, e më pas edhe duke depërtuar në atë ndërkombëtare. Një fragment i krijimtarisë së kompozitorit Kreshnik Aliçkaj do të dëgjohet – të paktën – në Kolumbi, Spanjë e Hungari. Vepra klasike e Aliçkajt me frymë moderne “Viotar” është pjesë e repertorit të dyshes kolumbiane “Sfera Duo”.
Ajo çfarë dihet është se kudo që dyshja me violinisten Daniela Trujillo dhe kitaristin Alejandro Valencia do të interpretojnë, do të zbërthejnë edhe partiturat e veprës për violinë dhe kitarë “Viotar”. Është pjesë e programit vjetor të instrumentistëve.
Këtë e ka bërë të ditur kompozitori Kreshnik Aliçkaj, autor i veprës.
“Me ta kam rënë në kontakt pasi ata kanë parë veprën time të publikuar. Kitaristi kolumbian më ka kontaktuar ku edhe jemi njoftuar. Ai m’i ka kërkuar partiturat, i ka pëlqyer vepra shumë dhe pas disa muajsh ai u lajmërua duke më treguar se veprën do ta interpretojnë në këto vende. Është shumë e rëndësishme, sepse gjatë vitit 2025 ata këtë vepër e kanë pjesë të programit të tyre vjetor, gjatë gjithë vitit 2025, kudo që ata mbajnë koncert, do ta luajnë edhe këtë vepër”, ka thënë Aliçkaj.
Veprën e ka shkruar në vitin 2020. Ishte e porositur nga festivali ndërkombëtar i muzikës “ReMusica”.
Në edicionin e atij viti, të 19-tin të mbajtur prej 7 deri më 21 shtator, edhe ishte luajtur. Ai edicion ishte mbajtur në formë virtuale për shkak të kushteve në kohë pandemie.
Vepra ishte luajtur nga Pierre Fouchenneret, një nga violinistët më të mirë francezë, dhe nga Jérémy Jouve, i cili njihet edhe si “ambasadori i ri i kitarës klasike në botë”.
Duke e dëgjuar këtë interpretim, i cili është publik në rrjete sociale, vepra ngjan të jetë një lloj dialogu i përzemërt midis tingujsh. Është vepër tejet atraktive e tërheqëse.
“Viotar” hapet me dy tërheqje të theksuara të telave të kitarës të cilat më pas bëhen një lloj identiteti për këtë vepër. Violina që hap një temë melankolike i bashkohet në lojën e kësaj pjese që transformohet në një lloj fragmenti autentik.

Vepra prej rreth shtatë minutash e gjysmë merr zhvillime të ndryshme, kryesisht me melodi të qeta, me lojë të ngadalshme, me tinguj të zgjatur të violinës e shpesh që tërhiqen me gishtërinj tok me ata romantikë të kitarës. Është një efekt bumerangu tek dëgjohet vepra, kur rikthehet në pjesën e fundit të ‘Viotarit’ që në fakt është e njëjtë me hapjen.
Për kompozitorin Aliçkaj, frymëzimi është përherë i pranishëm, mjafton interesimi për muzikën klasike.
“Kompozitorët që kanë zgjedhur me shumë dëshirë kompozimin, edhe tek kompozitorët botërorë ka ndodhur gjithmonë që frymëzimi faktikisht nuk ekziston, në kuptimin që është punë që duhet të kryhet. Frymëzimi vjen në momentin që, nëse kemi oferta të interpretimit të veprave, pra vepra të reja, inspirimi është i gatshëm. Është punë e jona rutinore që edhe nëse kemi porosi, edhe nëse jo, duhet të vazhdojmë. Unë vazhdoj të kompozoj”, ka thënë ai.
Ka përmendur se në literaturën e muzikës shqiptare nuk ka shumë vepra për kitarë dhe se është shumë e rëndësishme të shkruhet për këtë instrument. Ka thënë se kjo është arsyeja pse ka shkruar këtë vepër për violinë e kitarë.
“Shumë pak vepra ka në vendin tonë. Mendi Mengjiqi e ka një për kitarë dhe orkestër, Rafet Rudi e ka një dhe unë një për kitarë dhe orkestër të madhe që është interpretuar vitin e kaluar nga Petrit Çeku. Kjo vepër, ‘Viotari’ është muzikë kamertale”, ka thënë ai, duke theksuar domosdoshmërinë e njohjes së instrumentit për të cilin shkruan.
Sipas tij, kitara është instrument i ndërlikuar për të shkruar vepra për të.
“Nuk është e lehtë të shkruash vepër për një instrument të caktuar, pasi duhet ta njohësh atë instrument. Unë pos që jam kompozitor luaj edhe në këtë instrument, duhet të njihet instrumenti në mënyrë që të jetë e përshtatshme për atë instrument për të cilin e shkruan kompozitori. Po ashtu, bashkëpunimet me instrumentistët janë të domosdoshme, pasi janë disa pozicione që kërkojnë gjithsesi bashkëpunim”, ka thënë Aliçkaj.
Në fundmaj të këtij viti vepra ishte luajtur nga dy solistë australianë në qendrën “Barabar” në koncertet që i kishin paraprirë edicionit të sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM”. Joel Brennan në trumbetë dhe Ken Murray në kitarë e kishin sjellë veprën në një tjetër format. Vepra qe aranzhuar për këtë kombinim të instrumenteve. Në version të ri, vepra ngjante më sfiduese dhe këtë e kishin konfirmuar edhe instrumentistët.
Nëntorin e kaluar vepra ishte interpretuar në një tjetër formacion: Zanë Abazi me flaut e Urim Maliqi në kitarë.
“Sfera Duo” me violinisten Daniela Trujillo dhe kitaristin Alejandro Valencia me 2 tetor ka mbajtur koncertin në Kolumbi ku në program ka qenë edhe “Viotar” i Kreshnik Aliçkajt. Më 23 tetor do të luhet në Madrid të Spanjës ndërsa dy ditë më pas në Sevilla në “Festival de la Guitarra de Sevilla”. Më 29 tetor, kultura muzikore shqiptare prezantohet në Dunabogdány të Hungarisë nëpërmjet lojës së dyshes atje. Publiku në Hungari ka mundësi ta dëgjojë këtë vepër edhe më 31 tetor.
Dyshja kolumbiane u themelua në vitin 2019 nga violinistja Daniela Trujillo dhe kitaristi Alejandro Valencia.
“Pasioni dhe etja e madhe e ‘Sfera Duos’ për muzikën e dhomës i shtyn ata në një kërkim të vazhdueshëm interpretues që integron repertorin tradicional dhe bashkëkohor”, shkruhet në prezantimin e tyre. Aty thuhet se pos hulumtimit të vazhdueshëm të veprave të shkruara posaçërisht për violinë dhe kitarë, ata gjithashtu inkurajojnë kompozitorët e rinj të shkruajnë për dyshen për të pasuruar repertorin e tyre dhe për të kontribuuar me ide dhe propozime muzikore.
Bëhet e ditur se repertori i tyre përfshin vepra nga vende të ndryshme të botës, midis të cilave përmendet edhe Shqipëria.