Një portret si pronë private që besohet të jetë nga Caravaggio është shfaqur të shtunën në një ekspozitë “të rëndësishme” të Romës për të parën herë që kur u njoh publikisht vepra 60 vjet më parë.
Vepra që daton nga fillimi i viteve 1600, portreti i Maffeo Barberinit, i biri i një fisniku fiorentin që u kurorëzua si Papa Urban VIII në vitin 1623, shfaq kreun e kishës katolike të veshur me pulovër të gjelbër pa mëngë, ndërsa mbërthen një letër të palosur dhe vështron me vëmendje në njërën anë.
Piktura do të shfaqet deri më 23 shkurt 2025 në “Palazzo Barberini”, e cila mori emrin e tij kur Maffeo Barberini bleu rezidencën nga kardinali Alessandro Sforza në vitin 1625 dhe tani bën pjesë në Galerinë Kombëtare të Arteve Antike. Ai do të shfaqet në sallën e peizazheve të pallatit.
“Kjo vepër është fondamentale, sepse mund të numërosh numrin e portreteve nga Caravaggio në gishtat e njërës dorë. Shfaqja e kësaj pune 60 vjet, pasi ekspertët ia atribuuan për herë të parë këtë punë Caravaggios është diçka e pabesueshme”, ka thënë drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve Antike, Clement Salomon.
Piktura u ble nga pronarët e saj aktualë, një familje fiorentine pa emër, në vitet ’60. Njohja e pikturës u bë publike për herë të parë në vitin 1963, kur Roberto Longhi, një nga historianët më të shquar të artit në Itali, shkroi për të për herë të parë në një revistë arti. Disa ekspertë, përfshirë Keith Christiansen, ish-kryetar i departamentit të pikturave evropiane në Muzeun Metropolitan të Artit, dhe Sebastian Schütze, historian i artit në Universitetin e Vjenës, kanë konfirmuar që atëherë pretendimet e Longhit.
Klement Salomon ka thënë se provat dokumentare të shekullit XVII treguan se artistit barok i ishte dhënë detyrë të pikturonte Barberinin. Ai shton se përpara ekspozitës së re, analiza e mëtejshme diagnostikuese kishte konfirmuar origjinën e veprës “përtej çdo dyshimi”.
Studiuesit kanë qenë prej kohësh të ndarë rreth asaj nëse një tjetër portret privat i Barberinit që është shfaqur në “Palazzo Corsini” të Firences, i atribuohet Caravaggios.
Koleksioni i “Gallerie Nazionali di Arte Antica” përfshin një numër veprash ikonike të Caravaggios, duke përfshirë “Giuditta e Oloferne” (1599) dhe “Narciso” (1597-1599). Në një konferencë shtypi të premten, drejtori i përgjithshëm i muzeve i Ministrisë së Kulturës, Massimo Osanna, ka thënë se shfaqja publike e veprës ishte një “ngjarje e rëndësishme”, duke shtuar se “Barberini po vjen në shtëpi”. Portreti pritet t'u kthehet pronarëve të vet privatë pas ekspozitës. / The Art Newspaper