Një njoftim “për shkak të problemeve teknike” dhe një tjetër “për shkak të problemeve me dokumentacion të ekipit në vendkalimin kufitar”, kanë qenë arsyet që janë dhënë për anulimin e shfaqjes “Toka ime” nga Serbia të paraparë për të enjten mbrëma në teatrin “Dodona”. Në fakt autoritetet policore të Serbisë nuk e kanë lënë ekipin të vazhdojë drejt Kosovës ku synonte të jepte shfaqjen, e cila me nëntitull pyet se “çfarë mendojnë të rinjtë për patriotizmin”. Është produksion i “Reflektor Teatar”, e cila u është bashkuar bllokadave e protestave, të cilat po e shkundin Serbinë e që kundërshtohen nga presidenti Aleksandar Vuçiq
Rreth dy orë para kohës së caktuar që trupa e aktorëve serbë të ngjitej në skenën e teatrit “Dodona” në Prishtinë për shfaqjen “Toka ime”, është njoftuar se ajo është anuluar. Për shfaqjen me tekst të Milena Bogovac dhe nën regji të Jelena Bogovac është bërë e ditur se do të rezervohet një datë tjetër. Shfaqja synonte që edhe në Prishtinë të shpaloste te publiku historitë që nuk janë në libra shkollorë dhe zbërthimin e “mesazheve të fshehura”.
Sipas organizatorëve të shfaqjes – organizata “Artpolis” dhe teatri “Dodona” – kjo ka ardhur si rrjedhojë e shkaqeve teknike.
“Të nderuar/a artdashës, ju informojmë se anulohet prezantimi i shfaqjes ‘Toka ime’, për shkak të disa problemeve teknike që kishte ekipi mysafir i shfaqjes. Shpresojmë që do të kemi mundësi ta shohim në një të ardhme të afërt”, ka shkruar “Artpolis” në njoftim.
E, “Dodona” ka njoftuar se anulimi ka ardhur si rrjedhojë e problemeve të ekipit serb me dokumentacion në kufi.
“Të nderuar shikues. Shfaqja mysafire e programuar për sot, me fillim në ora 19:30, është anuluar për shkak të problemeve me dokumentacion të ekipit në vendkalimin kufitar. Faleminderit për mirëkuptim”, është shkruar në njoftim.
KOHA ka kontaktuar drejtoreshën e teatrit “Dodona”, Arta Muçaj, e cila nuk ka pranuar të prononcohet për këtë rast, por e ka konsideruar të rëndësishme shfaqjen për skenën artistike, teksa ka thënë se do të synojnë të rezervojnë një datë tjetër për “Toka ime”.
KOHA i ka dërguar pyetje edhe regjisores Jelena Bogavac në adresën e saj elektronike, por deri në momentin e raportimit nuk ka marrë përgjigje.
Prej dy burimeve të ndryshme, KOHA ka marrë vesh se ekipi është ndaluar nga policia kufitare e Serbisë. Ndalimi u bë me arsyetimin se Jelena Bogavac kishte me vete djalin e saj që nuk ishte i pajisur me mjet identifikimi.
Shfaqja me nëntitull “Çfarë mendojnë të rinjtë për patriotizmin” nga “Reflektor Teatar”, që e ka prodhuar atë, përshkruhet si shfaqje për paqen dhe drejtësinë.
“’Vendi im’ është një shfaqje edukative – sepse mësuam derisa e realizuam. Vendi im është një shfaqje për t’u rritur – sepse ne jemi rritur duke e bërë atë. Vendi im është një shfaqje për ne, kushtuar brezit tonë. Vendi im është një shfaqje për paqen dhe drejtësinë. Nuk ka paqe pa drejtësi. Dhe pa paqe, s’ka ka rini”, shkruhet për shfaqjen në uebfaqen e teatrit “Reflektor”.
Bëhet e ditur se shfaqja sjell histori përtej atyre që janë në libra dhe hapin tema që prishin atmosferën.
“Kemi mësuar një histori që nuk është në libra. Shkuam në vende kujtimi, të cilat nuk u shënuan. Biseduam me familjet tona, duke hapur pikërisht ato tema që nuk shërbehen kurrë gjatë një dreke familjare, sepse prishin oreksin e aq më tepër atmosferën. Pyetëm profesorët e universitetit dhe autoritetet shkencore, me qëllim që t’i kursenim gjyshërit dhe gjyshet tona nga pyetje si këto”, shkruhet për shfaqjen.
Në shfaqjen “Toka ime” luajnë: Goran Dimitrijeviq, Aleksandra Jankoviq, Zhana Jelovac, Nikolla Jovanoviq, Teodora Jovanoviq, Sara Krstiq, Dorgje Matijasheviq, Nina Nikoliq, Masha Obradoviq, Boris Pobriq, Minja Rakiçeviq, Srgjan Simiq, Mila Stankoviq, Anja Stanojeviq, Tamara Stojkoviq, Vana Vukoviq, Nina Gjorgjeviq.
Në prezantimin e shfaqjes bëhet e ditur se ajo prek edhe luftërat.
“Me të njëjtin kujdes lexojmë libra të bukur dhe mbishkrime të shëmtuara në fasada. Analizuam mediat dhe kërkuam mesazhe të fshehura në fjalimet publike. Kemi organizuar edhe festivale, me qëllim që të njihemi dhe të socializohemi me bashkëmoshatarët nga rajoni. Krahasuam pikëpamjet dhe përvojat tona dhe doli se ato ishin shumë të ngjashme. Sepse as ne – as bashkëmoshatarët tanë nga vendet fqinje, nuk kemi kujtime personale dhe të freskëta të luftërave që shënuan rininë e prindërve tanë”, shkruhet më tej në prezantimin e shfaqjes, publikuar nga teatri “Reflektor” nga Beogradi.
Premierën atje e pati më 4 nëntor. Shfaqja u krijua si pjesë e projektit “Vendi im: Teatri i të rinjve si mjet për të trajtuar të kaluarën” i “Qendrës E8”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe UNDP-ja.
“Reflektor Teatar” është produksion i pavarur rinor teatror, i cili me këtë emër vepron qysh prej janarit të vitit 2017.
Së fundmi është vënë në qendër të vëmendjes edhe kur u është bashkuar protestave e bllokadave gjithandej Serbisë, kundër presidentit Aleksandar Vuçiq. Ato shpërthyen në fund të dhjetorit si protesta kundër korrupsionit pasi një strehë betoni është shembur në stacionin qendror të trenit në Novi-Sad më 1 nëntor, ku mbetën të vdekur pesëmbëdhjetë persona. Protestat deri më tash kanë nxitur turma të mëdha që kërkojnë drejtësi për tragjedinë e Novi-Sadit, për të cilën kritikët fajësojnë punën e ngadaltë të rinovimit të stacionit të trenit, si pasojë e korrupsionit qeveritar. Protestat e përditshme në të gjithë Serbinë përbëjnë një sfidë të madhe për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Lëvizja e udhëhequr nga studentët ka shtyrë tashmë në dorëheqjen e kryeministrit Millosh Vuçeviq, aleat i Vuçiqit.
Në fund të janarit ”Reflektor Teatar” doli në përkrahje të protestave studentore me aksionin “Teatri Reflektor në bllokadë, Teatri Reflektor në bllokada”.
“Si një teatër i angazhuar shoqëror, duke punuar me dhe për të rinjtë, ne vazhdimisht kemi mbështetur dhe po mbështesim çdo formë të aktivizmit rinor, në anën e drejtësisë, lirisë dhe të përgjegjësisë. Të gjitha shfaqjet tona trajtojnë çështje kryesore sociale dhe politike dhe të gjitha u krijuan si një hapësirë në të cilën mund të dëgjohet zëri i rinisë që mendon, ka guxim dhe ngrihet. Pjesëtarët tanë, aktorët dhe aktoret, bashkautorë të shfaqjeve tona, janë studentë, gjimnazistë dhe që nga dita e parë kanë qenë të angazhuar në protestat e studentëve dhe shkollave të mesme dhe bllokada të fakulteteve”, shkruhej në një komunikatë për media të afishuar në rrjetet sociale të “Reflektor Teatar”, përcjellë në krejt pak media të Serbisë, të cilat nuk janë në dorë të presidentit Vuçiq. Po aty shkruhej se kjo organizatë mbështet teatrin, kulturën dhe të gjitha institucionet, kolektivët dhe organizatat e tjera që pezullojnë punën e tyre deri në plotësimin e kërkesave të studentëve. “Jemi në të njëjtën anë dhe e dimë që është ana e ndritshme e shoqërisë sonë dhe ana e vërtetë e historisë!”, shkruhej po aty.