Kulturë

Violina e Lohmannit dhe harqet në udhëtim baroku te rrënjët e harmonisë

Antoinette Lohmann

Pos magjisë së veprave, koncerti në të cilin Antoinette Lohmann ka drejtuar Ansamblin Harkor të Filharmonisë së Kosovës, ka shpalosur qasje të re dhe edukative. I organizuar nga ESTA Kosova (European String Teachers Association) dhe Filharmonia, ka qenë ndërthurje harmonike midis interpretimit artistik dhe reflektimit akademik mbi veprat dhe instrumentet e epokës së barokut (Foto: Visar Kadrolli)

Koncerti i drejtuar nga violinistja Antoinette Lohmann me Ansamblin Harkor të Filharmonisë së Kosovës, ka qenë mbrëmje e veçantë për publikun, mësim për atë që kanë interpretuar tok me të dhe për ata që i kanë hyrë rrugës së muzikës. Baroku ka qenë kryefjalë, e në koncert mjeshtrja e kësaj periudhe ka zbërthyer sekretet e teknikat e interpretimit. Interpretimi barok është një eksplorim i pafundmë, i ndikuar nga standardet moderne, që na sfidon të kuptojmë muzikën përtej kornizave tona të sotme”, ka thënë Lohmann

Dardan Mirena

Muzika baroke tingëllon si një vallëzim i komplikuar ku bashkohen eleganca dhe pasioni. Periudha e barokut shquhet për më shumë fantazi harmonike dhe polifonike që fokusohet më pak në strukturën e pjesës muzikore. Në gjuhën e figurave stilistike, në muzikën barok notat përhapen si një valë në një liqen të qetë, duke krijuar një harmoni të përkryer mes melodisë dhe kontrapunktit. 

Ndjesi të tillë ka përçuar koncerti me protagoniste kryesore Antoinette Lohmann, të mërkurën pasdite në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit. Në fakt, pos magjisë së veprave, koncerti në të cilin ajo ka drejtuar Ansamblin Harkor të Filharmonisë së Kosovës, ka shpalosur qasje të re dhe edukative. I organizuar nga ESTA-Kosova (European String Teachers Association) dhe Filharmonia, ka qenë ndërthurje harmonike midis interpretimit artistik dhe reflektimit akademik mbi veprat dhe instrumentet e epokës së barokut. Në repertor kanë qenë veprat e Georg Muffat dhe Carlo Farina, të cilët i takojnë shekullit të 17-të dhe 18-të.

Prej Muffat (1653–1704) audienca ka pasur rastin të dëgjojë dy sonata nga vepra e tij e njohur “Armonico Tributo”, Sonata numër 2 në g-mol dhe atë në g-minor.

E, interpretimi i veprës së Farinss (1604–1639) nxori në pah kontributin e këtij mjeshtri në zhvillimin teknik të violinës. Vepra e tij që është konsideruar novatore, “Capriccio Stravagante” (1627), shquhet për imitimin e tingujve të kafshëve si lehja e qenve dhe përleshja e maceve, të cilat janë paraqitur si diçka unike dhe një lloj humori që i takon avangardës muzikore të shekullit të 17-të.

Ajo që e ka veçuar koncertin është formati i tipit “master klasë”, ku pas çdo interpretimi Lohmann ka ligjëruar për veprat dhe instrumentet që janë përdorur (Foto: Visar Kadrolli)

Ajo që e ka veçuar koncertin është formati i tipit “master klasë”, ku pas çdo interpretimi Lohmann ka ligjëruar për veprat dhe instrumentet që janë përdorur. Ajo ka dhënë detaje për materialet historike të telave të violinës, të cilët në këtë rast ishin të prodhuar nga zorrët dhe harqet më të shkurtra që i kishte sjellë nga Amsterdami.

Në publik kanë qenë kryesisht nxënës nga shkolla e muzikës dhe studentë të Fakultetit të Arteve, pa munguar adhuruesit e muzikës klasike. Koncerti ishte një lloj urë lidhëse mes historisë dhe interpretimit bashkëkohor. 

Duke jetuar në një kohë në mes zhurmave moderne dhe mjegullisë së imponuar nga teknologjia muzika klasike baroke ofron një lloj qetësie si të një oaze ku heshtja dhe harmonia bëhen një. Aty zbërthehet procesi i evolucionit të shprehjes muzikore. Koncertet dhe “master klasa” me një violiniste të klasit si Lohmann, kanë ardhur në kuadër të projektit me emrin simbolik “Musical Conversation” që ka sjellë një lloj rruge të re të interpretimit muzikor për publikun dhe muzikantët kosovarë, duke shërbyer si urë ndërlidhëse mes së kaluarës dhe së ardhmes.

Violinistja dhe pedagogia Antoinette Lohmann, protagoniste e këtij projekti, ndan pasionin e saj për të hulumtuar thellësitë e muzikës baroke përmes një perspektive praktike dhe historike. 

“Arsyeja që i qasemi kësaj epoke është sepse nuk dimë gjithçka. Historia e muzikës baroke është një udhëtim i informimit, i ndërtuar nga konteksti i kompozitorëve të saj. Interpretimi barok është një eksplorim i pafundmë, i ndikuar nga standardet moderne, që na sfidon të kuptojmë muzikën përtej kornizave tona të sotme”, ka thënë Lohmann e lindur më 1969. Studioi violinën, violën dhe violinën baroke në Konservatorin e Amsterdamit. Si muzikante e pavarur ajo ka performuar në shumë orkestra dhe asamble në të gjithë botën.

Ajo ka theksuar rëndësinë e kronologjisë në të kuptuarit e muzikës. 

“Nëse nisemi nga kohët moderne duhet të fillojmë nga sot dhe të kthehemi prapa për t’i shpjeguar gjërat, po rune për ta kuptuar Bahun duhet të di se çfarë ka ndodhur para Bahut dhe jo nga Brahmsi dhe kjo bën që të shikojmë nga e kaluara në të ardhmen, në vend se të shikojmë nga e ardhmja në të shkuarën”, ka thënë ajo. 

Dardan Selimaj, ushtrues detyre i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, ka thënë se institucioni që ai drejton, përveç organizimit të programeve koncertale për publikun e gjerë, po angazhohet edhe për edukimin dhe afirmimin e muzikës klasike te brezat e rinj. Ka nënvizuar rëndësinë e projektit në bashkëpunim me ESTA Kosova, një asociacion që mbështet pedagogët e instrumenteve me harqe. 

“Ky koncert ka qenë një mundësi për muzikantët e rinj që të shohin dhe përjetojnë nga afër teknikat e muzikës baroke, që shpesh mbeten të largëta për shkak të natyrës së tyre të veçantë. Teknikat e interpretimit barok, me harqe më të shkurtra dhe tela të zorrëve, paraqesin sfida të reja si për studentët, ashtu edhe për profesionistët. Për disa prej instrumentistëve tanë kjo ishte një eksperiencë e pazakontë, duke krijuar një mundësi për të nxënë dhe për të eksperimentuar me mënyra të reja të të luajturit”, ka thënë Selimaj. Projekti, sipas tij, ka përfshirë një seri koncertesh me “master klasa” që pos në Prishtinë, janë mbajtur edhe në Prizren, Mitrovicë dhe Gjilan. 

“Jam shumë e kënaqur që edhe fëmijët e shkollave jashtë kryeqytetit patën mundësi të përfitojnë”, ka thënë koordinatorja e ESTA-Kosova, Mrika Hoxha.

Interpretimi ka qenë “mësim” edhe për Hoxhën, e cila njëherësh është violiniste në Filharmoninë e Kosovës. 

“Ky koncert ka qenë risi edhe për ne se kemi luajtur me tela të zorrëve dhe kërkon një punë më me finesë sepse është më vështirë për të luajtur me tela të tillë dhe pak sfiduese. Harku gjithashtu është më i shkurtër. Gjatë këtij projekti Antoinette ka mbajtur ‘master klasë’, e klasë të tilla janë organizuar edhe me profesorë nga Kosova, të cilët kanë shkuar në disa shkolla, në qytete të ndryshme, si në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë dhe Gjilan, për të mbajtur ‘master klasa’ me nxënës të shkollave të ulëta dhe shkollave të mesme”, ka thënë ajo.