Kulturë

Vepra plot jetë dhe hare nga polakja që tronditi Venecian

Duke përzier artin me aktivizmin, Mirga-Tas përdor famën e saj në rritje për të nderuar jetët e romëve. Veçmas ato të grave të këtij komuniteti

Duke përzier artin me aktivizmin, Mirga-Tas përdor famën e saj në rritje për të nderuar jetët e romëve. Veçmas ato të grave të këtij komuniteti

Me një seri kolazhesh nga pëlhura, artistja Małgorzata Mirga-Tas u bën homazh të nuancuar dhe të realizuar bukur romëve të Czarna Góras dhe kujton vuajtjet që ata përjetuan

Bota u njoftua me artin e Małgorzata Mirga-Tasit në Bienalen e Venecias në vitin 2022, kur artistja polake u bë romja e parë që përfaqësoi një vend në festivalin ndërkombëtar të artit. Realizuar nga tekstile shtëpiake – rroba të vjetra, qilima, çarçafë dhe perde – prezantimi maksimalist i Mirga-Tasit e transformoi pavijonin polak me panele piktoreske që përzienin histori arti, mitologji dhe astrologji me imazhe të komunitetit të saj rom në Czarna Góra. Ishte një nga ato raste të rralla kur një artist i panjohur shfaqej në skenë me vepra guximtare, të freskëta dhe që kishin efekt transportues. Me të drejtë, sot ajo është një artiste mjaft e kërkuar në botën e artit.

Duke përzier artin me aktivizmin, Mirga-Tas përdor famën e saj në rritje për të nderuar jetët e romëve. Veçmas ato të grave të këtij komuniteti. 

Galeria “Tate St Ives” përfshin gjashtë portrete nga seria “Siukar Manusia” (Njerëz të mrekullueshëm), në të cilat figurat e qëndisura dhe të pikturuara janë vendosur mbi sfondet e errëta. Shumë prej tyre i kanë mbijetuar Holokaustit, gjatë të cilit një përqindje e madhe e popullsisë rome të Evropës u vra. Violinisti i shkëlqyer, Augustyn Gabor, portretizohet me vajzën e tij të vogël në prehër dhe një mace të shtrirë nën karrigen e tij. Krystyna Gil, e cila mbijetoi burgimin në një kamp përqendrimi si fëmijë dhe pastaj themeloi një shoqatë për gratë rome, shfaqet në një moshë të avancuar, me shprehjen e fytyrës që shfaq kujdes.

Subjektet e saj janë të rëndësishme – shumica kishin jetë me vuajtje dhe vështirësi të mëdha – por ekziston një harmoni e parezistueshme në formën se si Mirga-Tas i trajton materialet në veprat e saj. Ndërsa fytyrat dhe duart janë të pikturuara në kanavacë, rrobat dhe mobiliet janë të qëndisura nga pëlhura me motive dhe zbukurime dekorative. Këto nuk janë vepra përkujtimore, por në fakt u kushtohen festave në komunitetin e romëve. 

Galeria “Tate St Ives” përfshin gjashtë portrete nga seria “Siukar Manusia” (Njerëz të mrekullueshëm), në të cilat figurat e qëndisura dhe të pikturuara janë vendosur mbi sfondet e errëta. Shumë prej tyre i kanë mbijetuar Holokaustit

Kjo është një ngjarje shumë më e vogël se ekspozita e Venecias e titulluar “Re-Enchanting the World”. Shumica e veprave janë varur dhe qëndrojnë të izoluara përballë mureve të bardha. Kjo e vendos një fokus të qartë në secilin kolazh tekstili duke lejuar një lexim të afërt të punimeve, në vend të një spektakli të mbingarkuar. Por diçka humbet në aspektin e atmosferës. Kjo nuk është thjesht një çështje estetike, por është politike. 

Mirga-Tas shpesh punon me imazhe historike burimore që përjetësojnë stereotipa mbi njerëzit romë – piktura dhe printime që paraqesin bukuri ekzotike pa emër, nomadë të pavlerë ose muzikantë. Ajo i krijon këto imazhe nëpërmjet përdorimit të motiveve dhe ngjyrave të ndezura. Një mur i bardhë nuk është thjesht një sipërfaqe neutrale.

Muri i madh i galerisë përsërit disa nga punimet me të cilat artistja ishte prezantuar në Venecia, të rrethuara nga dy vepra të reja gjigante, secila duke riimagjinuar imazhe historike që romantizojnë gratë rome. Në qendër ndodhet një karavidhe që shënon simbolin astrologjik për gaforren. Mbi të është vendosur një skenë karakterizuese e një kampi historik rom me ushqimin që piqet mbi zjarr në ambient të hapur. Poshtë, një grup i grave bashkëkohore varin rrobat për t’u tharë. 

Emërtimi është i rëndësishëm. Një numër i kolazheve të saj të pëlhurave riimagjinojnë imazhe nga “Les Bohémiens” (1621–1631) – një seri i printimeve të shquara të Jacques Callot. Asnjë prej veprave historike nga të cilat punon Mirga-Tas nuk është e artistëve romë dhe asnjëra nuk paraqet karaktere të emëruara: të gjithë, në një shkallë më të madhe ose më të vogël, janë imagjinarë.

Pjesë e misionit të Mirga-Tasit është të paraqesë një histori dhe ikonografi alternative për popullatat rome të Evropës. Dy portrete që gjenden në ekspozitë, të porositura për një muze në Sevilla, shfaqin performueset e njohura të flamengos, Juana Vargas de las Heras dhe Herminia Borja, në mes të interpretimit dhe në mënyrë goxha dominuese. Edhe në imazhet e saj më intime secila figurë është e rrënjosur në jetën reale, deri te tekstilet e prera për t’i veshur ato, të cilat shpesh janë dhuruar nga komuniteti i artistes. Materialet e tekstilit të përdorura në këto portrete lidhin familjen me historinë, e ftojnë vizitorin të njohë përvojat e përbashkëta të jetës me romët.

Ekspozita e Małgorzata Mirga-Tas vazhdon të jetë e hapur në galerinë “Tate St Ives” në Cornwall deri më 5 janar të vitit të ardhshëm.