Kulturë

Vidhet në Londër vepra e katërt me radhë e Banksyt

Vepra e Banksy

Një tjetër vepër nga cikli i kafshëve u shfaq në Rye Lane në Peckham, si pjesë e një serie të realizuar në kryeqytetin e Anglisë këtë javë

Vepra e fundit e Banksyt që portretizon sërish një kafshë është vjedhur në Londër vetëm disa orë pasi u ekspozua. Kjo vepër e fundit nga artisti paraqet një shabllon që merr format e një ujku që ulërin drejt qiellit, i pikturuar në atë që duket të jetë një pjatë satelitore në majë të një ndërtese në Rye Lane në Peckham, në juglindje të Londrës. Ishte e katërta në koleksionin e tij të ri të veprave, të cilat janë shfaqur në vende të ndryshme në të gjithë kryeqytetin anglez gjatë kësaj jave. Artisti i rrugës nga Bristoli, identiteti i të cilit mbetet i panjohur, ka postuar disa foto të serisë së re në Instagram. E para në serinë, të cilën ai zbuloi të hënën, është afër urës Kew në jugperëndim të Londrës dhe paraqet një dhi të mbivendosur në një parvaz me gurë që bien poshtë saj, pikërisht sipër vendit ku është drejtuar një kamerë survejimi.

Të martën artisti ia kishte shtuar një dizajn tjetër koleksionit në fjalë: silueta të dy elefantëve me trungjet e tyre që arrijnë drejt njëri-tjetrit nga dritaret e bllokuara në një pjesë anësore të  një shtëpie në Chelsea, në jugperëndim të Londrës. Vepra e tretë e artit me temë kafshësh në Londër shfaq një treshe majmunësh që lëkunden mbi një urë në Brick Lane dhe u zbulua të mërkurën pranë rrugës Grimsby, jo shumë larg nga Shoreditch High Street.

Postimet e Banksyt në mediat sociale dukej se konfirmonin këto vepra të shpërndara nëpër Londër si të tijat. Ai nuk kishte vendosur asnjë përshkrim në këto fotografi që kishte postuar, gjë që kishte nxitur  spekulime në internet për kuptimin e tyre.

Disa e kanë quajtur këtë koleksion, seria "Kopshti zoologjik i Londrës" dhe kanë zhvilluar teori për të shpjeguar kuptimin e tyre. Një ide e njohur që qarkullon në mediat sociale është se Banksy mund të krahasojë protestuesit e fundit të së djathtës ekstreme me kafshët e kopshtit zoologjik.

Ky cikël besohet të jetë vepra e tij e parë publike që nga një provokim artistik në Glastonbury në qershor, kur një varkë emigrantësh e krijuar nga ai kalonte nga turma  gjatë shfaqjeve të grupit të Bristol Idles dhe reperit Little Simz.

Ky gjest u përshkrua nga sekretari i atëhershëm i Brendshëm, James Cleverly, si "banalizues" i kalimeve me varka të vogla dhe "i poshtër", por artisti tha se reagimi i Cleverlyt kishte qenë "pak i tepërt".

Në muajin mars Banksy kishte krijuar një mural peme në veri të Londrës, ku shfaqej një pemë e zhveshur e krasitur me bojë të gjelbër të spërkatur në murin pas saj për të dhënë pamjen e gjetheve. Murali u shpërfytyrua me bojë të bardhë disa ditë më vonë.