Vepra e tij tashmë flet edhe në gjermanisht, por Shpëtim Selmani ka çuar në “Kultursommer Wien” edhe fjalën letrare shqipe. Është “Manifesti i mbijetesës” që e ka çuar atje në një prezantim tok me botuesin e shkrimtarin gjerman Adrian Kasnitz, ku pos leximit të poezive të tij ka folur edhe për letërsinë, për Kosovën dhe raportet me Serbinë. Për Selmanin është debutim në Vjenë, përderisa vepra e tij s’është e panjohur për lexuesin gjermanishtfolës
Vepra letrare e Shpëtim Selmanit veçse ka arritur te lexuesit e disa vendeve të Evropës. Me krijimtarinë e tij ka arritur që edhe vetë ai të prezantojë profilin e tij në prozë e poezisë. Stacioni i radhës ka qenë kryeqyteti austriak. Para publikut atje ka prezantuar përmbledhjen me poezi “Manifesti i mbijetesës” në kuadër të “Kultursommer Wien”.
Letërsia është një prej segmenteve “Verës kulturore të Vjenës” që po zhvillohet prej 27 qershorit dhe do të zgjasë deri më 11 gusht. Aty ku shtëpitë botuese ftohen të sjellin krijues, “Parasitenpresse” që veçse ka bërë që vepra e Selmanit të flasë gjermanisht, e kishte konsideruar shkrimtarin nga Kosova të duhurin për ta prezantuar. Prej Selmanit ka botuar në gjermanisht “Libërthin e dashurisë”, ndërsa pritet që të përkthehet edhe “Balada e buburrecit”.
Selmani ka bërë të ditur se nën qiell të hapur – ku zhvillohen krejt ngjarjet e “Kultursommer Wien” që nisi të organizohej prej vitit 2020 – ka lexuar dhjetë poezi nga “Manifesti i mbijetesës”. Por aty është shpalosur edhe profili i tij prej krijuesi letrar e ka folur edhe për letërsinë në vend.
“Kam lexuar pjesë nga libri ‘Manifest des Überlebens’ që është libër me selektim poezish në gjermanisht. Një orë e kemi pasur programin, unë kam lexuar dhjetë poezi. Kemi pasur edhe një diskutim për letërsinë, për librat e mi, për Kosovën dhe raportet me Serbinë”, ka thënë Selmani.
Ngjarja është mbajtur në shtunën pasdite në parkun “Wilhelmsdorfer” në kryeqytetin austriak.
Shkrimtari e poeti, Selmani, ka thënë se në publik kishte të pranishëm edhe shqiptarë dhe se kishte reagime pozitive për veprën e tij.
“‘Feedbacku’ ishte interesant. Pati edhe shqiptarë prezentë. Më pas nënshkrova edhe libra dhe pati fjalë të mira për të. Është e rëndësishme të përmendet se për herë të parë kam pasur një ngjarje të tillë në Vjenë. Paraprakisht kam qenë në një rezidencë për shkrimtarë në Graz që janë botuar në një revistë letrare, por për herë të parë kam bërë një lexim publik”, ka thënë ai derisa ka përmendur rëndësinë e këtij prezantimi jo veç për të.
“Është shumë e rëndësishme, sepse e dimë se letërsia sot nuk është duke u vënë në funksion, nuk është ndonjë kohë letrare. Çdo gjë letrare, çdo përkthim është mirë edhe për letërsinë shqipe, pasi mandej njerëzit interesohen. Do të doja të isha motiv i mirë për ta eksploruar letërsinë shqipe”, ka thënë Selmani.
Në tekstin shpjegues, “Manifesti i mbijetesës” përkufizohet si “një britmë vajtimi dhe dashurie”.
“’Manifesti i mbijetesës’ tregon për vështirësitë e jetës si artist dhe familjar që përpiqet t'ia dalë mban financiarisht, psikologjikisht dhe filozofikisht në një realitet të vështirë. Është një britmë vajtimi dhe dashurie për një individ, për një brez, dhe kështu i ngjashëm me hurmën e madhe të Allen Ginsbergut”, shkruhet për botimin e Shpëtim Selmanit.
“Parasitenpresse” është shtëpi e pavarur botuese me seli në Köln. Boton vepra shkrimtarësh që nuk janë gjermanofolës dhe të atyre ndërkombëtarë që prej vitit 2000.
“Manifesti i mbijetesës”, përkthyer nga Zuzana Finger paraprakisht ishte promovuar në kuadër të festivalit “Balkantage München” që ishte mbajtur prej 1 marsi deri më 21 prill.
Selmani ka studiuar për sociologji e aktrim në Universitetin e Prishtinës. Përveçqë shkruan poezi dhe prozë, ai rregullisht luan në shfaqje teatrore. Kohëve të fundit, pos skenës teatrore, është edhe një prej aktorëve më të angazhuar edhe në film.
Ka botuar edhe librat “Shënimet e një grindaveci” (2016) dhe “Poezi në kohën e gjakut dhe dëshpërimit” (2010-2017), Me veprën “Libërthi i dashurisë” u shpall laureat i Çmimi Letrar i Bashkimit Evropian , bashkë me 12 shkrimtarë të tjerë.
Në “Verën kulturore të Vjenës” ku përfshihej leximi e diskutimi, përkrah Shpëtim Selmanit ka qenë edhe poeti e botuesi gjerman, Adrian Kasnitz. Sipas “Kultursommer Wien”, dyshja ka folur për “origjinën, familjen, jetën në Kosovë dhe jetën në kohë kriza, por ndonjëherë edhe përqafimet verore ndihmojnë”, duke iu referuar në fund librit të Kasnitz – “Sommer-Umarmungen” (Përqafime verore).
Në kuadër të ngjarjes shpalosen performanca muzikore, shfaqje teatri, punëtori, panele diskutimi, vallëzim, letërsi, cirk bashkëkohor dhe jo vetëm.
Sipas “Kultursommer Wien” rreth dy mijë artistë performojnë në vende të ndryshme, nga qendra e qytetit deri në periferi.
“Programi i gjerë i Kultursommer 2024 është po aq i larmishëm sa edhe vetë qyteti: ngjarje dhe koncerte duke filluar nga rock, pop, muzikë klasike, jazz, vallëzim, teatër, performancë, cirk bashkëkohor, kabare me kor dhe bend muzikor”, shkruhet në prezantimin e kësaj ngjarjeje.